Letra i parë te Gjonit 5
1 Secili që beson se Jezusi asht Krishti, ka lindë pi Zoti. Edhe secili që e don Atë që e ka bo me lindë, e don edhe atë që ka lindë pi Tij. 2 Me këtë e dimë që i dojmë fmitë e Zotit: kur e dojmë Zotin edhe i mbajmë urdhnimet e tij. 3 Sepse dashnia për Zotin qëndron në këtë: me i mbajtë urdhnimet e tij, edhe urdhnimet e tij nuk janë të randa. 4 Sepse secili që ka lindë pi Zoti, e mposht botën. Edhe kjo asht fuqia fitimtare që e ka mposhtë botën: besimi jonë.
5 Kush mundet me e mposhtë botën? A nuk asht aj që beson se Jezusi asht Biri i Zotit? 6 Ky asht aj që ka ardhë përmes ujit edhe gjakut, Jezu Krishti, jo veç me ujin, po me ujin edhe me gjakun. Edhe fryma dëshmon, sepse fryma asht e vërteta. 7 Sepse janë tre dëshmitarë: 8 fryma, uji edhe gjaku. Edhe këta tre janë në pajtim.
9 Na e pranojmë dëshminë e njerzve, po dëshmia e Zotit asht ma e madhe. Sepse kjo asht dëshmia e Zotit: ajo që aj ka dëshmu për Birin e vet. 10 Kush beson në Birin e Zotit, e mban dëshminë në veti. Kush nuk i beson Zotit, e ka bo atë rrenacak, sepse nuk i ka besu asaj që Zoti ka dëshmu për Birin e vet. 11 Edhe dëshmia qëndron në këtë: Zoti na ka dhanë jetë t’amshume, edhe kjo jetë asht në Birin e tij. 12 Kush asht i lidhun me Birin, e ka këtë jetë. Kush nuk asht i lidhun me Birin e Zotit, nuk e ka këtë jetë.
13 Krejt këto po jau shkruj që ta dini se keni jetë t’amshume, ju që besoni në emnin e Birit të Zotit. 14 Edhe qit besim e kemi te aj: Zoti na ngon, çkado që kërkojmë në pajtim me vullnetin e tij. 15 Edhe nëse e dimë që aj na ngon, për çkado që kërkojmë, atëherë e dimë edhe që kemi me e marrë atë që e kemi kërku, sepse ja kemi kërku atij.
16 Nëse dikush e sheh vllaun e vet tu bo nji gjynah që nuk çon në vdekje, le të lutet, edhe Zoti ka me i dhanë jetë atij, po, atyne që nuk bojnë gjynah që çon në vdekje. Ka nji gjynah që çon në vdekje. Nuk po i thom që duhet me u lutë për nji gjynah të tillë. 17 Çdo padrejtësi asht gjynah, po ka gjynah që nuk çon në vdekje.
18 Na e dimë që secili që ka lindë pi Zoti, nuk vazhdon me bo gjynah, po Aj që ka lindë pi Zoti e ruen atë, edhe i Keqi s’mundet me i bo kurgjo. 19 Na e dimë që vijmë pi Zoti, po krejt bota asht nën pushtetin e të Keqit. 20 Po na e dimë që Biri i Zotit ka ardhë, edhe na ka dhanë kuptim, që ta njohim Atë të Vërtetin. Edhe jemi të lidhun me Atë të Vërtetin përmes Birit të tij, Jezu Krishtit. Ky asht Zoti i vërtetë edhe jeta t’amshume. 21 Fmi të dashtun, ruhi pi idhujve!