Libri i dytë i Musës 10

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Atëherë Jehovai i tha Moisiut: „Shko te faraoni, se unë e kom lanë zemrën e tij edhe zemrat e shërbëtorëve të tij me u ngurtësu, që unë me i ba këto shenja mu para tij,

2 edhe që ti me mujt me ju kallxu djemve edhe nipave tu qysh kom vepru rreptë me Egjiptin edhe qfarë shenjash kom ba te egjiptianët. Edhe ju pa dyshim keni me e ditë që unë jom Jehovai.“

3 Atëherë Moisiu edhe Aaroni kanë shku te faraoni edhe i kanë thanë: „Jehovai, Zoti i hebrenjve, ka thanë: ‘Deri kur ki me refuzu me m’u nënshtru mu? Lëshoje popullin tem me shku, që me mujt me m’shërby.

4 Se nëse vazhdon me refuzu me e lëshu popullin tem, nesër kom me çu karkaleca në vendin tand.

5 Ata kanë me e mbulu krejt sipërfaqen e tokës, sa që s’ka me u pa ma toka. Kanë me e hangër krejt qka i ka shpëtu breshnit edhe qka ju ka mbetë juve. Kanë me i hangër edhe krejt drujtë që ju rriten nëpër fusha.

6 Shpia jote, shpitë e krejt shërbëtorëve tu edhe krejt shpitë në Egjipt kanë me u mbushë plot me karkaleca, aq shumë sa as baballarët e as gjyshat tu s’kanë pa najherë diçka të tillë në këtë vend, deri sot.’“ Mas këtyne fjalëve, Moisiu u kthy edhe u largu pi faraonit.

7 Atëherë shërbëtorët e faraonit i kanë thanë: „Deri kur ky njeri ka me na rreziku? Lëshoji burrat me shku, që me i shërby Jehovait, Zotit të tyne. A hala s’po e sheh që Egjipti u shkatërru?“

8 Atëherë Moisiun edhe Aaronin i kanë pru prapë te faraoni, e aj u ka thanë: „Shkoni, shërbejini Jehovait, Zotit tuj. Po kush pi juve ka me shku?“

9 Moisiu i tha: „Kena me shku krejt, të rijtë edhe të vjetrit tanë, djemtë edhe çikat tona, bashkë me delet edhe gjedhët tona, se kena me mbajtë nji festë për Jehovain.“

10 Faraoni u tha: „Nëse ju lëshoj najherë juve edhe fëmijët tuj me shku, atëherë Jehovai përnime asht me ju! Po shihet qartë që keni qëllime të këqija.

11 Jo! Veç burrat tuj munden me shku edhe me i shërby Jehovait, se këtë e keni kërku.“ Mas këtyne fjalëve, faraoni ka urdhnu me i qitë jashtë.

12 Pastaj Jehovai i tha Moisiut: „Shtrije dorën mbi Egjipt, që karkalecat me ardhë në vend edhe me e hangër krejt gjelbërimin, krejt qka ka mbetë mas breshnit.“

13 Menjëherë Moisiu e ka shtri shkopin e vet mbi Egjipt, e Jehovai ka ba që nji erë pi lindja me fry mbi vend krejt ditën edhe krejt natën. Kur ka ardhë mëngjesi, era pi lindja i ka pru karkalecat.

14 Karkalecat e kanë mbulu krejt Egjiptin edhe janë ulë gjithkah nëpër vend. Gjendja u konë shumë e randë. Kurrë ma përpara s’ka pasë kaq shumë karkaleca, e as kurrë ma s’ka me pasë aq shumë.

15 E kanë mbulu krejt sipërfaqen e tokës, e toka u konë krejt e zezë pi karkalecave. I kanë hangër krejt bimët që rriteshin në vend edhe krejt frytat nëpër druj që i kishin shpëtu breshnit. Në krejt Egjiptin s’ka mbetë kurgjo e gjelbër, as në druj e as nëpër bimë.

16 Faraoni i ka thirrë shpejt Moisiun edhe Aaronin te vetja edhe u ka thanë: „Kom ba gjynah kundër Jehovait, Zotit tuj, edhe kundër juve.

17 Tash, ju lutna, ma falni këtë gjynah, veç kësaj here, edhe lutjuni Jehovait, Zotit tuj, që veç me ma hjekë këtë të keqe që po sjell vdekje.“

18 Atëherë Moisiu ka dalë pi faraonit edhe i asht lutë Jehovait.

19 Pastaj Jehovai e ka ndërru drejtimin e erës edhe e ka ba nji erë shumë të fortë pi perëndimi. Era i ka marrë karkalecat edhe i ka çu në Detin e Kuq. Në krejt Egjiptin s’ka mbetë as edhe nji karkalec i vetëm.

20 Po Jehovai e ka lanë zemrën e faraonit me u ngurtësu, e aj s’i ka lëshu izraelitët me shku.

21 Atëherë Jehovai i tha Moisiut: „Shtrije dorën kah qielli, që krejt Egjipti me u mbulu pi terri. Terri ka me u ba aq i dendur sa njeriu ka me mujt edhe me e ndi.“

22 Menjëherë Moisiu e ka shtri dorën kah qielli, e nji terr shumë i dendur e ka mbulu krejt Egjiptin për tri ditë.

23 Askush s’ka mujt me e pa tjetrin edhe për tri ditë askush s’ka lëvizë pi vendit të vet. Po aty ku kanë banu izraelitët, ka pasë dritë gjithkah.

24 Atëherë faraoni e ka thirrë Moisiun edhe i ka thanë: „Shkoni, shërbejini Jehovait. Veç delet edhe gjedhët tuj duhet me mbetë këtu. Edhe fëmijët muni me i marrë me veti.“

25 Po Moisiu ia ktheu: „Ti vetë ki me na dhanë edhe kafshë për kurbane që digjen krejt, edhe për kurbane tjera, e na kena me ia ofru Jehovait, Zotit tonë.

26 Edhe bagëtia jonë ka me shku bashkë me neve. As nji kafshë s’ka me mbetë këtu, se disa pi tyne kena me i përdorë për me e adhuru Jehovain, Zotin tonë. E na s’kemi me e ditë qka kena me ia ba kurban Jehovait, derisa t’mbërrijmë atje.“

27 Po Jehovai e ka lanë zemrën e faraonit me u ngurtësu, e aj s’ka dashtë me i lëshu me shku.

28 Faraoni i tha: „Hiqmu pi syve! Mos provo ma kurrë me dalë para meje! Se ditën që m’del përpara, ki me vdekë.“

29 Atëherë Moisiu ia ktheu: „Qysh the ti, s’kom me provu ma kurrë me dalë para teje.“