Libri i dytë i Musës 28

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Thirre vllaun tand Aaronin edhe djemtë e tij me ardhë te ti pi mesi i izraelitëve. Aj bashkë me djemtë e tij, Nadabin, Abihun, Eleazarin edhe Ithamarin, kanë me m'shërby mu si priftërinj.

2 Bani për vllaun tand Aaronin rroba t'shejta, që me i dhanë madhështi edhe hijeshi.

3 Fol me krejt ata që dinë me punu mirë, e që unë i kam mbushë me mençuri. Ata kanë me ia punu Aaronit rrobat për me e ba t'shenjtë, që aj me m'shërby mu si prift.

4 Këto rroba kanë me i punu: nji xhep për gjoks, nji efod, nji petk t'epërm pa mangë, nji rrobë t'gjatë me katrora, nji çallmë edhe nji shokë. Këto rroba t'shejta kanë me ia punu vllaut tand Aaronit edhe djemve t'tij, që aj me m'shërby mu si prift.

5 Për këto kanë me përdorë ar, pe t'kaltër, lesh ngjyrë vjollcë t'kuqërremtë, pe t'kuq t'errët edhe liri t'hollë.

6 Efodin kanë me e punu me ar, me pe t'kaltër, me lesh ngjyrë vjollcë t'kuqërremtë, me pe t'kuq t'errët edhe me pe liri t'hollë e t'përdredhun. Ka me qenë i qëndisun.

7 Ka me i pasë dy pjesë për supe, t'ngjituna në dy skajet e epërme.

8 Rripi i thurun i efodit, që e mban fort n'vend, ka me qenë pi t'njejtave materiale: pi ari, pi peje t'kaltër, pi leshi ngjyrë vjollcë t'kuqërremtë, pi peje t'kuq t'errët edhe pi peje liri t'hollë e t'përdredhun.

9 Merri dy gurë oniksi edhe gdhendi në ta emrat e djemve t'Izraelit,

10 gjashtë emra në njanin gur e gjashtë emrat tjerë në gurin tjetër, simas rendit qysh kanë lindë.

11 Nji njeri që din me gdhendë gurë ka me i gdhendë emrat e djemve t'Izraelit në të dy gurët, qysh gdhenden vulat. Pastaj gurët kanë me u rrethu me ar.

12 Të dy gurët vnoji në pjesët e supeve t'efodit, si kujtim për djemtë e Izraelit. Aaroni ka me i mbajtë emrat e tyne mbi të dy supet e veta, si kujtim përpara Jehovait.

13 Bani mbajtëse pi ari

14 edhe dy zinxhirë pi ari t'pastër, t'përdredhun si litarë t'hollë. Këta zinxhirë lidhi për mbajtëset.

15 Xhepin e gjoksit për gjykim ka me e punu nji njeri që din me qëndisë mirë. Ka me qenë i punum qysh asht efodi, me ar, me pe t'kaltër, me lesh ngjyrë vjollcë t'kuqërremtë, me pe t'kuq t'errët edhe me pe liri t'hollë e t'përdredhun.

16 Kur ta palosh pëlhurën dyfish, xhepi ka me qenë katror, nji pëllambë i gjatë e nji pëllambë i gjanë.

17 Në të kanë me u vendosë katër rreshta me gurë: në rreshtin e parë rubin, topaz edhe smerald,

18 në rreshtin e dytë turkiz, safir edhe jaspis,

19 në rreshtin e tretë guri leshem, agat edhe ametist,

20 e në rreshtin e katërt krizolit, oniks edhe xhad. Gurët kanë me u rrethu me ar.

21 Këta gurë kanë me iu përgjigjë emrave t'12 djemve t'Izraelit. Secili gur ka me qenë i gdhendun si nji vulë, edhe secili emër ka me e përfaqësu njanin pi 12 fiseve.

22 Në xhepin e gjoksit lidhi zinxhirë pi ari t'pastër, t'përdredhun si litarë t'hollë.

23 Në dy qoshet e xhepit t'gjoksit vnoji dy unaza pi ari.

24 Nëpër dy unazat në qoshet e xhepit t'gjoksit futi dy zinxhirët pi ari.

25 Dy skajet e zinxhirëve kaloji nëpër dy mbajtëset edhe lidhi për pjesët e supeve t'efodit, në anën e përparme.

26 Bani dy unaza pi ari edhe vnoji në dy qoshet e poshtme t'xhepit t'gjoksit, në anën që asht kah efodi.

27 Edhe dy unaza tjera pi ari vnoji në anën e përparme t'efodit, nën dy pjesët e supeve, përmbi rripin e thurun, afër vendit ku bashkohet efodi.

28 Xhepi i gjoksit ka me u mbajtë fort me nji lidhëse t'kaltër, që i lidh unazat e xhepit t'gjoksit me unazat e efodit. Qashtu xhepi i gjoksit ka me nejtë gjithmonë n'vendin e vet, përmbi rripin e thurun.

29 Kur Aaroni hyn në vendin e shenjtë, aj duhet me i mbajtë mbi zemrën e vet emrat e djemve t'Izraelit, në xhepin e gjoksit për gjykim, si kujtim i përhershëm përpara Jehovait.

30 Në xhepin e gjoksit për gjykim vnoji Urimin edhe Tumimin. Aaroni ka me i mbajtë mbi zemrën e vet kur del përpara Jehovait. Këto sene, që përdoren për me marrë vendime gjykimi për izraelitët, aj ka me i mbajtë gjithmonë mbi zemrën e vet përpara Jehovait.

31 Petku i epërm pa mangë, që vishet nën efod, ka me qenë krejt pi peje t'kaltër.

32 Në mes, nalt, ka me pasë nji hapje për krye, edhe rreth asaj hapjeje ka me pasë nji buzë t'thurun, qysh e ka hapjen nji këmishë e blindume, që mos me u shqye.

33 Rreth krejt fundit t'petkut vnoji shega t'punume me pe t'kaltër, me lesh ngjyrë vjollcë t'kuqërremtë edhe me pe t'kuq t'errët, e në mes tyne vnoji zile t'vogla pi ari.

34 Rreth fundit t'petkut pa mangë kanë me u varë me rend, nji zile pi ari e nji shegë, nji zile pi ari e nji shegë.

35 Aaroni ka me e veshë këtë petk kur shërben, edhe zilet kanë me u ni kur aj hyn në vendin e shenjtë për me dalë përpara Jehovait, edhe kur del jashtë, që mos me vdekë.

36 Bane edhe nji pllakë t'ndritshme për ballë pi ari t'pastër, edhe gdhende në të, qysh gdhendet nji vulë: «Shenjtëria i takon Jehovait».

37 Lidhe për çallmë me nji lidhëse t'kaltër. Ajo ka me nejtë në anën e përparme t'çallmës.

38 Ajo duhet me qenë në ballin e Aaronit, edhe Aaroni ka me e mbajtë përgjegjësinë nëse dikush ban faj lidhun me naj sen t'shenjtë, që izraelitët e ofrojnë si dhuratë t'shenjtë. Ajo ka me nejtë gjithmonë në ballin e tij, që ata me e pasë pëlqimin e Jehovait.

39 Rrobën e gjatë me katrora thure pi liri t'hollë, edhe bane nji çallmë pi liri t'hollë, si edhe nji shokë t'thurun.

40 Edhe për djemtë e Aaronit bani rroba t'gjata, shoka edhe mbulesa për krye, që me iu dhanë madhështi edhe hijeshi.

41 Veshja këto rroba vllaut tand Aaronit edhe djemve t'tij. Lyeji me vaj, vni në detyrën e tyne edhe bani t'shenjtë, e ata kanë me m'shërby mu si priftërinj.

42 Bani për ta edhe pantallona t'shkurtëra pi liri. Ato kanë me iu ardhë pi ijët deri te kofshët, për me ua mbulu mishin e zhveshun.

43 Aaroni edhe djemtë e tij kanë me i veshë ato kur hyjnë në tendën e takimit ose kur afrohen te altari për me shërby në vendin e shenjtë, që mos me ba faj e me vdekë. Ky rregull ka me vlejtë përgjithmonë për të edhe për pasardhësit e tij.