Letra i dytë te Korintasve 5

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen



1 Se e dimë: nëse shpija jonë tokësore, kjo çadër, rrënohet, kemi me marrë nji ndërtesë pi Zotit, nji shpi që s’asht e bome me duer, nji shpi t’amshume në qiell. 2 Se në qet shpi tokësore përnime po psherëtijmë, edhe po kemi shumë mall me e veshë shpinë tonë qiellore. 3 Kur ta veshim atë, nuk kemi me dalë të zhveshun. 4 Po, na që jemi në qet çadër, po psherëtijmë edhe jemi të randum, sepse nuk po duam me e zhveshë qit, po kemi qef me e veshë tjetrën, që ajo që asht e vdekshme me u përpi pi jetës. 5 Vetë Zoti na ka përgatitë tamam për qita. Aj na ka dhanë Frymën si kapar për atë që ka me ardh.

6 Pra, gjithmonë kemi besim të fortë edhe e dimë që, sa kohë jemi në trupin tonë si në shpi, jemi larg pi Zotnisë, 7 sepse jetojmë me besim, jo me atë që e shohim. 8 Ama kemi besim të fortë edhe ma shumë kishim pasë qef me kon larg pi trupit e në shpi te Zotnia. 9 Pra, a jemi në shpi te aj a larg pi tij, qëllim e kemi me kon të pranueshëm për të. 10 Se krejt na duhet me dalë para karrigës së gjykimit të Krishtit, që secili me marrë shpërblimin e vet simas asaj që ka bo kur ka qenë në trup, qoftë mirë a keq.

11 Pra, pasi e njohim tutën me respekt ndaj Zotnisë, po vazhdojmë me i bindë njerëzit, po Zoti na njeh. Shpresoj ama që edhe ndërgjegjja juv na njeh. 12 Nuk po e rekomandojmë prapë veten te ju, po po ju japim arsye me u lavdru për neve. Atëherë keni me mujt me ju dhanë përgjigje atyne që lavdrohen për pamjen përjashta, e jo për atë që asht në zemër. 13 Se nëse e kemi hupë mendjen, ajo ka qenë për Zotin. Po nëse jemi me mend t’shëndoshë, ajo asht për ju. 14 Se dashnia që e ka Krishti po na shtyn. Sepse kemi ardh në qet përfundim: nji njeri ka dekë për krejt, pra krejt kanë dekë. 15 Edhe aj ka dekë për krejt, që ata që jetojnë mos me jetu ma për veten, po për atë që ka dekë për ta edhe u çu pi t’dekunve.

16 Pra, pi tash e tutje nuk e shohim askon ma simas masave njerzore. Edhe nëse dikur e kemi pa Krishtin simas masave njerzore, tash nuk e shohim ma qashtu. 17 Prandaj, nëse dikush asht i lidhun me Krishtin, aj asht nji krijesë e re. E vjetra ka kalu. Kqyrni! Diçka e re ka ardhë. 18 Po krejt vjen pi Zotit, që përmes Krishtit na ka pajtu me veten edhe na e ka besu shërbimin e pajtimit, 19 domethanë, që Zoti përmes Krishtit po e pajtonte nji botë me veten, tu mos ua llogaritë shkeljet. Edhe neve na e ka besu mesazhin e pajtimit.

20 Pra, na jemi të dërgum në vend të Krishtit, sikur Zoti po ju bën thirrje njerëzve përmes neve. Po ju lusim në vend të Krishtit: “Pajtohuni me Zotin.” 21 Zoti e ka bo për neve mëkat atë që nuk ka njoft mëkat, që përmes tij na me u bo drejtësia e Zotit.