Libri i dytë i Musës 1
1 Këta jonë emnat e djemve të Izraelit që kanë ardhë me Jakobin në Egjipt, secili bashkë me familjen e vet:
2 Rubeni, Simeoni, Levi edhe Juda,
3 Isakari, Sebuloni edhe Benjamini,
4 Dani edhe Naftali, Gadi edhe Asheri.
5 Jakobi i ka pasë gjithsej 70 pasardhës. Jozefi veç u konë në Egjipt.
6 Në fund, Jozefi ka dekë, e kanë dekë edhe vllaznitë e tij edhe krejt ata të atij brezi.
7 Izraelitët kanë lindë shumë fëmijë edhe kanë fillu me u shtu fort. Jonë ba gjithnjë e ma shumë edhe jashtëzakonisht të fortë, sa e kanë mbushë krejt vendin.
8 Pastaj në Egjipt ka ardhë në pushtet nji mbret i ri, që s’e ka njoftë Jozefin.
9 Aj i ka thanë popullit të vet: «Populli i Izraelit ka ma shumë njerëz edhe asht ma i fortë se na.
10 Duhet me vepru me mençuri ndaj tyne, se përndryshe kanë me u shtu edhe ma shumë. E nëse nis nji luftë, kanë me u bashku me armiqtë tonë, kanë me luftu kundër neve edhe kanë me u largu pi vendit.»
11 Atëherë egjiptianët kanë caktu mbikëqyrës mbi izraelitët, për me i shtypë me punë të detyrueshme. Izraelitët kanë ndërtu për faraonin qytete ku ruheshin furnizimet, Pitomin edhe Ramsesin.
12 Po sa ma shumë i shtypnin, aq ma shumë shtoheshin edhe përhapeshin, sa egjiptianët kanë fillu me u tmerru pi izraelitëve.
13 Prandaj egjiptianët i kanë detyru izraelitët me ba punë të randë si skllevër.
14 Ua kanë ba jetën shumë të vështirë me punë të randë. Izraelitët janë detyru me punu me llaç balte edhe tulla, edhe me u mundu me gjithfarë pune skllavërie në ara. Po, i kanë detyru me ba çdo lloj pune si skllevër, në kushte shumë të vështira.
15 Nji ditë, mbreti i Egjiptit u ka thanë mamive hebreje, Shifrës edhe Puas:
16 «Kur i ndihmoni gratë hebreje me lindë edhe i shihni në karrigen e lindjes, nëse fëmija asht djalë, vrajeni. Po nëse asht vajzë, lëreni gjallë.»
17 Po mamitë kanë pasë frikë e respekt për Zotin e vërtetë edhe s’e kanë zbatu urdhnin e mbretit të Egjiptit, po i kanë lanë djemtë gjallë.
18 Mbas nji kohe, mbreti i Egjiptit i ka thirrë mamitë edhe u ka thanë: «Pse i keni lanë djemtë gjallë?»
19 Mamitë i kanë thanë faraonit: «Gratë hebreje s’jonë si gratë egjiptiane. Ato jonë të forta edhe i lindin fëmijët para se me mujtë mamia me ardhë te to.»
20 Atëherë Zoti ka ba që mamive me iu shku mirë, edhe populli asht shtu gjithnjë e ma shumë edhe u ba shumë i fortë.
21 E për shkak se mamitë kanë pasë frikë e respekt për Zotin e vërtetë, ma vonë aj u ka dhanë edhe atyne familje.
22 Në fund, faraoni e ka urdhnu krejt popullin e vet: «Çdo djalë të porsalindun të hebrenjve gjujeni në lumin Nil, po krejt vajzat lërini gjallë!»