Letra i parë te Gjonit 4
1 Të dashtun, mos i besoni çdo fjale të frymëzume, po sprovojini fjalët e frymëzume, për me pa a vijnë pi Zoti, sepse shumë pejgamberë të rremë kanë dalë në botë.
2 Me këtë e dalloni që nji fjalë e frymëzume vjen pi Zoti: çdo fjalë e frymëzume që e pranon se Jezu Krishti ka ardhë si njeri, vjen pi Zoti. 3 Po çdo fjalë e frymëzume që nuk e pranon Jezusin, nuk vjen pi Zoti. Kjo asht fjala e frymëzume e antikrishtit, për të cilën keni ni që po vjen, edhe ajo veç asht në botë.
4 Ju vini pi Zoti, fmi të dashtun, edhe i keni mposhtë pejgamberët e rremë, sepse Aj që asht i lidhun me ju asht ma i madh se aj që asht i lidhun me botën. 5 Ata vijnë pi bota. Për qata ajo që thojnë vjen pi bota, edhe bota i ngon. 6 Na vijmë pi Zoti. Kush e njeh Zotin, na ngon neve. Kush nuk vjen pi Zoti, nuk na ngon. Qashtu e dallojmë fjalën e frymëzume të së vërtetës pi fjalës së frymëzume të mashtrimit.
7 Të dashtun, le të vazhdojmë me e dashtë njani-tjetrin, sepse dashnia vjen pi Zoti, edhe secili që don, ka lindë pi Zoti edhe e njeh Zotin. 8 Kush nuk don, nuk e ka njoftë Zotin, sepse Zoti asht dashni. 9 Me këtë u pa qartë dashnia e Zotit për neve: Zoti e dërgoi Birin e vet të vetëmlindun në botë, që na me marrë jetë përmes tij. 10 Dashnia qëndron këtu: jo që na e kemi dashtë Zotin, po që aj na ka dashtë neve edhe e ka dërgu Birin e vet si kurban pajtimi për gjynahet tona.
11 Të dashtun, nëse Zoti na ka dashtë kështu, atëherë edhe na e kemi për detyrë me e dashtë njani-tjetrin. 12 Kërkush s’e ka pa kurrë Zotin. Nëse vazhdojmë me e dashtë njani-tjetrin, Zoti mbetet në neve, edhe dashnia e tij bohet e plotë në neve. 13 Me këtë e dimë që mbesim të lidhun me të, edhe aj me neve: sepse na ka dhanë frymën e vet. 14 Përveç kësaj, na vetë kemi pa edhe dëshmojmë që Ati e ka dërgu Birin e vet si Shpëtimtar të botës. 15 Kush e pranon që Jezusi asht Biri i Zotit, Zoti mbetet i lidhun me të, edhe aj me Zotin. 16 Edhe na e kemi njoftë dashninë që Zoti e ka për neve, edhe besojmë në të.
Zoti asht dashni, edhe kush mbetet në dashni, mbetet i lidhun me Zotin, edhe Zoti me të. 17 Në këtë mënyrë dashnia asht bo e plotë në neve, që në ditën e gjykimit me pasë guxim, sepse qysh asht Jezu Krishti, qashtu jemi edhe na në qit botë. 18 Në dashni s’ka frikë, po dashnia e plotë e përzan frikën, sepse frika na paralizon. Po, kush ka frikë, nuk asht bo i plotë në dashni. 19 Na duam, sepse aj na ka dashtë i pari.
20 Nëse dikush thotë: „E du Zotin“, po e urren vllaun e vet, aj asht rrenacak. Sepse kush nuk e don vllaun e vet që e ka pa, nuk mundet me e dashtë Zotin që s’e ka pa. 21 Edhe këtë urdhën e kemi marrë pi tij: kush e don Zotin, duhet me e dashtë edhe vllaun e vet.