Libri i katërt i Musës 11
1 Populli ja ka nisë me u anku shumë para Jehovait. Kur Jehovai i ka ni këto, asht zemëru fort. Atëherë nji zjarr pi Jehovait ka shpërthy kundër tyne edhe i ka djegë disa njerëz në skaj të kampit.
2 Kur populli ja ka nisë me i bërtitë Moisiut për ndihmë, aj i asht lutë Jehovait për ta, edhe zjarri u fik.
3 Qatij vendi ja kanë lanë emnin Tabera, se aty ka shpërthy nji zjarr pi Jehovait kundër tyne.
4 Turma e përzime e njerëzve që u konë mes tyne ja ka nisë me pasë lakmi për ushqime tjera. Edhe izraelitët ja kanë nisë prapë me kajt e me u anku: “Kush ka me na dhanë mish me hangër?
5 Sa shumë po na kujtohen peshqit që i hajshim pa pare në Egjipt, edhe trangut, bostanat, preshi, qepët edhe hudhrat!
6 Po tash këtu po ligëshemi krejt. S’po shohim kurgjo tjetër përveç kësaj mane.”
7 Mana u konë si fara e koriandrit, e për kah pamja u dokke si rrëshira e bdelit.
8 Populli dilke për me e mbledhë. E blujshin në mullinj të dorës ose e shtypnin në havan. Masanej e zijshin në tenxhere ose bojshin kulaça të rrumbullakët pi saj. Shijen e kish si kulaç i ambël me vaj.
9 Kur natën bike vesa mbi kamp, bashkë me të bike edhe mana.
10 Moisiu i ka ni njerëzit tu kajtë, familje mas familje, secili te hymja e çadrës së vet. Atëherë Jehovai asht zemëru shumë, edhe Moisiu u mërzit e u nervozu.
11 Moisiu i ka thanë Jehovait: “Pse po ma bon kështu mu, shërbëtorit tand? Pse s’po ma jep pëlqimin tand? Pse ma ke lanë mbi supe barrën e krejt këtij populli?
12 A jom unë aj që e ka majtë këtë popull në bark? A i kom lindë unë këta, që ti po më thu me i bartë në gji, qysh e bart nji njeri nji bebe për të cilën kujdeset, edhe me i çu në vendin që ua ke premtu me betim të parëve të tyne?
13 Ku me gjetë unë mish për krejt këta njerëz? Ata veç po më kajnë para syve edhe po më thojnë: ‘Na jep mish me hangër!’
14 Unë s’muj me e bartë vetë barrën e krejt këtij populli. Kjo asht tepër për mu.
15 Nëse ki me vazhdu me më trajtu kështu, atëherë ma mirë më myt menjëherë. Nëse e kom pëlqimin tand, mos më le me pa ma këtë të keqe.”
16 Jehovai i ka thanë Moisiut: “Zgjedhi për mu 70 burra pi pleqtë e Izraelit, ata që ti e din se jonë pleq edhe përgjegjës të popullit. Silli te çadra e takimit, edhe le të rrijnë aty bashkë me ty.
17 Unë kom me zhdryp aty edhe kom me folë me ty. Kom me marrë nji pjesë pi frymës që asht mbi ty edhe kom me ua dhanë atyne. Ata kanë me të ndihmu me e bartë barrën e popullit, që mos me pasë nevojë me e bartë krejt vetë.
18 Popullit thuji: ‘Pastroni veten për nesër, se keni me hangër mish pa tjetër. Ju keni kajtë para Jehovait edhe keni thanë: “Kush ka me na dhanë mish me hangër? Në Egjipt e kemi pasë ma mirë.” Për qata Jehovai ka me ju dhanë mish, edhe ju keni me hangër.
19 S’keni me hangër veç nji ditë, as dy ditë, as pesë, as dhjetë, as njëzet ditë,
20 po nji muj të tanë, deri sa t’ju dalë pi hune e t’ju gërditet. Se ju e keni refuzu Jehovain që asht mes juve, edhe keni kajtë para tij tu thanë: “Pse kemi dalë na pi Egjiptit?”’”
21 Atëherë Moisiu i ka thanë: “Unë jom këtu mes nji populli që i ka 600 000 burra të aftë për luftë, e ti po thu: ‘Unë kom me ju dhanë mish, edhe ata kanë me pasë boll me hangër për nji muj të tanë!’
22 A kish me ju dalë boll, edhe me i therë krejt kopetë e deleve, dhive e gjedhëve? A kish me ju dalë boll, edhe me i zanë krejt peshqit e detit për ta?”
23 Jehovai i ka thanë Moisiut: “A mos asht dora e Jehovait tepër e shkurtë? Tash ki me pa vetë a ka me ndodhë qysh po thom unë, a jo.”
24 Atëherë Moisiu ka dalë jashtë edhe ia ka kallxu popullit fjalët e Jehovait. Masanej i ka zgjedhë 70 burra pi pleqtë e popullit edhe i ka vendosë me nejtë përreth çadrës.
25 Jehovai ka zhdryp në nji re edhe ka folë me të. Aj ka marrë nji pjesë pi frymës që u konë mbi Moisiun edhe ua ka dhanë secilit pi 70 pleqve. Sapo fryma ka ardhë mbi ta, ata ja kanë nisë me u sillë si pejgamberë. Ama ma vonë s’e kanë bo prapë.
26 Dy pi burrave që emnat ju u konë shënu, hala kishin metë në kamp. Njani e kish emnin Eldad, e tjetri Medad. Edhe pse ata s’kishin dalë te çadra, fryma ka ardhë edhe mbi ta. Kështu ata ja kanë nisë me u sillë si pejgamberë mrena në kamp.
27 Nji djalë i ri ka vrapu te Moisiu edhe i ka kallxu: “Eldadi edhe Medadi po sillen si pejgamberë mrena në kamp!”
28 Atëherë Josiu, djali i Nunit, që u konë shërbëtor i Moisiut qysh pi rinisë së vet, ka thanë: “O zotnia jem Moisi, ndali ata!”
29 Po Moisiu i ka thanë: “A po të pengon kjo për hatrin tem? Unë kisha pasë qef që krejt populli i Jehovait me konë pejgamberë, edhe Jehovai me ua dhanë frymën e vet krejtve.”
30 Ma vonë Moisiu edhe pleqtë e Izraelit jonë kthy prapë në kamp.
31 Masanej Jehovai ka çu nji erë që i ka pru shkurtat pi ana e detit edhe i ka lshu përreth kampit. Ato u shtrinë rreth krejt kampit, deri në nji largësi sa ec njeriu për nji ditë në njanën anë, edhe po aq në anën tjetër. Shkurtat u konë deri në nji naltësi prej dy kutësh mbi tokë.
32 Populli ka nejtë në kambë tanë ditën, tanë natën edhe krejt ditën tjetër, tu i mbledhë shkurtat. Secili i ka mbledhë së paku 10 homerë. Masanej i kanë shtri për veti përreth kampit.
33 Po hala pa e përtypë mirë mishin që e kishin në gojë, Jehovai asht zemëru fort me popullin, edhe Jehovai i ka mytë shumë njerëz pi populli.
34 Qatij vendi ja kanë lanë emnin Kibroth-Hataava, se aty i kanë vorrosë njerëzit që kishin kallxu lakmi për me i plotësu dëshirat e veta.
35 Pi Kibroth-Hataavës populli ka vazhdu rrugën për në Hazeroth edhe ka nejtë aty.