Letra i dytë te Korintasve 3
1 A po ia nisim prapë me rekomandu veten? Apo mos na duhen, si disa njerëzve, letra rekomandimi për ju a pi ju? 2 Ju vetë jeni letra jonë, e shkrueme në zemrat tona, e njoftun pi krejt njerëzve edhe e lexume pi krejt. 3 Se asht e qartë që ju jeni letër e Krishtit, e shkrueme pi neve si shërbëtorë, jo me ngjyrë, po me Frymën e Zotit të gjallë, jo në pllaka guri, po në pllaka mishi, në zemra.
4 Qet besim te Zoti e kemi përmes Krishtit. 5 Jo që vetë jemi mjaft të aftë, sikur mujtim me ia llogaritë vetes diçka, po aftësia jonë vjen pi Zotit. 6 Po, aj na ka bo mjaft të aftë me kon shërbëtorë të nji besëlidhjeje të re, jo shërbëtorë të nji ligji të shkruem, po të Frymës. Se ligji i shkruem dënon me vdekje, kurse Fryma jep jetë.
7 Tash, nëse ligji që sjell vdekje, i gdhendun me shkronja në gurë, ka ardh me aq shumë lavdi, sa bijtë e Izraelit s’kanë mujt me ia kqyrë Moisiut ftyrën për shkak të lavdisë së ftyrës së tij, lavdi që ka pasë me u hjekë, 8 atëherë a nuk ka me ardh shërbimi i Frymës me lavdi edhe shumë ma të madhe? 9 Se nëse ligji që shërben për dënim ka qenë i lavdishëm, sa ma i lavdishëm ka me kon shërbimi i drejtësisë! 10 Po, edhe ajo që dikur ka qenë e lavdishme, e ka humbë lavdinë e vet për shkak të lavdisë shumë ma të madhe. 11 Se nëse ajo që ka pasë me u hjekë u soll me lavdi, sa ma e madhe ka me kon lavdia e asaj që mbetet.
12 Pasi e kemi qet shpresë, po flasim krejt hapun 13 edhe nuk po bojmë si Moisiu, që e mbuloi ftyrën me mbulesë, që bijtë e Izraelit mos me e kqyrë fundin e asaj që ka pasë me u hjekë. 14 Po mendjet e tyne janë mpirë. Se deri në ditën e sotme, e njejta mbulesë mbetet pa u hjekë kur lexohet besëlidhja e vjetër, sepse ajo hiqet veç përmes Krishtit. 15 Po, deri sot, sa herë që lexohet Moisiu, nji mbulesë rrin mbi zemrat e tyne. 16 Ama kur dikush kthehet kah Jehovai, mbulesa hiqet. 17 Jehovai tash asht Fryma, edhe ku asht Fryma e Jehovait, aty ka liri. 18 E na krejt, me ftyrë të pambulueme, po e pasqyrojmë si pasqyrë lavdinë e Jehovait dhe po ndryshohemi në të njejtën pamje, pi nji shkallë lavdie në tjetrën, tamam qysh ndodh përmes Jehovait, Frymës.