Letra i dytë te Korintasve 8

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen



1 Vllazni, po duam me ju kallxu edhe diçka për mirësinë e pameritume të Zotit që ju ka tregu kuvendeve në Maqedoni. 2 Në nji sprovë të randë plot vuajtje, gëzimi i tyne i madh edhe varfnia e tyne e thellë kanë bo që bujaria e tyne e jashtëzakonshme me vërshu. 3 Se ata kanë dhanë qka kanë mujtë, po, për qita mundem me dëshmu, edhe ma shumë se kanë mujtë. 4 Me vullnet të vet na kanë lutë fort prapë e prapë që me ju leju me marrë pjesë me dhurata dashnie në shërbimin e ndihmës për të shenjtët. 5 Edhe nuk kanë bo veç qka kemi shpresu na, po së pari ia kanë dhanë veten Zotnisë, e edhe neve, simas vullnetit të Zotit. 6 Për qata e kemi inkuraju Titin, që e ka nisë mbledhjen e dhuratave tuaja të dashnisë, që edhe me e kry deri në fund. 7 Ju i keni krejt senet me bollëk: besimin, fjalët, njohninë, krejt seriozitetin edhe dashninë pi neve. Për qata le të vërshojnë edhe dhuratat tuaja të dashnisë.

8 Nuk po jua thom qita si urdhën, po që me ju bo me kuptu seriozitetin e tjerëve edhe me e provu a asht e vërtetë dashnia juv. 9 Se ju e dini mirësinë e pameritume të Zotnisë tonë Jezus Krisht: edhe pse ka qenë i pasun, aj u bo i varfën për ju, që përmes varfnisë së tij ju me u bo të pasun.

10 Edhe për qet punë po e jap mendimin tem: kjo asht për t’mirën juv, sepse qysh para nji viti jo veç e keni nisë qet punë, po edhe e keni shprehë dëshirën për të. 11 Tash çone deri në fund atë që e keni nisë, edhe bone me të njejtën gatishmëri si përpara, simas mundësive tuaja. 12 Se nëse së pari ekziston gatishmëria, ajo asht sidomos e pranueshme kur përputhet me atë që dikush ka, jo me atë që s’e ka. 13 Se nuk po du që tjerëve me ju bo lehtë, e juve me ju bo randë. 14 Përkundrazi, me nji barazim, bollëku juv tash le ta mbulojë mungesën e tyne, që edhe bollëku i tyne me e mbulu mungesën tuaj, e kshtu me pasë barazim. 15 Se në Shkrime po shkrun: “Kush ka pasë shumë, nuk ka pasë tepër, edhe kush ka pasë pak, nuk ka pasë mangut.”

16 Falënderimi i takon Zotit, që i ka shti në zemër Titit të njejtin kujdes të sinqertë për ju qysh e kemi edhe na, 17 se aj e ka pranu inkurajimin, po për shkak të zellit të madh po vjen te ju me vullnet të vet. 18 Ama me të po e çojmë edhe vllaun që lavdrohet në krejt kuvendet lidhun me lajmin e mirë. 19 Jo veç qita, po kuvendet e kanë caktu edhe me kon shoqëruesi jonë në udhëtim, kur ta çojmë qet dhuratë dashnie për lavdi të Zotnisë edhe si dëshmi të gatishmërisë sonë me ndihmu. 20 Kshtu po e shmangim që dikush me pasë qka me na thanë lidhun me qet dhuratë bujare që po e çojmë. 21 Se po kujdesemi që krejt me shku ndershëm, jo veç para Jehovait, po edhe para njerëzve.

22 Përveç kësaj, me ta po e çojmë edhe vllaun tonë, që shpesh e kemi provu edhe që në shumë sene asht kallxu i zellshëm. Tash asht edhe ma i zellshëm, sepse ka besim shumë të madh te ju. 23 Po nëse del naj pyetje për Titin: aj asht shoku jem edhe bashkëpunëtor për t’mirën tuaj. E nëse ka pyetje për vllaznitë tanë: ata janë të dërgum të kuvendeve edhe i japin lavdi Krishtit. 24 Për qata, kallxojuni dashninë tuaj edhe tregojuni kuvendeve pse jemi krenarë për ju.