Libri i dytë i Musës 22

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Nëse nji burrë e vjedh nji dem a nji dele edhe e ther a e shet kafshën, për demin duhet me i dhanë pesë dema si dëmshpërblim, e për delen katër dele.

2 (Nëse nji hajn kapet tu hy me vjedhë edhe e godasin aq sa aj vdes, s’ka faj për gjakun e tij.

3 Po nëse kjo ndodh masi ka lind dielli, atëherë ka faj për gjakun e derdhun.) Hajni duhet me e pagu dëmin.
Nëse s’ka kurgjo, duhet me u shit për atë që e ka vjedhë.

4 Nëse ajo që e ka vjedhë, qoftë dem, gomar a dele, gjindet e gjallë te aj, duhet me e pagu dyfish.

5 Nëse dikush i çon kafshët e veta me kullotë në nji arë a vneshtë edhe i len me kullotë në arën e dikujt tjetër, duhet me ia pagu dëmin me ma të mirën pi prodhimit të arës a vneshtës së vet.

6 Nëse ndizet nji zjarr edhe i kap ferrat, e masanej i djeg duajt e drithit, drithin që s’asht korrë hala a nji arë, aj që e ka shkaktu zjarrin duhet me e pagu krejt atë që u dogj.

7 Nëse nji burrë ia jep dikujt pare a sende me ia rujt, e ato vidhen pi shpisë së atij njeriut, nëse kapet hajni, aj duhet me e pagu dëmin dyfish.

8 Nëse hajni s’gjindet, i zoti i shpisë duhet me u çu para Zotit të vërtetë, me u pa a ka marrë diçka pi pasunisë së atij tjetrit.

9 Në çdo rast kur dikush e mban diçka pa të drejtë, qoftë dem, gomar, dele, naj teshë a diçka e hupun për të cilën dikush thotë: «Kjo asht e jemja!», të dy palët duhet me e çu rastin e vet para Zotit të vërtetë. Aj që Zoti e shpall fajtor, duhet me ia pagu dëmin dyfish atij tjetrit.

10 Nëse dikush ia len nji tjetri me ia rujt nji gomar, nji dem, nji dele a naj kafshë tjetër të shpisë, e ajo vdes, lëndohet randë a ia marrin me zor, e kërkush s’e sheh,

11 atëherë aj që e ka pas kafshën në dorë duhet me u betu para Jehovait që s’ka marrë kurgjo pi pasunisë së tjetrit, edhe pronari duhet me e pranu atë betim. Aj s’ka nevojë me ia pagu dëmin.

12 Po nëse dikush ia ka vjedhë kafshën, duhet me ia pagu dëmin pronarit.

13 Nëse nji kafshë e egër e ka shqy, duhet me e pru si dëshmi. Për nji kafshë të shqyme s’ka nevojë me pagu dëmshpërblim.

14 Nëse dikush e merr hua nji kafshë edhe ajo lëndohet randë a vdes kur pronari s’asht aty, aj që e ka marrë hua duhet me ia pagu dëmin.

15 Nëse pronari asht aty, s’ka nevojë me pagu dëmshpërblim. Nëse kafsha u marrë me qira, paret e qirasë llogariten si dëmshpërblim.

16 Nëse nji burrë e josh nji çikë të virgjën që s’asht e fejun edhe flen me to, duhet me i pagu paret që jepen për nuse edhe me e marrë për gru.

17 Nëse baba i saj s’pranon kurrqysh me ia dhanë, aj prapë duhet me pagu aq pare sa asht çmimi i nuses.

18 Mos e len gjallë nji gru që merret me magji.

19 Kush ban marrëdhënie seksuale me nji kafshë, patjetër duhet me u dënu me vdekje.

20 Kush u ban kurban zotave të tjerë e jo veç Jehovait, duhet me u shfarosë.

21 Mos e trajto keq e mos e shtyp nji të huej që jeton te ti, se edhe ju vetë keni jetu si të huej në Egjipt.

22 Mos ua vështirësoni jetën grave të veja edhe fëmijëve pa babë.

23 Nëse prapë ua vështirësoni jetën edhe ata më thërrasin mu për ndihmë, unë kam me ua ni pa tjetër thirrjen për ndihmë.

24 Atëherë zemërimi jem ka me u ndezë edhe unë kam me ju mbyt me shpatë. Gratë e jueja kanë me mbet të veja, e fëmijët e juej kanë me mbet pa babë.

25 Nëse i jep hua pare nji të vorfni pi popullit tem, që jeton te ti, mos u sill me to si fajdexhi. Mos i lyp kamatë.

26 Nëse ia merr dikujt petkun peng, duhet me ia kthy para se me perëndu dielli.

27 Se ajo asht e vetmja gja që e ka me u mbulu, e vetmja gja me të cilën munet me e mbulu trupin. Me qka ka me fjetë tjetër? Nëse më thërret mu për ndihmë, kam me e ni pa tjetër, se m’vjen dhimt për to.

28 Mos e mallko Zotin, edhe mos e mallko asnji prijës të popullit tand.

29 Mos u vono me dhanë kurban diçka pi bereqetit të bollshëm të korrave tua edhe pi bollëkut që del pi shtrydhëseve tua. Djalin tand të parëlindun duhet me ma dhanë mu.

30 Për demin edhe delen tande vlen kjo: leji shtatë ditë te nana e vet, e ditën e tetë m’i jep mu.

31 Ju duhet me konë popull i shenjtë për mu, edhe s’bon me hangër mish pi nji kafshe që e ka shqy nji kafshë e egër në arë. Qitjani qenve.