Libri i dytë i Musës 21
1 Qeto jonë vendimet e ligjit që ti duhet me ua tregu atyne:
2 Nëse e blen nji skllav hebre, aj ka me shërby si skllav gjashtë vjet. Në vitin e shtatë ka me u liru pa pagu kurgjo.
3 Nëse ka ardh vetë, vetë ka me shku. Nëse e ka grun, edhe ajo ka me shku me to.
4 Nëse zotnia i vet ia jep nji gru edhe skllavi ka djem a çika me to, gruja edhe fëmijët e saj jonë të zotnisë. Veç skllavi vetë ka me dalë i lirë.
5 Po nëse skllavi thotë haptas: «Unë e du zotninë tem, grun tem edhe fëmijët e mi. S’du me u liru»,
6 zotnia i tij ka me çu para Zotit të vërtetë. Masanej zotnia ka me shku me to te dera a te shtylla e derës edhe ka me ia shpu veshin me nji bizë. Aj ka me mbet skllav i tij tanë jetën.
7 Nëse nji burrë e shet çikën e vet si skllave, ajo s’ka me u liru qysh lirohet nji skllav mashkull.
8 Nëse zotnia i saj s’asht i knaqun me to edhe s’e cakton me e pas si gru të dytë, po e len dikon tjetër me e ble, aj s’ka të drejtë me ua shit të huejve, se e ka mashtru.
9 Nëse e zgjedh për djalin e vet, duhet me ia dhanë krejt të drejtat që i takojnë nji çike.
10 Nëse merr edhe nji gru tjetër, s’bon me ia pakësu grusë së parë ushqimin, teshat edhe atë që i takon si gru në martesë.
11 Nëse s’ia jep qeto tri gjana, ajo ka me dalë e lirë, pa pagu pare.
12 Kush e godet nji njeri e aj vdes pi asaj goditjeje, duhet me u dënu me vdekje.
13 Po nëse e mbyt pa dashje edhe Zoti i vërtetë e ka leju me ndodhë, unë ta caktoj nji vend ku aj ka me mujt me ikë.
14 Nëse nji burrë nxehet fort me nji njeri tjetër edhe e mbyt me qëllim, aj duhet me vdekë, edhe nëse ti duhet me e marrë pi altari jem.
15 Kush e godet babën a nanën e vet, duhet me u dënu me vdekje.
16 Kush e rrëmben nji njeri edhe e shet, a nëse hala e mban në dorë, duhet me u dënu me vdekje.
17 Kush e mallkon babën a nanën e vet, duhet me u dënu me vdekje.
18 Nëse disa burra zihen mes veti edhe njani e godet tjetrin me gur a me grusht, e aj s’vdes, po mbet i shtrimë në shtrat, atëherë vlen kjo:
19 Nëse i lëndumi munet me u çu edhe me ecë jashtë me bastun, aj që e ka godit s’ka me u dënu. Veç duhet me ia pagu kohën e punës që e ka hupë, derisa të shërohet krejt.
20 Nëse nji burrë e godet skllavin a skllaven e vet me shkop edhe aj a ajo vdes pi asaj goditjeje, duhet me iu marrë haku.
21 Po nëse mbetet gjallë edhe nji a dy ditë, s’ka me iu marrë haku, se skllavi asht ble me paret e zotnisë së vet.
22 Nëse disa burra përleshen mes veti edhe gjatë përleshjes e lëndojnë nji gru shtatzanë, e ajo lind para kohe, po nuk vdes kërkush, fajtori duhet me pagu dëmshpërblim aq sa kërkon burri i saj. Pagesa duhet me u bo përmes gjykatësve.
23 Po nëse dikush vdes, atëherë duhet me dhanë jetë për jetë.
24 Sy për sy, dhamb për dhamb, dorë për dorë, kambë për kambë,
25 djegie për djegie, plagë për plagë, goditje për goditje.
26 Nëse nji burrë e godet skllavin a skllaven e vet në sy, aq sa aj a ajo e hup të pamit e atij syni, duhet me e liru si dëmshpërblim për synin.
27 Edhe nëse ia then nji dhamb skllavit a skllaves së vet, duhet me e liru si dëmshpërblim për dhambin.
28 Nëse nji dem e godet nji burrë a nji gru edhe aj a ajo vdes, demi duhet me u mbyt me gurë, edhe mishi i tij s’bon me u hangër. Pronari i demit s’ka me u dënu.
29 Po nëse demi e ka pas zakon me i godit njerëzit edhe pronari i tij u konë paralajmëru për këtë, po s’u kujdes për to, edhe demi e ka mbyt nji burrë a nji gru, atëherë demi duhet me u mbyt me gurë, edhe pronari i tij duhet me u mbyt.
30 Nëse pronarit i kërkohet me pagu nji shumë pare për me shpëtu jetën e vet, aj duhet me e pagu krejt shumën që i caktohet.
31 Nëse demi e ka godit nji djalë a nji çikë, me pronarin e demit duhet me vepru sipas qetij vendimi të ligjit.
32 Nëse demi e ka sulmu nji skllav a nji skllave, pronari i demit duhet me ia pagu zotnisë së skllavit a skllaves 30 sikla, edhe demi duhet me u mbyt me gurë.
33 Nëse nji burrë e len pa e mbulu nji gropë që e ka çelë a e ka mihë, edhe nji dem a nji gomar bjen mrena,
34 pronari i gropës duhet me ia pagu dëmin pronarit të kafshës. Duhet me ia pagu çmimin e kafshës, e kafshën e ngordhun munet me e mbajt për veti.
35 Nëse demi i nji njeriut e lëndon demin e dikujt tjetër edhe ai dem vdes, pronarët duhet me e shit demin e gjallë edhe me i nda paret mes veti. Edhe kafshën e ngordhun duhet me e nda mes veti.
36 Po nëse u ditë që demi e ka pas zakon me i godit të tjerët, e pronari i tij s’u kujdes për to, aj duhet me ia dhanë nji dem tjetër në vend të demit të ngordhun. Kafshën e ngordhun munet me e mbajt për veti.