Libri i dytë i Musës 8
1 Masanej Jehova i tha Moisiut: “Shko te faraoni edhe thuji: ‘Kështu thotë Jehova: “Lëshoje popullin tem me shku, që me më shërby.
2 Nëse vazhdon mos me e lëshu, unë kom me çu bretkosa në krejt vendin tand.
3 Lumi Nil ka me u mbushë plot me bretkosa. Ato kanë me dalë pi ujit edhe kanë me hy në shpinë tande, në dhomën ku flen edhe në shtratin tand, në shpitë e shërbëtorëve tu edhe te populli yt, në furrat e bukës edhe në magjet ku gatuhet brumi.
4 Bretkosat kanë me ardhë përmbi ty, përmbi popullin tand edhe përmbi krejt shërbëtorët e tu.”’”
5 Ma vonë Jehova i tha Moisiut: “Thuji Aronit: ‘Shtrije dorën me shkopin tand përmbi lumenjtë, kanalet e Nilit edhe moçalet, që bretkosat me dalë në krejt Egjiptin.’”
6 Atëherë Aroni e ka shtri dorën përmbi ujnat e Egjiptit, edhe bretkosat kanë dalë e kanë mbulu krejt vendin.
7 Po edhe priftat magjistarë e kanë bo të njejtën me magjitë e tyne të fshehta. Edhe ata kanë bo që bretkosat me dalë në Egjipt.
8 Atëherë faraoni i ka thirrë Moisiun edhe Aronin edhe u ka thanë: “Lutjuni Jehovës me na liru mu edhe popullin tem pi bretkosave. Unë kom me e lëshu popullin me shku, që me i bo kurban Jehovës.”
9 Moisiu iu përgjigj faraonit: “Ti vet cakto kur don që unë me iu lutë Zotit, që ti, shërbëtorët e tu, populli yt edhe shpitë e juve me u liru pi bretkosave. Ato kanë me metë veç në Nil.”
10 Faraoni i tha: “Nesër.” Atëherë Moisiu i tha: “Ka me u bo qysh ke thanë ti, që me e kuptu se s’ka kërkush si Jehova, Zoti jonë.
11 Bretkosat kanë me u largu pi teje, pi shpive tua, pi shërbëtorëve tu edhe pi popullit tand. Ato kanë me metë veç në Nil.”
12 Masanej Moisiu edhe Aroni kanë dalë pi faraoni, edhe Moisiu iu ka lutë shumë Jehovës për bretkosat që ia kishte çu faraonit.
13 Jehova ia ka plotësu lutjen Moisiut, edhe bretkosat nëpër shpi, oborre edhe ara kanë nisë me dekë.
14 Njerëzit i kanë mbledhë bretkosat e dekuna në grumbuj pa numër, edhe vendi ka nisë me kundërmu.
15 Kur faraoni e ka pa që gjendja u qetësu, zemra e tij u bo apet e fortë, edhe aj s’ka dasht me i ngu Moisiun edhe Aronin, qysh e kishte thanë Jehova.
16 Masanej Jehova i tha Moisiut: “Thuji Aronit: ‘Shtrije shkopin tand edhe godite pluhnin e tokës me të, që në krejt Egjiptin pluhni me u bo miza të imta që pickojnë.’”
17 Ata kanë bo qashtu. Aroni e ka shtri dorën me shkopin e vet edhe e ka goditë pluhnin e tokës. Atëherë mizat e imta që pickojnë kanë nisë me iu ngjitë njerëzve edhe kafshëve. Krejt pluhni i tokës në Egjipt u bo miza të imta që pickojnë.
18 Priftat magjistarë janë mundu me i bo edhe ata këto miza me magjitë e tyne të fshehta, po s’kanë mujtë. Mizat kanë vazhdu me iu ngjitë njerëzve edhe kafshëve.
19 Atëherë priftat magjistarë i kanë thanë faraonit: “Ky asht gishti i Zotit!” Po zemra e faraonit ka metë e fortë, edhe aj s’i ka ngu, qysh e kishte thanë Jehova.
20 Masanej Jehova i tha Moisiut: “Çohu herët në mëngjes edhe dil para faraonit. Kur aj të vijë te Nili, thuji: ‘Kështu thotë Jehova: “Lëshoje popullin tem me shku, që me më shërby.
21 Nëse s’e lëshon popullin tem, unë kom me çu miza të kalit te ti, te shërbëtorët e tu edhe te populli yt. Ato kanë me hy në shpitë tua, edhe krejt shpitë e egjiptianëve kanë me u mbushë me këto miza. Bile edhe toka ku rrijnë ka me u mbulu me to.
22 Po atë ditë unë kom me bo që në tokën e Goshenit, ku jeton populli jem, me konë krejt ndryshe. Aty s’ka me pasë asnji mizë të kalit. Qeshtu ki me e kuptu që unë, Jehova, jom këtu në këtë vend.
23 Unë kom me bo dallim mes popullit tem edhe popullit tand. Nesër ka me ndodhë kjo shenjë.”’”
24 Edhe Jehova e ka bo qashtu. Tufa shumë të mëdhaja mizash të kalit kanë hy në shpinë e faraonit, në shpitë e shërbëtorëve të tij edhe në krejt Egjiptin. Këto miza kanë bo shumë dam në vend.
25 Në fund faraoni i ka thirrë Moisiun edhe Aronin edhe u ka thanë: “Shkoni, boni kurban Zotit tuj këtu në këtë vend.”
26 Po Moisiu iu përgjigj: “Na s’mujmë me e bo këtë, se kurbanet që ia bojmë Jehovës, Zotit tonë, jonë sene që egjiptianët i kanë neveri. Nëse na e bojmë para syve të tyne nji kurban që atyne u vjen neveri, a s’kanë me na gjujtë me gurë?
27 Na kemi me shku tri ditë rrugë në shkretinë, edhe atje kemi me i bo kurban Jehovës, Zotit tonë, qysh na ka thanë aj.”
28 Faraoni iu përgjigj: “Unë kom me ju lëshu me shku, që me i bo kurban Jehovës, Zotit tuj, në shkretinë. Veç mos shkoni shumë larg. Lutjuni Zotit për mu.”
29 Atëherë Moisiu i tha: “Tash kom me dalë edhe kom me iu lutë Jehovës. Nesër faraoni, shërbëtorët e tij edhe populli i tij kanë me u liru pi mizave të kalit. Veç faraoni mos të na rrejë apet e mos me e lëshu popullin me shku, që me i bo kurban Jehovës.”
30 Masanej Moisiu ka dalë pi faraoni edhe iu ka lutë Jehovës.
31 Jehova e ka bo qysh i ka kërku Moisiu, edhe faraoni, shërbëtorët e tij edhe populli i tij u lirun pi mizave të kalit. S’ka metë asnji mizë.
32 Po zemra e faraonit u bo apet e fortë, edhe aj s’e ka lëshu popullin me shku.