Libri i dytë i Musës 12
1 Jehovai i tha Moisiut edhe Aaronit në Egjipt:
2 „Ky muj ka me kon muji i parë për ju. Me këtë muj ka me fillu viti.
3 Kallxojini krejt popullit të Izraelit: ‘Ditën e 10-të të këtij muji, secili le ta marrë nji qengj për familjen e vet, nji qengj për nji shpi.
4 Po nëse familja asht shumë e vogël për nji qengj, atëherë le ta ndajë me fqinjin ma të afërt, që jeton ngat shpisë së tij, simas numrit të njerëzve. Kur ta llogaritni sa mish ju duhet, kqyrni sa ka me hangër secili pi qengjit.
5 Qengji duhet me kon pa asnji të metë, mashkull edhe nji vjeç. Muneni me e zgjedhë pi delet ose pi dhitë.
6 Kujdesuni për të deri në ditën e 14-të të këtij muji. Atëherë krejt populli i mbledhun i Izraelit le ta therë kah mramja, kur po errësohet.
7 Le të marrin pak pi gjakut edhe me e spërkatë në të dy shtyllat e derës edhe përmi derë, te shpitë ku kanë me e hangër qengjin.
8 Atë natë le ta hanë mishin. Mishi duhet me u pjekë përmi zjarm edhe me u hangër me bukë pa tharm edhe me barishte të idhta.
9 Mos hani kurgjo pi tij të gjallë, as të zimë në ujë, po pjekne përmi zjarm, bashkë me kryet, pjesët e poshtme të kamve edhe me të përbrendshmet.
10 Mos leni kurgjo pi tij deri në mëngjes. Qka t’ju mbetet deri në mëngjes, digjne në zjarm.
11 Kështu duhet me e hangër: me rripin e shtrëngum në bel, me sandalet në kambë edhe me shkopin në dorë. Hajeni shpejt e shpejt! Kjo asht Pashka e Jehovait.
12 Se unë atë natë kom me kalu nëpër Egjipt edhe kom me i mbytë krejt të parëlindunit atje, si të njerëzve, ashtu edhe të kafshëve. Kom me i gjyku edhe krejt zotat e Egjiptit. Unë jom Jehovai.
13 Gjaku ka me kon shenjë në shpitë ku jeni ju. Kur ta shoh gjakun, kom me kalu pranë juve pa ju prekë, edhe murtaja s’ka me ju goditë kur unë ta dënoj Egjiptin.
14 Kjo ditë ka me ju shërby për me e kujtu, edhe duhet me e festu si festë për Jehovain. Festojeni brez mas brezi. Ky urdhën ka me vlejtë përgjithmonë.
15 Për shtatë ditë duhet me hangër bukë pa tharm. Qysh ditën e parë duhet me e hjekë krejt tharmin pi shpive tuja. Se kushdo që han diçka me tharm, pi ditës së parë e deri në ditën e shtatë, ka me u përjashtu pi Izraelit.
16 Ditën e parë edhe ditën e shtatë duhet me u mbledhë për nji mbledhje të shenjtë. Ato ditë askush s’guxon me punu. Veç ushqimin që i duhet secilit për me hangër muneni me e përgatitë.
17 Duhet me e festu Festën e Bukëve pa Tharm, se bash në këtë ditë kom me i nxjerrë grupet tuja pi Egjiptit. Festojeni këtë ditë brez mas brezi. Ky urdhën ka me vlejtë përgjithmonë.
18 Pi mramjes së ditës së 14-të deri në mramjen e ditës së 21-të të mujit të parë, duhet me hangër bukë pa tharm.
19 Për shtatë ditë s’guxon me pasë kurrfarë tharmi në shpitë tuja. Se kushdo që han diçka me tharm, qoftë i huej a izraelit i lindun në atë vend, ka me u përjashtu pi popullit të Izraelit.
20 Mos hani kurgjo që ka tharm. Në krejt shpitë tuja duhet me hangër bukë pa tharm.’“
21 Menjëherë Moisiu i ka thirrë krejt pleqtë e Izraelit edhe u ka thanë: „Shkoni, zgjedhni kafshë të reja për secilën familje tujen edhe therni për kurbanin e Pashkës.
22 Masanej merrni nji tufë hisopi, zhyteni në gjakun që e keni mbledhë në nji enë, edhe lyjeni pjesën e sipërme të derës edhe të dy shtyllat e derës me qat gjak. Askush pi juve s’guxon me dalë pi shpisë deri në mëngjes.
23 Kur Jehovai ka me kalu nëpër vend për me i goditë egjiptianët me murtajë, edhe ka me e pa gjakun përmi derë edhe në të dy shtyllat e derës, Jehovai pa tjetër ka me kalu pranë asaj dere. S’ka me lanë që murtaja që sjell vdekje me hy në shpitë tuja.
24 Mbajeni këtë urdhën. Ky ka me vlejtë përgjithmonë për ju edhe për djemtë tuj.
25 Kur të hyni në vendin që Jehovai ka me ju dhanë, qysh ju ka premtu, duhet me e mbajtë këtë festë.
26 E kur djemtë tuj ju vesin: ‘Qka domethanë kjo festë për ju?’,
27 atëherë thujuni:
‘Ky asht kurbani i Pashkës për Jehovain, që ka kalu pranë shpive të izraelitëve në Egjipt, kur i ka goditë egjiptianët me murtajë, po shpitë tona i ka kursy.’“ Atëherë populli u përkul shumë poshtë edhe ra në gjunjë.
28 Mas kësaj, izraelitët kanë shku edhe kanë ba krejt qysh i ka urdhnu Jehovai Moisiun edhe Aaronin. Bash qashtu kanë vepru.
29 Rreth mesnatës, Jehovai i ka mbytë krejt të parëlindunit në Egjipt, pi të parëlindunit të faraonit, që rrike në fronin e vet, e deri te i parëlinduni i të burgosunit që u konë në burg, edhe krejt të parëlindunit e kafshëve.
30 Atë natë faraoni asht çu, bashkë me krejt shërbëtorët e vet edhe krejt egjiptianët tjerë. Në krejt Egjiptin kanë nisë britma e vajtime shumë të mëdhaja, se s’ka pasë asnji shpi ku s’kish vdekë dikush.
31 Menjëherë, atë natë, faraoni i ka thirrë Moisiun edhe Aaronin te vetja edhe u ka thanë: „Çohuni, largohuni pi popullit tem, ju edhe krejt izraelitët tjerë! Shkoni, shërbejini Jehovait, qysh keni thanë.
32 Merrni me veti edhe tufat e deleve edhe gjedhët tuja, qysh keni thanë, edhe shkoni. Po duhet edhe mu me m’beku.“
33 Egjiptianët kanë nisë me i shty izraelitët me dalë sa ma shpejt pi vendit. Ata thojshin: „Përndryshe krejt kena me dekë!“
34 Atëherë populli e ka marrë brumin e bukës, që hala s’kish ardhë. Enët ku e kishin ngjeshë brumin i kanë mbështjellë me tesha edhe i kanë bajtë në krahë.
35 Izraelitët e kanë ngu edhe urdhnin e Moisiut, edhe u kanë lypë egjiptianëve sende të argjendit, të arit edhe tesha.
36 Jehovai ka ba që egjiptianët me e pa me sy të mirë popullin, kështu që ata ua kanë dhanë qka u kanë lypë. Në këtë mënyrë, izraelitët ua kanë marrë pasuninë egjiptianëve.
37 Pastaj izraelitët janë nisë pi Ramsesi në drejtim të Sukotit. Jonë konë 600 mijë burra që kanë ecë në kambë, pa i numru fëmijët.
38 Me ta kanë shku edhe shumë njerëz të përzimë pi popuj të ndryshëm. Me veti i kanë pasë edhe tufat e deleve, dhive edhe gjedhëve, shumë bagëti.
39 Pi brumit që e kishin marrë me veti pi Egjipti, kanë pjekë pogaçe pa tharm. Brumi s’kish ardhë, se i kishin përzanë aq shpejt pi Egjiptit, sa që s’kishin pasë kohë as me përgatitë ushqim për rrugë.
40 Izraelitët që kishin jetu në Egjipt, kanë nejtë atje 430 vjet.
41 Bash atë ditë, mas 430 vjetëve, krejt grupet e Jehovait kanë dalë pi Egjiptit.
42 Kjo asht nji natë që duhet me e festu, se Jehovai i ka çliru pi Egjiptit. Krejt populli i Izraelit duhet me e festu këtë natë për nder të Jehovait, brez mas brezi.
43 Pastaj Jehovai i tha Moisiut edhe Aaronit: „Për Pashkën vlen ky urdhën: Asnji i huej s’guxon me hangër pi kurbanit të Pashkës.
44 Po nëse dikush e ka nji skllav që e ka ble me pare, së pari duhet me e rrethpre. Masanej aj munet me hangër bashkë me tjerët.
45 Nji i ardhun që banon përkohësisht edhe nji punëtor me pagesë s’guxojnë me hangër pi tij.
46 Secili qengj duhet me u hangër veç në nji shpi. Mos nxirrni kurrfarë mishi pi shpisë jashtë, edhe mos ia theni asnji asht.
47 Krejt populli i Izraelit duhet me e festu Pashkën.
48 Nëse nji i huej jeton te ju edhe don me e festu Pashkën për Jehovain, krejt meshkujt në familjen e tij duhet me u rrethpre. Masanej aj munet me ardhë edhe me e festu Pashkën. Atëherë ka me kon njisoj si nji izraelit i lindun në atë vend. Po kush s’asht i rrethpremë, s’guxon me hangër pi kurbanit.
49 I njejti ligj duhet me vlejtë si për vendasin, ashtu edhe për të huejin që jeton mes juve.“
50 Izraelitët kanë ba krejt qysh i ka urdhnu Jehovai Moisiun edhe Aaronin. Bash qashtu kanë vepru.
51 Po atë ditë, Jehovai i ka nxjerrë izraelitët pi Egjiptit, bashkë me krejt grupet e tyne.