Letra i parë te Korintasve 14

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen



1 Ndiqne dashninë, ama vazhdoni me u mundu edhe për dhuratat e Frymës, sidomos që me mujt me profetizu. 2 Se kush fol në nji gjuhë, nuk ju fol njerëzve, po Zotit, se kurrkush s’e ngon, edhe pse përmes Frymës i shpreh fshehtësi të shenjta. 3 Kurse kush profetizon, i ndërton, i jep zemër edhe i ngushëllon njerëzit me qka thotë. 4 Kush fol në nji gjuhë e ndërton veten, po kush profetizon e ndërton kuvendin. 5 Kisha pasë qef që krejt ju me folë në gjuhë, ama edhe ma shumë kisha pasë qef që ju me profetizu. Po, kush profetizon asht ma i madh se aj që fol në gjuhë, përveç nëse aj edhe e përkthen, që kuvendi me u ndërtu. 6 Ta zamë tash, vllazni, që unë vij te ju edhe ju foli në gjuhë, qka të mire ju kisha bo, nëse nuk ju kisha përcjellë naj zbulim, naj njohni, naj profeci a naj mësim?

7 Asht qysh me senet pa jetë që lëshojnë za, si fylli a harpa. Nëse nuk ka dallim mes tingujve, qysh ka me u ditë qka po luhet në fyll a në harpë? 8 Edhe nëse pi borisë del nji sinjal i paqartë, kush ka me u bo gati për luftë? 9 Qashtu asht edhe me ju: nëse me gjuhën tuaj nxirrni fjalë që nuk kuptohen lehtë, qysh ka me u ditë qka po thuhet? Përnime keni me folë në ajër. 10 Në botë ka shumë lloje të folmesh, edhe asnjona s’asht pa kuptim. 11 Pra, nëse nuk e kuptoj kuptimin e asaj që thuhet, për atë që fol unë jom i huj, edhe aj që fol për mu asht i huj. 12 Qashtu asht edhe me ju. Meqë po mundoheni me zjarr për dhuratat e Frymës, mundohuni me i pasë me bollëk dhuratat që e ndërtojnë kuvendin.

13 Për qata, kush fol në nji gjuhë, le të lutet që me mujt me e përkthy. 14 Se nëse unë lutem në nji gjuhë, atëherë dhurata jeme e Frymës lutet, po mendja jeme nuk jep fryt. 15 Qka duhet me bo pra? Ka me u lutë me dhuratën e Frymës, po ka me u lutë edhe me mendjen teme. Ka me knu kangë lavdie me dhuratën e Frymës, po ka me knu kangë lavdie edhe me mendjen teme. 16 Se nëse ti e lavdon Zotin me nji dhuratë të Frymës, qysh ka me thanë “Amin” nji njeri i zakonshëm mes juve për falënderimin tand, kur aj nuk e din qka po thua? 17 Ti vërtet po falënderon në mënyrë shumë të mirë, po tjetri nuk po ndërtohet. 18 E falënderoj Zotin që foli në ma shumë gjuhë se krejt ju. 19 Megjithatë, në kuvend ma mirë i kisha folë 5 fjalë me mendjen teme, që me i mësu edhe tjerët, se 10 000 fjalë në nji gjuhë.

20 Vllazni, mos u boni fëmijë të vegjël në kuptim, po për të keqen jini si fëmijë të vegjël. Në kuptim bonuni të rritun. 21 Në Ligj po shkrun: “Me gjuhët e të hujve edhe me buzët e të panjoftunve ka me i folë qitij populli, ama as atëherë nuk kanë me m’ngu”, thotë Jehovai. 22 Pra, gjuhët nuk janë shenjë për besimtarët, po për ata që s’besojnë, kurse profetizimi nuk asht për ata që s’besojnë, po për besimtarët. 23 Nëse pra krejt kuvendi mblidhet në nji ven, edhe krejt flasin në gjuhë, e hyjnë mrena njerëz të zakonshëm a ata që s’besojnë, a nuk kanë me thanë që ju ka lujtë mendja? 24 Po nëse krejt profetizoni, edhe hyn mrena nji njeri që s’beson a nji njeri i zakonshëm, aj qortohet pi qka thoni ju edhe gjykohet saktë. 25 Atëherë ka me dalë sheshit qka ka të msheftë në zemrën e tij, kshtu që aj ka me ra përmbys, ka me adhuru Zotin edhe ka me pranu: “Zoti përnime asht mes juve.”

26 Qka duhet me bo pra, vllazni? Kur mblidheni bashkë, njoni ka nji psalm, tjetri ka nji mësim, tjetri ka nji zbulim, tjetri fol në nji gjuhë, e prapë nji tjetër ka përkthim. Krejt le të bohet që ju me u ndërtu. 27 Nëse dikush fol në nji gjuhë, le të kufizohet në dy a ma së shumti tre veta, edhe nji nga nji. Edhe dikush le ta përkthejë. 28 Po nëse nuk ka aty kush e përkthen, aj le të rrinë pa folë në kuvend edhe le t’i folë vetes edhe Zotit. 29 Pi profetëve le të flasin dy a tre, kurse të tjerët le ta shqyrtojnë qka do me thanë. 30 Po nëse nji tjetrit që rrin ulun i vjen nji zbulim, atëherë i pari që po fol le të pushojë. 31 Se krejt ju mundeni me profetizu nji nga nji, që krejt me mësu diçka edhe me marrë zemër. 32 Profetët duhet me e majt veten nën kontroll kur i përdorin dhuratat e Frymës. 33 Se Zoti nuk asht Zot i rrëmujës, po i paqes.
Qysh në krejt kuvendet e të shenjtëve 34 gratë le të rrinë pa folë në kuvende, se nuk ju lejohet me folë. Përkundrazi, le të nënshtrohen, qysh thotë edhe Ligji. 35 Nëse dojnë me mësu diçka, le t’i pyesin burrat e vet në shpi, se nuk i ka hije grues me folë në kuvend.

36 A mos ka dalë fjala e Zotit pi ju, a mos ka mbërri veç te ju?

37 Nëse dikush mendon që asht profet a që ka dhuratë të Frymës, le ta pranojë që qka po ju shkruj asht urdhën i Zotnisë. 38 Po nëse dikush e shpërfill qita, edhe aj ka me u shpërfillë. 39 Pra, vllaznitë e mi, vazhdoni me u mundu për me profetizu, ama mos e ndaloni të folnit në gjuhë. 40 Veç le të bohet gjithçka me hije edhe me rregull.