Letra i dytë te Pjetrit 1

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen



1 Simon Pjetri, rob edhe apostull i Jezu Krishtit, atyne që përmes drejtësisë së Zotit tonë edhe Shpëtimtarit Jezu Krisht kanë marrë nji besim po aq të çmueshëm sa i yni:

2 Mirësia e pameritume edhe paqja ju shtofshin gjithnjë e ma shumë përmes njohurisë së saktë për Zotin edhe për Zotninë tonë Jezus. 3 Sepse fuqia e tij hyjnore na ka dhanë krejt qka na duhet për jetë edhe për me jetu të përkushtum ndaj Zotit, përmes njohurisë së saktë për Atë që na ka thirrë me lavdinë edhe virtytin e vet. 4 Në harmoni me këtë, aj na ka dhanë premtime të çmueshme e madhështore, që përmes tyne ju me pasë pjesë në natyrën hyjnore, pasi keni ikë pi prishjes së botës që ka ardhë pi dëshira e shtrembët.

5 Për qata, jepni krejt mundin me i shtu besimit tuej virtyt, virtytit njohuri, 6 njohurisë vetëpërmbajtje, vetëpërmbajtjes qëndrueshmëri, qëndrueshmërisë përkushtim ndaj Zotit, 7 përkushtimit ndaj Zotit dashni vllaznore, dashnisë vllaznore dashni. 8 Sepse nëse krejt këto janë në ju edhe teprojnë, nuk keni me qenë as të papunë, as pa fryt në njohurinë e saktë për Zotninë tonë Jezu Krisht.

9 Kush nuk i ka krejt këto, asht i verbët. Aj i mbyll sytë para dritës edhe ka harru që asht pastru pi gjynahet e veta të mëparshme. 10 Prandaj, vllazën, mundohuni edhe ma shumë që me e bo të sigurt thirrjen edhe zgjedhjen tuej. Nëse vazhdoni me i bo krejt këto, kurrë s’keni me u rrëzu. 11 Po, qashtu ka me ju dhanë bujarisht hymje në mbretninë e përjetshme të Zotnisë edhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht.

12 Për qata, e kam ndërmend me ju kujtu gjithmonë për këto sene, edhe pse veç i dini edhe jeni të forcuem në të vërtetën që asht në ju. 13 E shoh të drejtë me ju zgju përmes kujtimeve, sa të jem në këtë çadër. 14 Sepse e di që së shpejti kam me e lanë çadrën teme, qysh ma ka bo të qartë edhe Zotnia jonë Jezu Krisht. 15 Gjithmonë kam me bo krejt qka muj, që ju vetë me mujtë me i kujtu krejt këto, kur unë s’kam me qenë ma aty.

16 Na nuk jua kemi bo të njohun fuqinë edhe praninë e Zotnisë tonë Jezu Krisht tu u mbështetë në tregime të pavërteta, të shpikuna me dredhi. Jo, na e kemi pa me sytë tanë madhështinë e tij të lavdishme. 17 Sepse Zoti, Ati, i dha nder edhe lavdi, kur pi lavdia madhështore ju drejtun këto fjalë: „Ky asht Biri jem, Biri jem i dashtun, me të cilin unë vetë jom i kënaqun.“ 18 Po, këto fjalë erdhën pi qielli, edhe na i nimë kur ishim me të në malin e shenjtë.

19 Prandaj kemi edhe ma shumë besim në fjalët profetike, edhe mirë boni nëse ju kushtoni vëmendje, si nji llampe që ndriçon në nji vend të errët, derisa të zbardhë dita edhe ylli i ditës të lindë në zemrat tueja. 20 Sepse mbi krejt, duhet ta dini këtë: asnji profeci e Shkrimeve të Shenjta nuk vjen pi ndonji shpjegim personal. 21 Sepse profecitë kurrë nuk kanë ardhë pi njeriu, po njerzt kanë folë pi Zotit, ashtu qysh i ka udhëheqë fryma e shenjtë.