Libri i dytë i Musës 25

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Masanej Jehovai i ka thanë Moisiut:

2 «Thuaju izraelitëve me dhanë nji kontribut për mu. Pranojeni kontributin pi secili që don me dhanë me gjithë zemër.

3 Qeto jonë gjanat që keni me i pranu pi tyne: ar, argjend, bakër,

4 pe të kaltër, lesh ngjyrë purpuri, fije të kuqe të ndezta, pëlhurë të hollë liri, qime dhie,

5 lëkura deshësh të ngjyrosuna kuq, lëkura fokash, dru akacie,

6 vaj për llamba, balsam për vajin e lyemjes edhe për temjanin me erë të mirë,

7 si edhe gurë oniksi e gurë të tjerë për me i vendosë në efod edhe në çantën e gjoksit.

8 Ata duhet me ma bo nji vend të shenjtë, e unë kam me banu mes tyne.

9 Kur ta ndërtoni vendin e shenjtë, tendën e shenjtë edhe krejt pajisjet e saj, duhet me iu përmbajtë tamam modelit që po ta tregoj.

10 Ata duhet me e bo nji arkë pi drunit të akacies, dy kutë e gjysë të gjatë, nji kutë e gjysë të gjanë edhe nji kutë e gjysë të naltë.

11 Mbuloje me ar të pastër, mrena edhe jashtë, edhe bani nji buzë pi ari krejt përreth.

12 Derdhi katër rrathë pi ari edhe vendosi te katër kambët e arkës, dy rrathë në njanën anë edhe dy në anën tjetër.

13 Bani shtiza pi drunit të akacies edhe mbuloji me ar.

14 Futja shtizat nëpër rrathët në anët e arkës së besëlidhjes, që me mujt me e bartë.

15 Shtizat duhet me mbet në rrathët e arkës së besëlidhjes. S’bon me i hjekë.

16 Masanej, në arkën e besëlidhjes ke me i shti pllakat e ligjit që kam me t’i dhanë.

17 Bane nji kapak pi ari të pastër, dy kutë e gjysë të gjatë edhe nji kutë e gjysë të gjanë.

18 Edhe në dy skajet e kapakut duhet me i bo dy kerubinë pi ari të rrahun.

19 Bani kerubinët në dy skajet, nji kerubin në secilin skaj të kapakut.

20 Dy krahët e kerubinëve duhet me konë të hapun përpjetë, që me e mbulu kapakun. Kerubinët duhet me konë të kthym kah njani-tjetri, e fytyrat e tyne duhet me shiku kah kapaku.

21 Vendose kapakun mbi arkën e besëlidhjes, e në arkë vendosi pllakat e ligjit që kam me t’i dhanë.

22 Unë kam me u taku me ty aty edhe kam me folë me ty pi vendit mbi kapak. Pi vendit mes dy kerubinëve, mbi arkën ku jonë pllakat e ligjit, kam me t’i tregu krejt udhëzimet e mia për izraelitët.

23 Duhet me e bo edhe nji tavolinë pi drunit të akacies, dy kutë të gjatë, nji kutë të gjanë edhe nji kutë e gjysë të naltë.

24 Mbuloje me ar të pastër edhe bani nji buzë pi ari krejt përreth.

25 Tavolina duhet me pasë nji kornizë të gjanë sa nji pëllambë, edhe nji buzë pi ari krejt përreth.

26 Bani katër rrathë pi ari edhe vendosi në katër qoshet, te katër kambët e tavolinës.

27 Rrathët duhet me konë afër kornizës, që me i mbajtë shtizat me të cilat ka me u bartë tavolina.

28 Shtizat për me e bartë tavolinën duhet me i bo pi drunit të akacies edhe me i mbulu me ar.

29 Pjatat, gotat, bokallat edhe tasat e saj, pi të cilave derdhen kurbanet me pije, duhet me i bo pi ari të pastër.

30 Mbi tavolinë duhet me i vendosë gjithmonë bukët e paraqitjes para meje.

31 Duhet me e bo nji shandan pi ari të pastër të rrahun. Kamba, shtylla, degët, kupat e luleve, sythat edhe lulet duhet me konë krejt nji copë.

32 Pi anëve të shandanit duhet me dalë gjashtë degë, tri në njanën anë edhe tri në anën tjetër.

33 Secila degë në të dy anët duhet me i pasë tri kupa në formë të luleve të bajames, me sytha edhe lule që vijnë nji mas nji. Qeshtu duhet me konë krejt gjashtë degët që dalin pi shtyllës së shandanit.

34 Në shtyllën e shandanit duhet me konë katër kupa në formë të luleve të bajames, me sytha edhe lule që vijnë nji mas nji.

35 Nji syth duhet me konë nën dy degët e para që dalin anash pi shtyllës, nji tjetër nën dy degët që vijnë mas tyne edhe nji tjetër nën dy degët e fundit. Qeshtu duhet me konë te gjashtë degët që dalin pi shtyllës.

36 Sythat, degët edhe krejt shandani duhet me konë pi nji copë të vetme ari të pastër të rrahun.

37 Duhet me i bo shtatë llamba për shandanin, që kur të ndizen, me e ndriçu vendin përpara tij.

38 Darët për fitila edhe enët për zjarr duhet me konë pi ari të pastër.

39 Shandani edhe krejt pajisjet e tij duhet me u bo pi nji talent ari të pastër.

40 Ki kujdes me i bo krejt sipas modelit që t’u ka tregu në mal.