Letra i dytë te Korintasve 1

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen



1 Pali, simas vullnetit të Zotit apostull i Krishtit Jezus, edhe vllau jonë Timoteu, kuvendit të Zotit në Korint edhe krejt të shenjtëve në mbarë Akaiën:

2 Ju urojmë mirësi të pameritume edhe paqe pi Zotit, Babës tonë, edhe pi Zotnisë Jezus Krisht.

3 Qoftë i lavdrum Zoti edhe Baba i Zotnisë tonë Jezus Krisht, Baba i dhimtës së thellë edhe Zoti i çdo ngushëllimi. 4 Aj na ngushëllon në krejt sprovat tona, që përmes ngushëllimit që e marrim pi Zotit, edhe na me mujt me i ngushëllu tjerët në çdo lloj sprove. 5 Se qysh vuajmë shumë për Krishtin, qashtu edhe përmes Krishtit marrim shumë ngushëllim. 6 Nëse na po kalojmë sprova, kjo po ndodh për ngushëllimin edhe shpëtimin juv. Edhe nëse po ngushëllohemi, kjo po ndodh për ngushëllimin juv. Ky ngushëllim ju ndihmon me i duru të njejtat vuajtje që i durojmë edhe na. 7 Shpresa jonë për ju asht e patundun, se e dimë mirë që, qysh po vuani bashkë me neve, qashtu edhe keni me u ngushëllu bashkë me neve.

8 Se nuk duam, vllazni, që ju me kon pa njohni për vështirësitë që i kemi kalu në provincën e Azisë. Kemi qenë nën presion shumë të madh, përtej fuqisë sonë, aq sa jemi tutë edhe për jetën tonë. 9 Po, e kemi pasë ndjenjën sikur e kishim marrë dënimin me vdekje. Kjo ka ndodhë që mos me pasë besim te vetja jonë, po te Zoti që i çon të dekunët pi vdekjes. 10 Aj na ka çliru pi nji rrezik kaq të madh vdekjeje, edhe ka me na çliru prapë. Te aj e kemi shpresën që ka me vazhdu me na çliru. 11 Edhe ju mundeni me na ndihmu, tu u lutë fort për neve. Atëherë shumë veta kanë me falënderu për neve, për mirësinë që na tregohet si përgjigje ndaj lutjeve të shumë vetave.

12 Se me qita po lavdrohemi: ndërgjegjja jonë dëshmon që në botë, e sidomos ndaj juve, jemi sjellë me shenjtëri edhe me çiltërsi që vjen pi Zotit, edhe që nuk jemi mbështetë në mençurinë e njerëzve, po në mirësinë e pameritume të Zotit. 13 Përnime, po ju shkrujmë veç për ato që mundeni me i lexu edhe me i kuptu, edhe shpresoj që keni me i kuptu plotësisht edhe ma tutje. 14 Se edhe ju, deri diku, e keni kuptu që mundeni me u lavdru me neve, qysh edhe na kemi me u lavdru me ju ditën e Zotnisë tonë Jezus.

15 Me qet besim, unë kom dashtë me ardh së pari te ju, që ju me pasë edhe nji rast të dytë për gëzim. 16 Se kom dashtë me ju vizitu rrugës për në Maqedoni, masanej pi Maqedonisë me u kthy prapë te ju, edhe ju me m’përcjellë pak rrugës për në Jude. 17 A mos kom qenë i pamend kur e kom pasë qet qëllim? Apo a planifikoj si njeri, që me thanë “Po, po” e masanej “Jo, jo”? 18 Po Zoti asht i besueshëm, që ajo që ju thojmë na nuk asht po e prapë jo. 19 Se Biri i Zotit, Jezus Krishti, që na, pra unë, Silvani edhe Timoteu, e kemi prediku mes juve, nuk u bo po e prapë jo, po në rastin e tij po-ja asht bo po. 20 Se sa do premtime të Zotit që janë, përmes tij janë bo po. Për qata edhe përmes tij i thuhet Zotit “Amin”, që i sjell lavdi atij përmes neve. 21 Po Zoti asht aj që garanton që ju edhe na i takojmë Krishtit, edhe aj na ka mirosë. 22 Aj na ka vu edhe vulën e vet, edhe na ka dhanë në zemër kaparin për atë që ka me ardh, domethanë Frymën.

23 Tash po e thirri Zotin si dëshmitar kundër meje, që unë hala s’kom ardh në Korint sepse po du me ju kursy. 24 Jo që na jemi zotnitë mbi besimin juv, po jemi bashkëpunëtorë për gëzimin juv, se ju po qëndroni përmes besimit tuaj.