Libri i katërt i Musës 14
1 Atëherë krejt bashkësia e ka ngritë zanin, edhe populli ka bërtitë e ka kajtë tanë natën.
2 Krejt izraelitët ja kanë nisë me u anku kundër Moisiut edhe Aaronit. Krejt bashkësia ka folë kundër tyne edhe ka thanë: “Ah, sikur të kishim dekë në Egjipt ose këtu në shkretinë!
3 Pse po na çon Jehovai në këtë vend, veç me na mytë me shpatë? Gratë edhe thminë tonë kanë me na i marrë rob. A s’asht ma mirë me u kthy në Egjipt?”
4 Madje i kanë thanë njani-tjetrit: “Hajde ta zgjedhim nji udhëheqës edhe të kthehemi në Egjipt!”
5 Atëherë Moisiu edhe Aaroni kanë ra me ftyrë për tokë para krejt bashkësisë së mbledhun të izraelitëve.
6 Josiu, djali i Nunit, edhe Kalebi, djali i Jefuneut, që kishin shku me e kontrollu vendin, i kanë shqy teshat e veta
7 edhe i kanë thanë krejt bashkësisë së izraelitëve: “Vendi nëpër të cilin kemi kalu për me e kontrollu asht shumë, shumë i mirë.
8 Nëse Jehovai asht i knaqun me neve, aj ka me na çu pa tjetër në atë vend edhe ka me na e dhanë. Asht nji vend ku rrjedh qumësht edhe mjaltë.
9 Veç mos u çoni kundër Jehovait! Edhe mos u tutni pi popullit të atij vendi, se na kemi me i përpi ata. Ata s’kanë ma mbrojtje, e Jehovai asht në anën tonë. Mos u tutni pi tyne!”
10 Po krejt bashkësia ka folë për me i gjujtë me gurë. Atëherë lavdia e Jehovait ju ka shfaqë krejt popullit të Izraelit mbi çadrën e takimit.
11 Masanej Jehovai i ka thanë Moisiut: “Deri kur ky popull ka me vazhdu me më përbuzë? Edhe deri kur s’kanë me pasë besim në mu, edhe pse kom bo kaq shumë mrekulli mes tyne?
12 Unë kom me ua çu murtajën edhe kom me i përzanë. E pi teje kom me bo nji popull ma të madh edhe ma të fortë se ata.”
13 Po Moisiu i ka thanë Jehovait: “Atëherë egjiptianët kanë me e marrë vesh këtë, se ti me fuqinë tane e ke nxjerrë këtë popull pi mesi i tyne.
14 Ata kanë me ua kallxu këtë edhe banorëve të këtij vendi. Edhe këta e kanë ni që ti, Jehova, je mes këtij populli edhe që ju shfaqesh atyne ballë për ballë. Ti je Jehovai. Reja jote rrin mbi popullin, edhe ti ec para tyne ditën në shtyllën e resë, e natën në shtyllën e zjarrit.
15 Nëse ti e myt krejt këtë popull përnjiherë, popujt që kanë ni për famën tane kanë me thanë:
16 ‘Jehovai s’ka mujtë me e çu këtë popull në vendin që ua ka premtu me betim. Për qata i ka mytë në shkretinë.’
17 Të lutna, Jehova, le të shihet tash sa e madhe asht fuqia jote, qysh e ke premtu kur ke thanë:
18 ‘Jehovai nuk zemërohet shpejt edhe ka shumë dashni besnike. Aj i fal gabimet edhe gjynahet, ama fajtorët kurrqysh s’i len pa i dënu. Për gjynahet e baballarëve, aj i dënon edhe djemtë, deri në brezin e tretë edhe të katërt.’
19 Të lutna, fale gjynahin e këtij populli, për shkak të dashnisë tane të madhe besnike, qysh ua ke falë gjynahet pi kohës kur kanë dalë pi Egjiptit e deri tash.”
20 Atëherë Jehovai i ka thanë: “Unë po ua fali, qysh më lute ti.
21 Ama, përderisa jom gjallë, krejt toka ka me u mbushë me lavdinë e Jehovait.
22 Po asnjani pi atyne burrave që e kanë pa lavdinë teme edhe mrekullitë që i kom bo në Egjipt edhe në shkretinë, e që prapë më kanë sprovuar dhjetë herë edhe s’ma kanë ngu zanin,
23 asnjani pi tyne s’ka me e pa kurrë vendin që ua kom premtu me betim baballarëve të tyne. Jo, asnjani pi atyne që më kanë përbuzë s’ka me e pa atë vend.
24 Po shërbëtori jem Kalebi e ka pasë nji qëndrim tjetër edhe ka vazhdu me më ndjekë me krejt zemrën. Për qata unë kom me e çu pa tjetër në vendin ku ka shkelë, edhe pasardhësit e tij kanë me e marrë atë vend për veti.
25 Meqë amalekitët edhe kananitët jetojnë në luginë, nesër kthehuni edhe nisuni për në shkretinë, kah rruga e Detit të Kuq.”
26 Masanej Jehovai i ka thanë Moisiut edhe Aaronit:
27 “Deri kur kjo bashkësi e keqe ka me vazhdu me u anku kundër meje? Unë i kom ni krejt ankesat e izraelitëve.
28 Thuju atyne: ‘Jehovai po thotë: “Përderisa jom gjallë, kom me ju bo tamam qysh ju kom ni tu thanë!
29 Trupat e juve të dekun kanë me u kalbë në këtë shkretinë. Po, krejt ju që jeni regjistru, pi moshës 20 vjeç e përpjetë, krejt ju që jeni anku kundër meje.
30 Asnjani pi juve s’ka me hi në vendin që ju kom premtu me betim për me jetu aty, përveç Kalebit, djalit të Jefuneut, edhe Josiut, djalit të Nunit.
31 Edhe thminë e juve, për të cilët keni thanë që kanë me ju marrë rob, unë kom me i çu në atë vend. Ata kanë me e njoftë vendin që ju s’e keni dashtë.
32 Po trupat e juve të dekun kanë me u kalbë në këtë shkretinë.
33 Djemtë e juve kanë me konë barinj në shkretinë për 40 vjet, edhe kanë me i bartë pasojat e pabesisë së juve, deri sa edhe i fundit pi juve të përfundojë i dekun në shkretinë.
34 Ju e keni kontrollu vendin për 40 ditë. Për qata, për 40 vjet keni me i bartë pasojat e gjynaheve të juve, për çdo ditë nji vit, për çdo ditë nji vit. Kështu keni me e kuptu qka domethanë me m’u kthy kundër.
35 Unë, Jehovai, kom folë. Kështu kom me vepru me krejt këtë bashkësi të keqe që jonë bashku kundër meje: Në këtë shkretinë kanë me e gjetë fundin e tyne, edhe këtu kanë me dekë.
36 Burrat që Moisiu i ka çu me e kontrollu vendin, e që kur jonë kthy, me lajmin e tyne të keq e kanë shty krejt bashkësinë me u anku kundër Moisiut,
37 po, qata burra që e kanë pru lajmin e keq për vendin, kanë me u dënu edhe kanë me dekë para Jehovait.
38 Po Josiu, djali i Nunit, edhe Kalebi, djali i Jefuneut, që kanë shku bashkë me të tjerët për me e kontrollu vendin, kanë me metë gjallë pa tjetër.”’”
39 Kur Moisiu ua ka kallxu këto fjalë izraelitëve, krejt popullin e ka kapë nji pikëllim i madh.
40 Përveç kësaj, ata jonë çu herët në mëngjes edhe kanë tentu me hyp në maje të malit. Kanë thanë: “Na kemi bo gjynah. Po tash jemi gati me hyp në vendin për të cilin ka folë Jehovai.”
41 Po Moisiu ju ka thanë: “Pse po e shkelni urdhnin e Jehovait? Kështu s’keni me arritë kurgjo.
42 Mos hypni nalt, se Jehovai s’asht me ju. Armiqtë kanë me ju mundë.
43 Se atje keni me u përballë me amalekitët edhe kananitët, edhe keni me dekë pi shpatës. Meqë ju ja keni kthy shpinën Jehovait edhe s’po e ndiqni ma, Jehovai s’ka me ju ndihmu.”
44 Po ata e kanë marrë guximin me u nisë për me hyp në maje të malit. Ama arka e besëlidhjes së Jehovait edhe Moisiu s’jonë largu pi mesi i kampit.
45 Atëherë amalekitët edhe kananitët që jetojshin në atë mal kanë zhdryp poshtë edhe i kanë sulmu. I kanë mundë edhe i kanë shpërnda deri në Horma.