Libri i dytë i Musës 38
1 Aj e ka ba altarin për kurbanet që digjen, pi drunit t'akacies. Altari u konë katror, pesë kut i gjatë, pesë kut i gjanë edhe tri kut i naltë.
2 Mandej ia ka ba brinat në katër qoshet e tij. Brinat jonë konë t'bame bashkë me altarin, pi e njejta copë. Masanej e ka veshë altarin me bakër.
3 Masanej i ka ba krejt sendet që i duheshin altarit: kovët, lopatat, tasat, pirunat edhe enët për zjarr. Krejt këto sende i ka ba pi bakri.
4 E ka ba edhe nji rrjetë për altarin, t'thunme pi bakri, edhe e ka vendosë poshtë buzës t'altarit, deri në gjysën e tij.
5 I ka derdhë katër unaza për katër qoshet e rrjetës pi bakri, për me i mbajtë shufrat.
6 Masanej i ka ba shufrat pi drunit t'akacies edhe i ka veshë me bakër.
7 Shufrat i ka futë nëpër unazat anash altarit, për me mujtë me e bartë. Altarin e ka ba pi dërrasave, edhe mrena u konë i zbraztë.
8 Mandej e ka ba legenin edhe mbajtësen e tij pi bakri. Për këto i ka përdorë pasqyrat e grave që u konë t'organizume me shërby te hyrja e çadrës së takimit.
9 Masanej e ka rregullu oborrin. Për anën e jugut t'oborrit i ka ba perdet pi fijeve t'holla t'lirit t'përdredhuna. Ato jonë konë 100 kut t'gjata.
10 Aty jonë konë 20 shtylla edhe 20 baza pi bakri ku futeshin shtyllat. Grepat e shtyllave edhe pjesët që i lidhshin jonë konë pi argjendi.
11 Edhe n'anën e veriut jonë konë perde 100 kut t'gjata. Njizet shtyllat edhe 20 bazat e tyne jonë konë pi bakri, kurse grepat e shtyllave edhe pjesët që i lidhshin jonë konë pi argjendi.
12 Po n'anën e perëndimit, perdet jonë konë 50 kut t'gjata. Aty jonë konë dhjetë shtylla edhe dhjetë baza ku futeshin shtyllat. Grepat e shtyllave edhe pjesët që i lidhshin jonë konë pi argjendi.
13 Ana e lindjes, kah lind dilli, u konë 50 kut e gjanë.
14 N'njanën anë t'hyrjes jonë konë perde 15 kut t'gjata, që i mbajshin tri shtylla me tri baza.
15 Edhe n'anën tjetër t'hyrjes së oborrit jonë konë perde 15 kut t'gjata, që i mbajshin tri shtylla me tri baza.
16 Krejt perdet përreth oborrit jonë konë pi fijeve t'holla t'lirit t'përdredhuna.
17 Bazat ku futeshin shtyllat jonë konë pi bakri, kurse grepat e shtyllave edhe pjesët që i lidhshin jonë konë pi argjendi. Majat e shtyllave jonë konë t'veshuna me argjend. Krejt shtyllat e oborrit i kanë pasë pjesët lidhëse pi argjendi.
18 Perdja te hyrja e oborrit u konë e endun pi fijeve t'kaltra, leshit t'purpurt, fijeve t'kuqe t'ndezta edhe fijeve t'holla t'lirit t'përdredhuna. Ajo u konë 20 kut e gjatë edhe pesë kut e naltë, njisoj e naltë si perdet e oborrit.
19 Katër shtyllat e saj edhe katër bazat ku futeshin jonë konë pi bakri. Grepat edhe pjesët që i lidhshin jonë konë pi argjendi, edhe majat e shtyllave jonë konë t'veshuna me argjend.
20 Krejt kunjat për me e ngulë çadrën e shenjtë edhe ato për oborrin përreth jonë konë pi bakri.
21 Kjo asht lista e materialeve që jonë përdorë për çadrën e shenjtë, çadrën e Dëshmisë. Levrit u dasht me e ba këtë listë simas urdhnit t'Moisiut, nën udhëheqjen e Ithamarit, djalit t'priftit Aaron.
22 Bezaleli, djali i Urit, nipi i Hurit, pi fisit t'Judës, e ka ba krejt qka Jehova e ka urdhnu Moisiun.
23 Atij i ka ndihmu Oholiabi, djali i Ahisamakut, pi fisit t'Danit. Aj u konë mjeshtër që punojke me dorë, qëndiste edhe endke me fije t'kaltra, lesh t'purpurt, fije t'kuqe t'ndezta edhe lir t'hollë.
24 Krejt ari që u përdor për punët e vendit t'shenjtë u konë aq sa ari që u dha si dhuratë e tundun: 29 talenta edhe 730 shekelë, simas shekelit standard t'vendit t'shenjtë.
25 Argjendi pi burrave t'bashkësisë që jonë regjistru u konë gjithsej 100 talenta edhe 1775 shekelë, simas shekelit standard t'vendit t'shenjtë.
26 Secili që u konë 20 vjeç e përpjetë edhe që u regjistru, e ka dhanë nga gjysë shekeli, simas shekelit standard t'vendit t'shenjtë. Gjithsej jonë konë 603 550 burra.
27 Për me i derdhë bazat e vendit t'shenjtë edhe bazat për perden, jonë përdorë 100 talenta argjendi. Pra, 100 talenta për 100 baza, nga nji talent për secilën bazë.
28 Pi 1775 shekelëve tjerë, aj i ka ba grepat për shtyllat, ua ka veshë majat me argjend edhe i ka lidhë shtyllat me pjesët lidhëse.
29 Bakri që u dha si kurban u konë gjithsej 70 talenta edhe 2400 shekelë.
30 Pi atij bakri aj i ka ba bazat për hyrjen e çadrës së takimit, altarin pi bakri bashkë me rrjetën pi bakri, edhe krejt sendet që i duheshin altarit,
31 bazat për oborrin përreth, bazat për hyrjen e oborrit edhe krejt kunjat për me e ngulë çadrën e shenjtë edhe oborrin përreth.