Libri i dytë i Musës 33
1 Jehovai ka vazhdu me i thanë Moisiut: “Nisu me popullin që e ke nxjerrë pi Egjiptit. Shko pi këtu në atë tokë që ia kom premtu me betim Abrahamit, Isakut edhe Jakobit, kur kom thanë: ‘Kom me ia dhanë këtë tokë pasardhësve tu.’
2 Kom me çu nji engjëll para teje edhe kom me i dëbu kananitët, amoritët, hetitët, perizitët, hivitët edhe jebusitët.
3 Shkoni në nji tokë ku rrjedh qumësht e mjaltë. Po unë s'kom me shku me ju, se ju jeni popull kryeneç. Përndryshe, muj me ju zhduk krejt rrugës.”
4 Kur populli i ka ni këto fjalë t'randa, ka nis me mbajt zi, edhe kërkush s'i ka vnu stolitë e veta.
5 Jehovai i ka thanë Moisiut: “Thuju izraelitëve: ‘Ju jeni popull kryeneç. Muj me kalu mes jush për nji çast edhe me ju zhduk krejt. Prandaj, tash mos i vëni ma stolitë tuja, derisa t'vendosi qka kom me ba me ju.’”
6 Prandaj, pi mali Horeb e tutje, izraelitët s'i kanë vnu ma stolitë e veta.
7 Pastaj Moisiu e ka ngrit çadrën e vet pak jashtë kampit edhe e ka qujt Çadra e Takimit. Kushdo që ka dashtë me e pyet Jehovain për diçka, ka dalë pi kampit edhe ka shku te Çadra e Takimit.
8 Sa herë Moisiu ka dalë me shku te çadra, krejt janë çu, janë nalë te hyrja e çadrave t'veta edhe e kanë përcjellë me sy Moisiun derisa ka hy n'çadër.
9 Sapo Moisiu ka hy n'çadër, shtylla e resë ka zhdryp edhe ka nejt te hyrja e çadrës, derisa Zoti ka folë me Moisiun.
10 Sa herë populli e ka pa shtyllën e resë te hyrja e çadrës, krejt janë çu edhe janë përkulë te hyrja e çadrave t'veta.
11 Jehovai ka folë me Moisiun ftyrë për ftyrë, qysh flet nji njeri me nji tjetër. Kur Moisiu u kthy n'kamp, shërbëtori edhe ndihmësi i tij, Josua, djali i Nunit, ka mbet te çadra.
12 Pastaj Moisiu i ka thanë Jehovait: “Ti po m'thu: ‘Largoje këtë popull pi këtu’, po s'ma ke tregu kë ki me çu me mu. Edhe m'ke thanë: ‘Unë t'njoh me emër, edhe ti e ki pëlqimin tem.’
13 Nëse përnjëmend e kom pëlqimin tand, atëherë t'lutna, m'i trego rrugët e tua, që me t'njoft ma mirë edhe me vazhdu me e pas pëlqimin tand. Ki parasysh edhe që ky popull asht populli yt.”
14 Aj i ka thanë: “Unë vet kom me shku me ty edhe kom me t'dhanë qetësi.”
15 Atëherë Moisiu i ka thanë: “Nëse ti vet s'vjen me neve, mos na largo pi këtu.
16 Qysh ka me u ditë që unë edhe populli yt e kemi pëlqimin tand? A s'asht pikërisht fakti që ti po shkon me neve, që na dallon mu edhe popullin tand pi krejt popujve tjerë në tokë?”
17 Jehovai ka vazhdu me i thanë Moisiut: “Edhe këtë që po e lyp, kom me ta plotësu, se ti e ki pëlqimin tem edhe unë t'njoh me emër.”
18 Atëherë Moisiu i ka thanë: “T'lutna, ma trego lavdinë tane.”
19 Po aj i ka thanë: “Kom me ba që krejt mirësia jem me kalu para teje edhe kom me e shpall emrin Jehova para teje. Kom me ia dhanë pëlqimin tem atij që du me ia dhanë, edhe kom me tregu dhimt për atë që du me tregu dhimt.”
20 Edhe ka shtu: “Ti s'munesh me ma pa ftyrën, se asnji njeri s'munet me m'pa edhe me met gjallë.”
21 Jehovai ka vazhdu me thanë: “Qe, këtu afër meje asht nji vend. Rri mbi shkëmb.
22 Kur ka me kalu lavdia jem, kom me t'vendos në nji të çarë t'shkëmbit edhe kom me ta mbajt dorën përpara për me t'mbrojt, derisa t'kaloj.
23 Masanej kom me e hjek dorën edhe ti ki me ma pa shpinën. Po ftyrën teme s'guxon me e pa kërkush.”