Libri i dytë i Musës 23

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Mos përhap lajme të rrejshme. Mos u bo bashkë me nji njeri të keq tu dëshmu rrejshëm.

2 Mos shko mas shumicës për me bo keq. Mos e shtrembëro drejtësinë tu dëshmu qysh po thotë shumica.

3 Kur asht puna për nji të vorfën në gjyq, mos ia mbaj anën askujt.

4 Nëse demi a gomari i armikut tand ka hupë rrugën edhe ti e gjen, duhet me ia kthy.

5 Nëse gomari i dikujt që të urren asht rrëzu nën barrën e vet, mos e len aty pa i kushtu kujdes e me shku. Ndihmoje atë njeri me e liru kafshën.

6 Mos e shtrembëro drejtësinë kur duhet me vendos për rastin e nji të vorfni.

7 Mos ki punë me akuza të rrejshme, edhe mos e mbyt njeriun që s’ka faj e që asht i drejtë, se unë s’kam me e shpall të drejtë atë që asht fajtor.

8 Mos merr ryshfet, se ryshfeti ua mbyll sytë edhe atyne që shohin qartë, edhe munet me i shtrembëru fjalët e njerëzve të drejtë.

9 Mos e shtypni nji të huej që jeton në vendin tuej. Ju e dini vetë qysh asht me konë i huej, se edhe ju vetë keni jetu si të huej në Egjipt.

10 Gjashtë vjet duhet me e mbjellë tokën tande edhe me e mbledhë bereqetin.

11 Po në vitin e shtatë s’bon me mbjellë kurgjo aty. Lene tokën pa e punu, që të vorfnit e popullit tand me mujt me u ushqy pi saj. E qka tepron mas tyne, le ta hanë kafshët e egra. Qeshtu duhet me vepru edhe me vneshtën edhe me ullishtën tande.

12 Gjashtë ditë duhet me punu, po ditën e shtatë mos puno, që demi edhe gomari yt me mujt me pushu, e bashkë me ta edhe djali i skllaves tande edhe i hueji që jeton te ti.

13 Mbajuni mirë krejt atyne që ju kam thanë. Mos i përmendni emnat e zotave të tjerë. As mos i qitni në gojë.

14 Tri herë në vit duhet me bo nji festë për nder tem.

15 Festoje festën e bukëve pa maja. Në kohën e caktume, në mujin Abib, duhet me hangër bukë pa maja shtatë ditë, qysh të kam urdhnu, se në atë kohë ke dalë pi Egjiptit. Kërkush s’bon me ardhë para meje duarthatë.

16 Duhet me festu edhe festën e korrjes së fryteve të para të pjekuna pi punës tande, pra të korrat e para pi asaj që e ke mbjellë në arë. Edhe në fund të vitit, kur e mbledh bereqetin e fundit pi arës, duhet me festu festën e mbledhjes së bereqetit.

17 Tri herë në vit krejt burrat e tu duhet me dalë para Zotnisë së vërtetë, para Jehovait.

18 S’bon me e ofru gjakun e kurbanit tem bashkë me diçka që ka maja. Edhe pi yndyrës që më ofrohet si kurban gjatë festave të mia, s’bon me mbet kurgjo gjatë natës deri në mëngjes.

19 Ma të mirën pi fryteve të para të pjekuna në arat tua duhet me e çu në shpinë e Jehovait, Zotit tand. Mos e zi nji kec në tamlin e nanës së vet.

20 Unë po e çoj nji engjëll para teje, që me të rujt gjatë rrugës edhe me të çu te vendi që e kam përgatit.

21 Ki kujdes me to edhe ngoje zanin e tij. Mos u çu kundër tij, se aj s’ka me t’i falë shkeljet tua, sepse emni jem asht në to.

22 Po nëse ia ngon mirë zanin edhe i ban krejt ato që i them unë, atëherë unë kam me u bo armik i armiqve të tu edhe kundërshtar i atyne që të kundërshtojnë.

23 Se engjëlli jem ka me shku para teje edhe ka me të çu te Amoritët, Hetitët, Perizitët, Kananejtë, Hivitët edhe Jebusitët, e unë kam me i shfarosë ata.

24 Mos u përkul para zotave të tyne, edhe mos lejo me të shty me u shërby atyne. Mos i merr zakonet e tyne, po shkatërroji idhujt e tyne edhe thyeji shtyllat e tyne të shenjta.

25 Duhet me i shërby Jehovait, Zotit tand, edhe aj ka me ta beku bukën edhe ujin. Unë kam me i hjekë sëmundjet pi mesit tand.

26 Gratë në vendin tand s’kanë me i hupë fëmijët gjatë shtatzanisë, as s’kanë me konë shterpa, edhe unë kam me ta dhanë nji jetë të gjatë.

27 Unë kam me ua shti frikën popujve ku ke me shku, hala pa mbërri ti atje. Kam me i hutu krejt ata që i takon, edhe kam me bo që krejt armiqtë e tu me ikë para teje.

28 Unë kam me ua hupë guximin atyne hala para se me ardhë ti, edhe kam me i përzanë Hivitët, Kananejtë edhe Hetitët para teje.

29 S’kam me i përzanë krejt për nji vit, që vendi mos me mbet shkretë edhe mos me u shtu kafshët e egra që munden me të bo dëm.

30 Kam me i përzanë pak ka pak, derisa të shtohesh në numër edhe ta marrësh vendin në pronë.

31 Kufini i vendit tand ka me shku pi Detit të Kuq deri te Deti i Filistinëve, edhe pi shkretinës deri te lumi Eufrat, se unë kam me t’i dhanë në dorë banorët e atij vendi, e ti ke me i përzanë.

32 Mos bo marrëveshje me ta, as me zotat e tyne.

33 Ata s’bon me jetu në vendin tand, që mos me të shty me bo mëkat kundër meje. Se nëse u shërben zotave të tyne, kjo pa tjetër ka me t’u bo kurth.