Letra i parë te Tesaloniqsve 2

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen



1 Vllazën, qysh e dini mirë edhe vetë, vizita jonë te ju nuk ka qenë pa rezultat. 2 Sepse edhe pse, qysh e dini, ma përpara vuajtëm edhe u trajtum pa fije respekti në Filipi, me ndihmën e Zotit tonë morëm guxim me ju folë për lajmin e mirë të Zotit, edhe pse kishte kundërshtim të madh. 3 Sepse nxitja që e japim nuk vjen pi naj gabim, as pi naj papastërti, edhe s’ka lidhje me mashtrim. 4 Përkundrazi, Zoti na ka pa si të përshtatshëm dhe na e ka besu lajmin e mirë, prandaj po flasim, jo për me ju pëlqy njerzve, po Zotit, që i sprovon zemrat tona.

5 Ju e dini mirë që kurrë nuk kemi përdorë fjalë lajkatare, as nuk kemi dashtë me kriju naj përshtypje të rreme pi lakmia. Zoti asht dëshmitar! 6 As nuk kërkuam nder pi njerzt, as pi ju, as pi të tjerët, edhe pse si apostuj të Krishtit kishim mujtë me qenë barrë financiare për ju. 7 Përkundrazi, kur ishim te ju, u bamë të butë si nji nanë që e ushqen fminë me gji edhe kujdeset me dashni për fmitë e veta. 8 Pra, masi kishim dashni të thellë për ju, ishim të vendosun me ju dhanë jo vetëm lajmin e mirë të Zotit, po edhe vetë jetën tonë, sepse kaq të dashtun na u botë.

9 Vllazën, me siguri ju kujtohet puna jonë e randë edhe mundi ynë. Kur jau predikuam lajmin e mirë të Zotit, punuam ditë e natë, që mos me qenë barrë financiare për asnjonin pi jush. 10 Ju jeni dëshmitarë, edhe Zoti asht, qysh jemi sjellë me besnikëri, drejtësi edhe pa të metë ndaj jush, besimtarëve. 11 Ju e dini shumë mirë që vazhdimisht ju kemi nxitë, ju kemi ngushëllu edhe ju kemi folë me zemër, qysh nji babë me fmitë e vet, 12 që të vazhdoni me jetu në mënyrë të denjë për Zotin, që po ju thërret në mbretninë e tij edhe në lavdinë e tij.

13 Po, për këtë arsye edhe e falënderojmë Zotin vazhdimisht. Sepse kur e dëgjuat fjalën e Zotit pi neve, nuk e pranuat si fjalë njerzish, po si ajo që asht përnime, si fjala e Zotit, që po vepron edhe në ju, besimtarët. 14 Vllazën, ju morët shembull pi kongregacionet e Zotit në Jude, që janë të lidhuna me Krishtin Jezus, sepse ju duruat pi bashkëkombasit tuej të njejtat sene që edhe ata i duruan pi Judenjtë. 15 Këta e mbytën edhe Zotninë Jezus edhe pejgamberët, edhe na përndoqën. Përveç kësaj, nuk i pëlqejnë Zotit, po veprojnë kundër interesave të krejt njerzve, 16 kur mundohen me na ndalu me ju folë njerzve pi kombet tjera, që ata me u shpëtu. Kështu vazhdimisht e mbushin masën e gjynaheve të veta. Po zemërimi i tij në fund ka ardhë mbi ta.

17 Vllazën, kur u ndamë pi ju — veç për pak kohë edhe veç me trup, jo në zemër — u munduam me çdo forcë me ju pa personalisht, sepse kishim shumë mall për ju. 18 Për këtë arsye deshtëm me ardhë te ju, po, unë, Pavli, u mundova jo veç nji herë, po dy herë, ama Satani na e preu udhën. 19 Sepse cila asht shpresa jonë, gëzimi ynë a kurora për të cilën krenohemi para Zotnisë tonë Jezus gjatë pranisë së tij? A nuk jeni ju? 20 Pa dyshim, ju jeni lavdia edhe gëzimi ynë.