Letra e parë e Shembujve 29

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Mbreti David iu ka drejtu krejt popullit të mbledhun: “Djali jem Solomoni, që Zoti e ka zgjedhë, asht hala i ri edhe pa përvojë, e ka nji punë shumë të madhe përpara, se kjo shpi e shenjtë s'asht për njerz, po për Jehova Zotin.

2 Për me i bo përgatitjet për shpinë e Zotit tem, jom mundu me krejt fuqinë teme. E kom siguru dukatin për punët me dukat, argjendin për punët me argjend, bakrin për punët me bakër, hekurin për punët me hekur, drunin për punët me dru, gurë oniksi edhe gurë që vendosen me llaç, gurë mozaiku, gjithfarë gurësh të çmushëm edhe shumë gurë alabastri.

3 E se e kom shumë për zemër shpinë e Zotit tem, po e jap edhe pasuninë teme personale të dukatit edhe argjendit për shpinë e Zotit tem, përveç krejt atyne që veç i kom siguru për shpinë e shenjtë.

4 Këtu përfshihen 3000 talenta dukat pi Ofirit edhe 7000 talenta argjend të pastrum, për me i veshë muret e mbrendshme,

5 dukatin për punët me dukat, argjendin për punët me argjend edhe për krejt punët e mjeshtrave. E tash, kush po del sot vullnetarisht me nji dhuratë në dorë për Jehovën?”

6 Atëherë kryetarët e familjeve të mëdhaja, kryetarët e fiseve të Izraelit, kryetarët e mijësheve edhe qindësheve, edhe ata që i udhëheqshin punët e mbretit, kanë dalë vullnetarisht.

7 Për punët në shpinë e Zotit të vërtetë, ata kanë dhanë 5000 talenta dukat, 10 000 dareikë, 10 000 talenta argjend, 18 000 talenta bakër edhe 100 000 talenta hekur.

8 Kushdo që ka pasë gurë të çmushëm, i ka dhanë për dhomën e thesarit të shpisë së Jehovës, për të cilën u konë përgjegjës Jehieli, gershoniti.

9 Populli u gëzu shumë që i kanë dhanë qito dhurata vullnetarisht, se ia kanë dhanë Jehovës me krejt zemër. Edhe mbreti David u gëzu pa masë.

10 Masanej Davidi e ka lavdu Jehovën para krejt popullit të mbledhun. Davidi ka thanë: “Ti qofsh i lavdum, o Jehova, Zoti i babës tonë Izraelit, për jetë e mot.

11 Ty, o Jehova, të takon madhështia, fuqia, bukuria, shkëlqimi edhe lavdia mbretnore, se krejt qka asht në qiell edhe në tokë asht e jotja. Ty të takon mbretnia, o Jehova. Ti je i naltë si kryetar përmbi krejt.

12 Pasunia edhe nderi vijnë pi teje, edhe ti sundon mbi krejt. Në dorën tande jonë forca edhe fuqia, edhe dora jote ka fuqi me e bo dikon të madh edhe me ua dhanë forcën krejtve.

13 E tash, o Zoti jonë, na po të falënderojmë edhe po e lavdojmë emnin tand të bukur.

14 E prapë, kush jom unë edhe kush asht populli jem, që po mujna me dhanë qesi dhuratash vullnetare? Se fundja, krejt senet vijnë pi teje, e na ta kemi dhanë veç qka kemi marrë pi dorës tande.

15 Na jemi të huj që banojmë përkohësisht para teje, njajt si krejt të parët tanë. Se ditët tona në tokë jonë si nji hije, edhe s'kemi shpresë që kanë me zgjatë.

16 O Jehova, Zoti jonë, krejt kjo pasuni që e kemi mbledhë për me ta ndërtu nji shpi për nder të emnit tand të shenjtë, vjen pi dorës tande, edhe krejt asht e jotja.

17 O Zoti jem, unë e di që ti e provon zemrën edhe të pëlqen kur njeriu asht i sinqertë. Me zemër të sinqertë i kom dhanë krejt qito sene vullnetarisht. Edhe po gëzohna shumë kur po e shoh popullin tand, që asht mbledhë këtu, tu t'i dhanë dhuratat vullnetarisht.

18 O Jehova, Zoti i të parëve tanë, Abrahamit, Isakut edhe Izraelit, ruaje përgjithmonë qit dëshirë edhe qito mendime në zemrat e popullit tand, edhe drejtoja zemrat kah ti.

19 Edhe djalit tem Solomonit jepja nji zemër krejt të përkushtume ndaj teje, që me i zbatu urdhnat e tua, përkujtimet e tua edhe rregullat e tua, me i kry krejt kto edhe me e ndërtu tempullin për të cilin i kom bo përgatitjet.”

20 Masanej Davidi i ka thanë krejt popullit të mbledhun: “Tash lavdone Jehovën, Zotin juv!” Atëherë krejt e kanë lavdu Jehovën, Zotin e të parëve të tyne. Jonë përkulë thellë para Jehovës edhe mbretit, edhe kanë ra me ftyrë për tokë para tyne.

21 Të nesërmen kanë vazhdu me i dhanë kurbane Jehovës edhe ia kanë ofru Jehovës kurbanet që digjeshin krejt: 1000 dema të ri, 1000 desh, 1000 qingja meshkuj edhe kurbanet e pijes që shkojshin bashkë me to. Për krejt Izraelin kanë ofru shumë kurbane.

22 Kanë hanger edhe kanë pi me gëzim të madh para Jehovës, edhe për herë të dytë e kanë shpallë Solomonin, djalin e Davidit, mbret. E kanë ly me vaj para Jehovës për me u bo udhëheqës, kurse Zadokun për me u bo prift.

23 Solomoni u ulë në fronin e Jehovës, në vend të babës së vet Davidit. Aj ka pasë sukses, edhe krejt izraelitët e kanë ngu.

24 Krejt burrat që ishin në krye, luftëtarët e fortë edhe krejt djemtë e mbretit David i janë nënshtru mbretit Solomon.

25 Jehova e ka bo Solomonin shumë të madh para syve të krejt Izraelit edhe i ka dhanë nji madhështi mbretnore që s'e ka pasë asnji mbret i Izraelit para tij.

26 Davidi, djali i Isait, ka sundu mbi krejt Izraelin.

27 Aj ka sundu 40 vjet mbi Izraelin. Në Hebron ka sundu 7 vjet, kurse në Jerusalem 33 vjet.

28 Aj ka arritë nji moshë të mirë edhe ka dekë mas nji jete të gjatë e të plotësume, me shumë pasuni edhe lavdi. Mas tij, djali i vet Solomoni e ka marrë vendin si mbret.

29 Krejt historia e mbretit David, pi fillimit deri në fund, asht shënu në shkrimet e Samuelit, që shihke vegime, të profetit Nathan edhe të Gadit, që shihke vegime.

30 Aty asht përshkru edhe krejt sundimi i tij, fuqia e tij edhe krejt qka kanë përjetu aj, Izraeli edhe krejt mbretnitë përreth në atë kohë.