Libri i parë i Musës 19
1 Dy melaqet kanë ardhë në Sodomë në mramje. Loti u konë ulun te dera e qytetit të Sodomës. Kur i ka pa, asht çu, ka shku me ju dalë përpara edhe asht përkulë me ftyrë kah toka.
2 Aj u ka thanë: “Ju lutna, zotni, hajdeni në shpinë tem, te shërbtori juaj, edhe rrini sonte te unë. Lani kambët edhe nesër herët muneni me u nisë e me vazhdu rrugën.” Po ata i kanë thanë: “Jo, na kemi me e kalu natën në sheshin e qytetit.”
3 Po Loti ka ngulë kambë aq shumë, sa që ata kanë shku me të në shpinë e tij. Masanej aj u ka përgatitë nji darkë të mirë, ka pjekë bukë pa tharm edhe ata kanë hangër.
4 Para se me ra me flejtë, burrat e qytetit e kanë rrethu shpinë, krejt burrat e Sodomës, pi ma të rinjve e deri te ma të vjetrit.
5 Ata kanë nisë me i bërtitë Lotit: “Ku jonë ata burrat që kanë ardhë sonte te ti? Qiti jashtë te na, se po dojmë me pasë marrëdhënie seksuale me ta.”
6 Atëherë Loti ka dalë jashtë te ata edhe e ka mshelë derën mrapa vetes.
7 Aj u ka thanë: “Ju lutna, vllazni, mos e boni qet sen të keq.
8 Ju lutna, unë i kom dy çika që kurr s’kanë pasë marrëdhënie me burrë. Më leni me jua qitë ato jashtë, edhe boni me to qka të doni. Po qityne burrave mos ju boni kurgjo, se ata kanë ardhë nën kulmin tem edhe jonë nën mbrojtjen teme.”
9 Po ata kanë bërtitë: “Largohu pi rrugës!” Edhe kanë thanë: “Ky njeri ka ardhë këtu si i huj, e tash po don me na u bo gjykatës! Tash ty kemi me ta bo edhe ma keq se atyne!” Ata e kanë shty Lotin edhe kanë dashtë me e thy derën.
10 Atëherë burrat që jonë konë mrena në shpi e kanë kapë Lotin, e kanë tërhjekë mrena edhe e kanë mshelë derën.
11 Masanej i kanë verbu burrat që jonë konë te dera e shpisë, pi ma të voglit e deri te ma i madhi, sa që ata jonë lodhë tu e lypë derën.
12 Masanej burrat i kanë thanë Lotit: “A e ki edhe najkon tjetër këtu? Dhëndurët, djemtë, çikat edhe krejt njerëzit e tu që i ki në qytet, nxirri pi këtij veni!
13 Se na kemi me e shkatërru qet ven, sepse klithmat kundër njerëzve të këtij qyteti jonë bo shumë të mëdhaja edhe i kanë mbërri Jehovait. Për qata Jehovai na ka çu me e shkatërru qytetin.”
14 Atëherë Loti ka shku te dhëndurët e vet, që kishin me u martu me çikat e tij, edhe vazhdimisht u ka thanë: “Shpejt! Ikni pi këtij veni, se Jehovai ka me e shkatërru qytetin!” Po dhëndurët e tij kanë menu që aj po bon hajgare.
15 Kur ka nisë me zbardhë dita, melaqet kanë nisë me e ngutë Lotin, tu i thanë: “Shpejt! Merre grun tande edhe dy çikat e tua që jonë këtu me ty, që mos me u zhdukë edhe ti kur qyteti ka me u dënu për gjynahun e vet!”
16 Po Loti hala po vonohej, e burrat e kanë kapë për dore atë, grun e tij edhe dy çikat e tij, se Jehovait i ka ardhë gjynah për të. Ata i kanë nxjerrë jashtë edhe i kanë lanë jashtë qytetit.
17 Sapo i kanë nxjerrë jashtë qytetit, njoni pi tyne ka thanë: “Ik shpejt me shpëtu jetën! Mos kqyr mbrapa! Mos u nal kërkund në krejt atë anë! Ik në male, që mos me u zhdukë!”
18 Po Loti u ka thanë: “Të lutna, Jehova, jo atje!
19 Të lutna! Ti m’ke tregu pëlqim mu, shërbtorit tand. M’ke tregu shumë mirësi edhe ma ke shpëtu jetën. Po unë s’muj me ik në male. Po tutna mos po më ndodh naj e keqe edhe po des.
20 Të lutna, qaj qyteti atje asht afër. Unë muj me ik atje. Asht veç nji ven i vogël. A muj, të lutna, me ik atje? Asht veç nji ven i vogël. Qashtu kom me shpëtu.”
21 Aj i ka thanë: “Mirë, edhe për qet sen kom me ta marrë parasysh kërkesën edhe s’kom me e shkatërru qytetin për të cilin po fol.
22 Shpejto! Ik atje, se unë s’muj me bo kurgjo deri sa ti me mbërri atje!” Për qata atij qyteti ia kanë lanë emnin Zoar.
23 Kur Loti ka mbërri në Zoar, dilli veç ka dalë përmi tokë.
24 Atëherë Jehovai ka bo me ra shi me squfur e zjarm mbi Sodomën edhe Gomorrën. Ky shi ka ardhë pi Jehovait, pi qiellit.
25 Qashtu aj i ka shkatërru qato qytete, krejt atë anë, krejt njerëzit që kanë jetu aty edhe krejt bimët që jonë rritë në tokë.
26 Po gruja e Lotit ka nisë me kqyrë mbrapa tij edhe u bo nji shtyllë e kripës.
27 Abrahami asht çu herët në mëngjes edhe ka shku te veni ku kish nejtë para Jehovait.
28 Kur ka kqyrë poshtë kah Sodoma e Gomorra edhe kah krejt ajo anë, ka pa nji pamje të pazakontë: tym i trashë po çohej pi tokës, si tymi që del pi nji furre të madhe.
29 Pra, kur Zoti i ka shkatërru qytetet e asaj ane, e ka kujtu Abrahamin. Për qata e ka nxjerrë Lotin pi qytetet ku aj ka jetu.
30 Ma vonë, Loti ka hyp në male bashkë me dy çikat e veta, se u tutke me jetu në Zoar. Aj ka jetu me to në nji shpellë.
31 Atëherë çika e madhe i ka thanë të voglës: “Baba jonë asht plakë, edhe s’ka asnji burrë në këtë ven që munet me pasë marrëdhënie me neve, qysh asht zakon gjithkund në tokë.
32 Hajde, po i japim babës venë me pi edhe po shtrihemi me të, që me pasë pasardhës pi babës tonë.”
33 Atë mramje ato vazhdimisht i kanë dhanë babës së vet venë me pi. Masanej çika e madhe ka hy edhe asht shtri me të. Po Loti s’e ka ditë as kur ajo asht shtri e as kur asht çu.
34 Të nesërmen, çika e madhe i ka thanë të voglës: “Mbramë unë jom shtri me babën. Hajde, edhe sonte po i japim venë me pi. Masanej ti hyn edhe shtrihesh me të, që me pasë pasardhës pi babës tonë.”
35 Edhe atë natë ato vazhdimisht i kanë dhanë babës së vet venë me pi. Masanej çika e vogël ka shku edhe asht shtri me të. Po aj s’e ka ditë as kur ajo asht shtri e as kur asht çu.
36 Qashtu të dy çikat e Lotit kanë mbetë shtatzanë pi babës së vet.
37 Çika e madhe e ka lindë nji djalë edhe ia ka lanë emnin Moab. Aj asht baba i Moabitëve të sotëm.
38 Edhe çika e vogël e ka lindë nji djalë edhe ia ka lanë emnin Ben-Ami. Aj asht baba i Amonitëve të sotëm.