Letra i parë te Korintasve 8

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen



1 Tash për ushqimet që u janë bo kurban idhujve: na e dimë që krejt kemi njohni. Njohnia e fryn njeriun, po dashnia e ndërton. 2 Nëse dikush mendon që ka njoft diçka, hala nuk e ka njoft qysh duhet me e njoft. 3 Po nëse dikush e don Zotin, aj asht i njoftun pi tij.

4 Tash për me hangër ushqime që u janë bo kurban idhujve, na e dimë që nji idhull në botë s’asht kurgjo, edhe që s’ka Zot tjetër përveç nji. 5 Se edhe nëse ka të ashtuqujtun zota, qoftë në qiell a në tokë, qysh ka shumë “zota” edhe shumë “zotni”, 6 për neve prapë ka veç nji Zot, Babën, pi të cilit janë krejt senet, edhe na jemi për të. Edhe ka veç nji Zotni, Jezus Krishtin, përmes të cilit janë krejt senet, edhe na jemi përmes tij.

7 Ama jo krejt e kanë qet njohni. Disa, që ma herët kanë pasë lidhje me idhuj, atë që e hanë e shohin si kurban për idhuj, edhe ndërgjegjja e tyne, që asht e dobët, flliqet. 8 Po ushqimi nuk na afron ma shumë te Zoti. Nëse nuk hamë, s’kemi kurrfarë humbje, edhe nëse hamë, s’kemi kurrfarë fitimi. 9 Ama gjithmonë kini kujdes që e drejta juv me zgjedhë mos me u bo disi pengesë që i rrëzon të dobëtit. 10 Se ta zamë, nëse dikush të sheh ty, që ke njohni, tu hangër në tempull të idhujve, a nuk ka me u ndiku ndërgjegjja e atij të dobët deri aty sa me hangër ushqime që u janë bo kurban idhujve? 11 Kshtu, për shkak të njohnisë tande, i dobëti shkon drejt shkatërrimit, vllau yt, për të cilin Krishti ka dekë. 12 Kur ju boni gjynah në qit mënyrë kundër vllaznive tuaj edhe ia lëndoni ndërgjegjjen e dobët, atëherë po boni gjynah kundër Krishtit. 13 Për qata, nëse ushqimi e shtyn vllaun tem me u rrëzu, kurrë ma s’kam me hangër mish, që mos me e shty vllaun tem me u rrëzu.