Libri i dytë i Musës 31
1 Jehovai i ka thanë prapë Moisiut:
2 „Unë e kom zgjedhë Bezalelin, djalin e Urit, djalit të Hurit, pi fisi i Judës.
3 Kom me e mbushë me frymën e Zotit, edhe kom me i dhanë mençuri, kuptim e dije për çdo lloj pune me dorë,
4 që me ditë me ba plane, me punu punë pi ari, argjendi edhe bakri,
5 me i punu gurët e me i vendosë, edhe me ba gjithfarë sendesh pi druni.
6 Përveç tij, ia kom caktu si ndihmës Oholiabin, djalin e Ahisamakut, pi fisi i Danit. Edhe krejt atyne që dinë me punu mirë me dorë, kom me ju dhanë mençuri n’zemër, që me i ba krejt sendet që t’i kom urdhnu:
7 tendën e takimit, arkën për pllakat e ligjit edhe kapakun e saj, krejt sendet që i takojnë tendës,
8 tavolinën edhe mbajtësen e kandilave pi ari t’pastër, bashkë me sendet që ju takojnë, altarin e temjanit,
9 altarin e kurbaneve që digjen krejt, bashkë me krejt sendet që i takojnë, legenin me mbajtësen e tij,
10 rrobat e enduna hollë, rrobat e shenjta për priftin Aaron, rrobat e priftërinjve për djemt e tij,
11 vajin e vajosjes edhe temjanin me erë t’mirë për vendin e shenjtë. Ata kanë me i ba krejt ashtu qysh t’kom urdhnu.“
12 Pastaj Jehovai i ka thanë Moisiut:
13 „Folju izraelitëve edhe thujau: ‘Keni kujdes me i mbajtë Sabatet e mia, se ato jonë nji shenjë mes meje edhe juve, brez mas brezi, që me e ditë se unë, Jehovai, jom aj që ju baj t’shenjtë.
14 Mbajeni Sabatin, se aj asht i shenjtë për ju. Kush e përdhos Sabatin, duhet me u dënu me vdekje. Nëse dikush ban çfarëdo pune n’ditën e Sabatit, aj duhet me u përjashtu pi popullit të vet.
15 Gjashtë ditë mundeni me punu, po dita e shtatë asht Sabat, nji ditë pushimi t’plotë. Kjo ditë asht e shenjtë për Jehovën. Kushdo që punon n’ditën e Sabatit, duhet me u dënu me vdekje.
16 Izraelitët duhet me e mbajtë Sabatin. Ata kanë me e mbajtë brez mas brezi. Kjo asht nji besëlidhje që ka me vlejt përgjithmonë.
17 Sabati asht nji shenjë e përhershme mes meje edhe popullit t’Izraelit, se për gjashtë ditë Jehovai i ka ba qiellin edhe tokën, e ditën e shtatë ka pushu edhe u gëzu.’“
18 Mas i ka folë Moisiut n’malin Sinai, Zoti ia ka dhanë dy pllakat e ligjit, pllaka pi guri t’shkrume me gishtin e Zotit.