Libri i parë i Musës 30
1 Kur Rahila e ka pa që s’i ka lindë fëmijë Jakobit, i ka hi xhelozia për motrën e vet. Ajo i thojke vazhdimisht Jakobit: “Më jep fëmijë, se përndryshe kam me dekë.”
2 Atëherë Jakobi u nervozu shumë me Rahilën edhe i tha: “A jom unë në vend t’Zotit, që s’po t’len me pasë fëmijë?”
3 Ajo i tha: “Qe, kjo asht skllavja jem Bilha. Fli me to, që ajo me lindë fëmijë për mu, edhe unë me pasë fëmijë përmes saj.”
4 Atëherë ajo ia ka dhanë shërbëtoren e vet Bilhën për grue, edhe Jakobi ka fjetë me to.
5 Bilha ka mbetë shtatzanë edhe ia ka lindë Jakobit nji djalë.
6 Rahila ka thanë: “Zoti ka gjyku për mu. Aj ma ka ni edhe zanin edhe ma ka dhanë nji djalë.” Për qata ia ka lanë emnin Dan.
7 Bilha, shërbëtorja e Rahilës, ka mbetë prapë shtatzanë me Jakobin edhe ia ka lindë nji djalë t’dytë.
8 Rahila ka thanë: “Jom përleshë fort me motrën teme. Edhe kom fitu!” Atëherë ia ka lanë emnin Naftali.
9 Kur Lea e ka pa që ma s’po lind fëmijë, ia ka dhanë Jakobit shërbëtoren e vet Silpën për grue.
10 Silpa, shërbëtorja e Leas, ia ka lindë Jakobit nji djalë.
11 Lea ka thanë: “Çfarë fati!” Edhe ia ka lanë emnin Gad.
12 Masanej Silpa, shërbëtorja e Leas, ia ka lindë Jakobit edhe nji djalë t’dytë.
13 Lea ka thirrë: “Sa e lumtun jom! Gratë kanë me m’qujtë t’lumtun, pa dyshim.” Për qata ia ka lanë emnin Asher.
14 N’kohën e korrjes s’grunit, Rubeni ka shku n’arë edhe ka gjetë mandragora. Ai ia ka pru ato nanës së vet, Leas. Atëherë Rahila i ka thanë Leas: “T’lutna, m’i jep do pi mandragorave t’djalit tand.”
15 Lea ia ka kthy: “A s’t’mjafton që ma ke marrë burrin, po tash po don me m’i marrë edhe mandragorat e djalit tem?” Rahila i ka thanë: “Mirë atëherë. Sonte Jakobi ka me flejtë me ty, n’këmbim t’mandragorave t’djalit tand.”
16 Kur Jakobi u kthy n’mbramje pi arës, Lea i ka dalë përpara edhe i ka thanë: “Sonte ki me flejtë me mu, se unë kom pagu për këtë me mandragorat e djalit tem.” Atë natë aj ka fjetë me to.
17 Zoti e ka dëgju Leën. Ajo ka mbetë shtatzanë edhe mas nji kohe ia ka lindë Jakobit djalin e pestë.
18 Lea ka thanë: “Zoti ma ka dhanë shpërblimin tem, se unë ia kom dhanë burrit tem shërbëtoren teme.” Atëherë ia ka lanë emnin Isakar.
19 Lea ka mbetë prapë shtatzanë edhe mas nji kohe ia ka lindë Jakobit djalin e gjashtë.
20 Atëherë Lea ka thanë: “Zoti m’ka falë mu, po, mu, diçka t’mirë. Tash ma n’fund burri jem ka me m’duru, se unë ia kom lindë gjashtë djem.” Kështu ia ka lanë emnin Zebulon.
21 Masanej ajo ka lindë nji çikë edhe ia ka lanë emnin Dina.
22 Ma n’fund Zoti e ka kujtu Rahilën. Zoti e ka dëgju edhe ia ka mundësu me pasë fëmijë.
23 Ajo ka mbetë shtatzanë edhe ka lindë nji djalë. Atëherë ka thanë: “Zoti ma ka hjekë turpin!”
24 Ia ka lanë emnin Jozef edhe ka thanë: “Jehovai tash po ma shton edhe nji djalë.”
25 Menihere masi Rahila e ka lindë Jozefin, Jakobi i ka thanë Labanit: “M’le me shku, që me u kthy n’shpi, n’vendin tem.
26 M’i jep gratë e mia edhe fëmijët e mi, për të cilët t’kom shërby, që me mujtë me shku. Ti e din qysh t’kom shërby.”
27 Atëherë Labani i ka thanë: “Nëse m’ke për qejfi... E kom kuptu pi shenjave që Jehovai po m’bekon për shkak tand.”
28 Edhe ka vazhdu: “Caktoje vetë pagesën tande. Unë kam me ta dhanë.”
29 Jakobi ia ka kthy: “Ti e din qysh t’kom shërby edhe qysh i ka shku punët kopesë tande kur e kom pasë unë nën kujdes.
30 Para se me ardhë unë, s’ke pasë shumë, po kopeja jote asht shtu edhe asht ba gjithnjë e ma e madhe. Qysh kur jom këtu, Jehovai t’ka beku. Tash edhe unë du me ba diçka për familjen teme.”
31 Atëherë Labani e ka vetë: “Qka me t’dhanë?” Jakobi ia ka kthy: “S’ki nevojë me m’dhanë kurgjo! Unë kam me vazhdu me ta kullotë edhe me ta rujtë kopenë, nëse e ban këtë nji sen për mu:
32 Sot kam me kalu nëpër krejt kopenë tande. Ti i ndan krejt delet me pika e me lara, edhe krejt deshtë e rinj ngjyrë kafe t’errët, si edhe krejt dhitë femra me lara e me pika. Këto ka me m’konë pagesa jem pi tash e tutje.
33 Kur t’vish naj ditë ma vonë me pa pagesën teme, ndershmëria jem ka me folë për mu. Nëse te unë gjen dhi femra që s’kanë pika a lara, ose deshtë e rinj që s’jonë ngjyrë kafe t’errët, mundesh me i llogaritë si t’vjedhuna.”
34 Labani ia ka kthy: “Mirë! Le t’bahet qashtu qysh the.”
35 Atë ditë aj i ka nda cjeptë me vija e me lara, edhe krejt dhitë femra me pika e me lara, krejt ato që kishin vende t’bardha, edhe krejt deshtë e rinj ngjyrë kafe t’errët. Masanej ia ka dhanë djemve t’vet.
36 Pastaj aj i ka nda kopetë e veta pi kopesë që e ruante Jakobi, aq larg sa duheshin tri ditë rrugë. Jakobi ka vazhdu me i rujtë kafshët e tjera t’Labanit.
37 Jakobi ka marrë degë t’freskëta, t’prera pi drunjt e storaksit, t’bajames edhe t’rrapit. Ua ka hjekë lëvoren në disa vende, që me u pa druni i bardhë.
38 Shkopinjtë që ua ka hjekë lëvoren i ka qitë n’kanalet e ujit, n’koritat ku vinin kopetë me pi ujë, që kafshët me u nxe për çiftim përpara shkopinjve kur vinin me pi.
39 Kështu kopetë u nxehshin për çiftim përpara shkopinjve edhe kanë lindë të vegjël me vija, me pika e me lara.
40 Pastaj Jakobi i ka nda deshtë e rinj edhe i ka kthy kopetë ashtu që me i pasë përpara kafshët me vija edhe krejt ato ngjyrë kafe t’errët që ishin n’kopetë e Labanit. Masanej i ka nda kopetë e veta edhe s’i ka përzi me kopetë e Labanit.
41 Sa herë që kafshët e forta u nxehshin për çiftim, Jakobi i ka qitë shkopinjtë n’koritat e ujit para syve t’kopeve, që me u nxe për çiftim afër shkopinjve.
42 Po kur kafshët u konë t’dobëta, aj s’i ka qitë shkopinjtë aty. Kështu Labani i ka marrë gjithmonë kafshët e dobëta, kurse Jakobi ato t’fortat.
43 Kështu aj burrë asht ba gjithnjë e ma i pasun edhe n’fund ka pasë kope t’mdhaja, shërbëtorë e shërbëtore, deve e gomarë.