Libri i katërt i Musës 24

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Kur Bileami e ka pa që Jehovai dojke me e beku Izraelin, s'ka shku ma me lypë shenja që paralajmrojnë fatkeqësi, po e ka kthy ftyrën kah shkretina.

2 Kur Bileami i ka çu sytë edhe e ka pa Izraelin tu nejtë nëpër kampe, të radhitun sipas fiseve, fryma e Zotit ka ardhë përmi të.

3 Atëherë i ka thanë këto fjalë: “Fjalët
e Bileamit, djalit të Beorit, fjalët e
nji burri që i jonë çelë sytë,

4 fjalët e atij që i ngon fjalët e Zotit,
që e ka pa nji vegim pi të
Plotfuqishmit, që ka ra përtokë me sy të çelun:

5 Sa të bukura jonë çadrat e tua,
o Jakob, vendbanimet e tua, o Izrael!

6 Ato shtrihen larg, si luginat, si
kopshtet ngat lumit, si drunjt e
aloes që i ka mbjellë Jehovai,
si drunjt e kedrit ngat ujit.

7 Uji rrjedh pa u nalë pi dy kovave të tij të
lëkurës, edhe fara e tij mbillet aty ku ka shumë
ujë. Mbreti i tij ka me konë ma i madh se
Agagu, edhe mbretnia e tij ka me u ngritë nalt.

8 Zoti po e nxjerr pi Egjiptit. Për të, Zoti asht
si brinat e nji demi të egër. Aj ka me
i përpi popujt që e shtypin, ka me ua brejtë
eshtnat edhe ka me i copëtu me shigjetat e veta.

9 Aj asht ulë galiç edhe asht shtri si
luani, e kush guxon me e çu luanin pi
vendit? Kush të bekon ty, asht i bekum,
e kush të mallkon ty, asht i mallkum.”

10 Atëherë Balaku u idhnu shumë me Bileamin. I ka përplasë durt me përbuzje edhe i ka thanë Bileamit: “Unë të kom thirrë me i mallku armiqtë e mi, po ti tash tri herë veç i ke beku.

11 Shko tash menjiherë në shpi. Unë kom pasë ndërmend me të shpërbly shumë mirë, po qysh po e sheh, Jehovai s'të ka lanë me e marrë shpërblimin.”

12 Bileami i ka thanë Balakut: “A s'ua kom thanë edhe njerëzve që i ke çu te unë:

13 ‘Edhe nëse Balaku ma jep shpinë e vet plot argjend e dukat, unë s'muj me bo kurgjo me kry tem kundër urdhnit të Jehovait, as mirë e as keq. Unë kam me thanë veç qka më thotë Jehovai.’

14 E tash unë po shkoj te populli jem. Hajde, se po ta kallxoj qka ka me i bo ky popull popullit tand në të ardhmen.”

15 Masanej i ka thanë këto fjalë: “Fjalët
e Bileamit, djalit të Beorit, fjalët e
nji burri që i jonë çelë sytë,

16 fjalët e atij që i ngon fjalët e Zotit,
që e ka njohuninë e ma të Naltit,
që e ka pa nji vegim pi të Plotfuqishmit,
kur ka ra përtokë me sy të çelun:

17 Unë kam me e pa atë, po jo
tash. Kam me e kqyrë, po jo së
shpejti. Nji yll ka me dalë pi Jakobit,
nji shkop mbretnor ka me u ngritë
pi Izraelit. Aj ka me ia copëtu ballin
Moabit, edhe kafkat e krejt bijve të trazirave.

18 Edomi ka me u bo pronë e dikujt, po,
Seiri ka me u bo pronë e armiqve të tij,
ndërkohë që Izraeli ka me kallxu sa trim asht.

19 Njoni pi Jakobit ka me i nënshtru të tjerët, aj ka
me e zhdukë secilin që ka mbetë gjallë në qytet.”

20 Kur e ka pa Amalekun, ka vazhdu me
këto fjalë: “Amaleku u konë i pari mes
popujve, po në fund ka me u zhdukë.”

21 Kur i ka pa kenitët, ka vazhdu me këto fjalë:
“Vendbanimi yt asht i sigurt, vendi ku banon asht përmi shkamb.

22 Po dikush ka me e djegë Kajinin.
Edhe sa kohë ka me kalu derisa Asiria të merr rob?”

23 Edhe ka vazhdu me këto fjalë: “Mjerë! Kush ka
me mbetë gjallë kur Zoti ta bojë këtë?

24 Anijet kanë me ardhë pi brigjet e Kitimit.
Ato kanë me e shtypë Asirinë.
Kanë me e shtypë Eberin.
Po edhe aj ka me u shkatërru krejt.”

25 Masanej Bileami asht nisë për në shpi. Edhe Balaku ka shku n'rrugë të vet.