Libri i dytë i Musës 2
1 Në atë kohë, nji burrë pi familjes së Levit e ka marrë për grue nji qikë pi fisit të Levit.
2 Gruja ka metë shtatzanë edhe ka lind nji djalë. Kur e ka pa sa i bukur u konë, e ka mshef për tre muj.
3 Po masanej s’ka mujt me e mshef ma. Atëherë e ka marrë nji shportë pi papirusi, e ka ly me asfalt edhe katran, edhe e ka shti fminë mrena. Masanej e ka vendos shportën mes kallamishteve buzë Nilit.
4 Motra e tij ka nejt pak ma larg, me pa qka ka me ndodhë me të.
5 Ma vonë, qika e faraonit ka ardh te Nili me u la, e shërbëtoret e saj kanë ecë përgjatë bregut t’Nilit. Përnjiherë e ka pa shportën mes kallamishteve edhe menjiherë e ka çu skllaven e vet me e marrë.
6 Kur e ka çel shportën, e ka pa fminë, edhe djali po kajke. I ka ardh gjynah për të, ama ka thanë: “Ky asht nji fmi i hebrenjve.”
7 Atëherë motra e tij e ka vet qikën e faraonit: “A me ta thirr nji grue hebreje, që me i dhanë gji fmisë për ty?”
8 “Shko!”, i ka thanë qika e faraonit. Qika ka shku menjiherë edhe e ka thirr nanën e fmisë.
9 Qika e faraonit i ka thanë asaj: “Merre këtë fmi me veti edhe jepi gji për mu. Unë kom me të pagu.” Atëherë gruja e ka marrë fminë edhe i ka dhanë gji.
10 Kur fmija u bo ma i madh, ajo e ka çu te qika e faraonit, e cila e ka marrë si djalin e vet. Ia ka lanë emnin Moisi edhe ka thanë: “Se unë e kom nxjerrë pi ujit.”
11 Kur Moisiu u rrit, nji ditë ka dalë te vllaznit e vet, hebrenjtë, edhe e ka pa sa randë u duhej me punu. Ka pa edhe nji egjiptian tu e rreh njonin pi vllaznive të vet.
12 Atëherë Moisiu ka kqyrë anej e knej, e kur s’e ka pa kërkon, e ka myt egjiptianin edhe e ka varros në ranë.
13 Të nesërmen ka dalë apet edhe i ka pa dy hebrenj tu u rreh mes veti. Atij që e kishte fajin i ka thanë: “Pse po e rreh nji njeri t’popullit tand?”
14 Aj ia ka kthy: “Kush të ka vnu ty për mbikëqyrës e gjykatës mbi neve? A po don me m’vra edhe mu, qysh e ke vra egjiptianin?” Atëherë Moisiu u tut edhe ka thanë me veti: “Kjo punë pra paska dalë në shesh.”
15 Kur faraoni ka ni për qat punë, ka dasht me e vra Moisiun, po Moisiu ka ik pi tij në venin e Midianit. Kur ka mbrri atje, asht ul te nji bunar.
16 Prifti i Midianit i ka pasë shtatë qika. Ato kanë ardhë me nxjerrë ujë edhe me i mbush koritat, që me ia dhanë ujë kopesë së babës së tyne.
17 Po, si zakonisht, kanë ardhë barinjtë edhe i kanë përzanë. Atëherë Moisiu asht çu, i ka ndihmu gratë edhe ua ka dhanë ujë kafshëve të tyne.
18 Kur qikat janë kthy në shpi te baba i tyne, Reueli, aj i ka vet: “Qysh u kthyet sot kaq shpejt?”
19 Ato i kanë thanë: “Nji egjiptian na ka mbrojt pi barinjve. Bile na ka nxjerrë ujë edhe ia ka dhanë ujë kopesë.”
20 Atëherë aj u ka thanë qikave të veta: “Po ku asht aj? Pse s’e keni pru burrin me veti? Shkoni e thirrne këtu, le të hajë me neve.”
21 Moisiu ka pranu me nejt te aj burrë, e aj ia ka dhanë për grue qikën e vet, Ziporën.
22 Ma vonë, ajo ka lind nji djalë, e Moisiu ia ka lanë emnin Gershom, se ka thanë: “Jom bo i huj që banon në nji ven t’huj.”
23 Mas nji kohe të gjatë, mbreti i Egjiptit ka dekë. Po izraelitët kanë vazhdu me rënku e me kajt me za të naltë pi punës së randë si skllevën. Thirrjet e tyne për ndihmë, për shkak të skllavnisë, kanë vazhdu me shku deri te Zoti i vërtetë.
24 Zoti e ka ni rënkimin e tyne edhe e ka kujtu besëlidhjen e vet me Abrahamin, Isakun edhe Jakobin.
25 Zoti i ka kqyrë izraelitët edhe e ka pa sa po vujshin.