Letra i parë te Tesaloniqsve 5

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen



1 Sa për kohët edhe periudhat, vllazën, nuk ka nevojë me ju shkru kurgjo. 2 Sepse ju vetë e dini shumë mirë që dita e Jehovajt vjen qysh vjen hajni natën. 3 Kurdo që thojnë: „Paqe edhe siguri!“, atëherë shkatërrimi ka me ju ardhë papritmas, qysh dhimbjet e lindjes i vijnë nji gruaje shtatzanë, edhe kurrsesi s’kanë me ikë. 4 Po ju, vllazën, nuk jeni në errësinë, që ajo ditë me ju zanë në befasi qysh drita e ditës i zen hajnat. 5 Sepse ju krejt jeni bij të dritës edhe bij të ditës. Na nuk i takojmë as natës, as errësinës.

6 Prandaj mos të vazhdojmë me fjetë si njerzt tjerë, po le të rrimë zgjuet edhe me mendje të kthjellët. 7 Sepse ata që flejnë, flejnë natën, edhe ata që dehen, dehen natën. 8 Po na që i takojmë ditës, le të rrimë me mendje të kthjellët, ta veshim parzmoren e besimit edhe të dashnisë, edhe ta kemi si helmetë shpresën e shpëtimit. 9 Sepse Zoti nuk na ka caktu me e përjetu zemërimin e tij, po me u shpëtu përmes Zotnisë tonë Jezu Krisht. 10 Aj ka vdekë për neve, që, a rrimë zgjuet a flejmë, të jetojmë bashkë me të. 11 Prandaj vazhdoni me i dhanë zemër njani-tjetrit edhe me e ndërtu njani-tjetrin, qysh edhe po e boni.

12 Tash po ju lutemi, vllazën, me tregu respekt për ata që punojnë randë mes jush, që ju udhëheqin në Zotninë edhe që ju nxisin me seriozitet, 13 edhe për shkak të punës së tyne me ju tregu nder të veçantë e me i dashtë. Mbani paqe mes veti. 14 Po ju lutemi fort, vllazën, paralajmëroni ata që sillen pa rregull, ngushëlloni të dëshpërumit, përkrahni të dobëtit edhe kini durim me krejt. 15 Kini kujdes që askush mos t’ia kthejë të keqen me të keqe dikujt, po gjithmonë mundohuni me bo mirë ndaj njani-tjetrit edhe ndaj krejt të tjerëve.

16 Gëzohuni gjithmonë. 17 Lutuni pa pushim. 18 Falënderoni për gjithçka. Ky asht vullneti i Zotit për ju në Krishtin Jezus. 19 Mos e shuani zjarrin e frymës. 20 Mos i përbuzni profecitë. 21 Sprovoni gjithçka. Mbahuni fort te e mira. 22 Largohuni pi çdo lloj të keqeje.

23 Vetë Zoti i paqes ju shenjtëroftë plotësisht. Fryma, shpirti edhe trupi juej, vllazën, u rujtshin në çdo pikëpamje të shëndoshë edhe pa të metë gjatë pranisë së Zotnisë tonë Jezu Krisht. 24 Aj që ju thërret asht besnik, edhe patjetër ka me e bo këtë.

25 Vllazën, vazhdoni me u lutë për neve.

26 Përshëndetni krejt vllaznit me puthje të shenjtë.

27 Po ju detyroj solemnisht para Zotnisë që kjo letër t’ju lexohet krejt vllaznive.

28 Mirësia e pameritume e Zotnisë tonë Jezu Krisht qoftë me ju.