Libri i katërt i Musës 32

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Djemtë e Rubenit edhe djemtë e Gadit kishin shumë bagëti, edhe e kanë pa që vendi i Jazerit edhe vendi i Gileadit u konë shumë i mirë për me i majtë kopetë e bagëtive.

2 Për qata djemtë e Gadit edhe djemtë e Rubenit kanë shku te Moisiu, te prifti Eleazar edhe te krerët e bashkësisë, edhe kanë thanë:

3 “Atarothi, Diboni, Jazeri, Nimra, Heshboni, Eleale, Sebami, Nebo edhe Beoni,

4 krejt ky vend që Jehovai e ka pushtu për bashkësinë e Izraelit, asht i mirë për me i majtë kopetë e bagëtive, e na, shërbëtorët e tu, kemi shumë bagëti.”

5 Masanej kanë thanë: “Nëse e kemi pëlqimin tand, atëherë na lejo neve, shërbëtorëve të tu, me e marrë këtë vend për pronë, që mos me pasë nevojë me kalu përtej Jordanit.”

6 Moisiu ju ka thanë djemve të Gadit edhe djemve të Rubenit: “A vllaznit e juve me shku në luftë, e ju me nejtë këtu?

7 Pse po doni me ua hupë guximin izraelitëve, që mos me kalu në vendin që Jehovai ka me ua dhanë pa tjetër?

8 Qeshtu kanë bo edhe baballarët e juve, kur i kom çu pi Kadesh-Barnea për me e kqyrë vendin.

9 Kur kanë shku në luginën e Eshkolit edhe e kanë pa vendin, ata ua kanë hupë guximin izraelitëve, sa që s’kanë dashtë me hi në vendin që Jehovai dojke me ua dhanë.

10 Atëherë Jehovai asht zemëru shumë edhe ka bo be:

11 ‘Burrat pi moshës 20 vjeç e përpjetë, që kanë dalë pi Egjiptit, s’kanë me e pa vendin që unë ua kom premtu me betim Abrahamit, Isakut edhe Jakobit, se ata s’më kanë ndjekë me krejt zemrën,

12 përveç Kalebit, djalit të Jefuneut, kenizitit, edhe Josiut, djalit të Nunit, se ata e kanë ndjekë Jehovain me krejt zemrën.’

13 Atëherë Jehovai asht zemëru shumë me Izraelin edhe i ka lanë me bredhë nëpër shkretinë për 40 vjet, deri sa ka dekë krejt ai brez që ka bo qka u konë e keqe në sytë e Jehovait.

14 E tash ju po dilni në vend të baballarëve të juve, si nji brez njerëzish me gjynahe, që po e shtoni edhe ma shumë zemërimin e Jehovait kundër Izraelit.

15 Nëse ju ja ktheni shpinën Jehovait, aj ka me e lanë prapë popullin në shkretinë, edhe ju keni me i çu krejt në shkatërrim.”

16 Ma vonë ata jonë afru te Moisiu edhe i kanë thanë: “Na lejo me ndërtu këtu rrethoja pi guri për bagëtinë tonë edhe qytete për thminë tonë.

17 Po na vetë kemi me u bo gati për luftë edhe kemi me ecë përpara izraelitëve, deri sa t’i çojmë në vendin e tyne. Ndërkohë, thmia jonë kanë me nejtë të mbrojtun në qytetet e fortifikueme, që mos me ju bo dam banorët e këtij vendi.

18 Na s’kemi me u kthy në shpijat tona, deri sa secili pi izraelitëve ta ketë marrë tokën e vet për trashëgimi.

19 Na s’kemi me marrë trashëgimi bashkë me ta në anën tjetër të Jordanit, se neve na ka ra trashëgimia në anën lindore të Jordanit.”

20 Moisiu ju ka thanë: “Bani kështu: Armatosuni para Jehovait për luftë,

21 edhe secili pi juve, i armatosun, ka me kalu Jordanin para Jehovait. Kur aj t’i ketë përzanë armiqtë e vet përpara tij,

22 edhe vendi të jetë pushtu para Jehovait, atëherë muni me u kthy edhe s’keni me pasë faj as para Jehovait, as para Izraelit. Atëherë ky vend ka me u bo prona e juve para Jehovait.

23 Po nëse s’e boni këtë, keni me bo gjynah kundër Jehovait. Edhe dijeni mirë që keni me dhanë llogari për gjynahin e juve.

24 Pra, muni me ndërtu qytete për thminë e juve edhe rrethoja për delet e dhitë e juve, po premtimin që e keni bo duhet me e majtë.”

25 Djemtë e Gadit edhe djemtë e Rubenit i kanë thanë Moisiut: “Zotni, na, shërbëtorët e tu, kemi me bo qysh po na urdhnon ti.

26 Thmia jonë, gratë tona, bagëtia jonë edhe krejt kafshët që i mbajmë kanë me metë atje në qytetet e Gileadit,

27 po na, shërbëtorët e tu, kemi me kalu përtej Jordanit, secili i armatosun e i gatshëm për luftë, për me luftu para Jehovait, tamam qysh po thu ti, zotni.”

28 Atëherë Moisiu i ka dhanë udhëzime për këtë punë priftit Eleazar, Josiut, djalit të Nunit, edhe krerëve të farefiseve të fiseve të Izraelit.

29 Moisiu ju ka thanë: “Nëse djemtë e Gadit edhe djemtë e Rubenit e kalojnë Jordanin bashkë me ju, secili i armatosun për luftë para Jehovait, edhe vendi pushtohet pi juve, atëherë jepjau atyne vendin e Gileadit për pronë.

30 Po nëse ata nuk armatosen edhe nuk kalojnë bashkë me ju, atëherë kanë me u vendosë bashkë me ju në vendin e Kanaanit.”

31 Atëherë djemtë e Gadit edhe djemtë e Rubenit ju kanë përgjigjë: “Na kemi me bo qka na ka thanë Jehovai neve, shërbëtorëve të tu.

32 Kemi me kalu të armatosun para Jehovait në vendin e Kanaanit, po toka që kemi me e marrë për trashëgimi ka me konë në këtë anë të Jordanit.”

33 Atëherë Moisiu ua ka dhanë atyne, djemve të Gadit, djemve të Rubenit edhe gjysmës së fisit të Manaseut, djalit të Jozefit, mbretninë e Sihonit, mbretit të amoritëve, edhe mbretninë e Ogut, mbretit të Bashanit. Kjo përfshinte krejt tokën që ju takonte qyteteve në ato vende, bashkë me qytetet përreth.

34 Djemtë e Gadit i kanë ndërtu qytetet Dibon, Ataroth, Aroer,

35 Atroth-Shofan, Jazer, Jogbeha,

36 Beth-Nimra edhe Beth-Haran. I kanë bo këto qytete të fortifikueme edhe kanë ndërtu rrethoja pi guri për delet edhe dhitë.

37 Djemtë e Rubenit i kanë ndërtu qytetet Heshbon, Eleale, Kirjathaim,

38 Nebo edhe Baal-Meon, që ju jonë ndrru emnat, si edhe Sibma. Ata ja kanë nisë me ua ndrru emnat qyteteve që i kanë ndërtu prapë.

39 Djemtë e Makirit, djalit të Manaseut, kanë shku në Gilead, e kanë pushtu atë vend edhe i kanë përzanë amoritët pi aty.

40 Masanej Moisiu ia ka dhanë Gileadin Makirit, djalit të Manaseut, edhe aj u vendos aty.

41 Jairi, djali i Manaseut, ka shku me luftu kundër tyne edhe ua ka marrë fshatrat me çadra. Masanej ua ka lanë emnin Havoth-Jair.

42 Edhe Nobahu ka shku në luftë edhe e ka pushtu Kenathin bashkë me vendbanimet që i takojshin atij. Masanej ia ka lanë emnin e vet, Nobah.