Libri i parë i Musës 31

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Mas nji kohe, Jakobi i ka ni djemt e Labanit tu thanë: “Jakobi ia ka marrë krejt qka ka pasë baba jonë. Qashtu aj e ka mbledhë krejt qat pasuni.”

2 Jakobi e ka pa pi ftyrës t’Labanit që aj s’u konë ma si përpara me to.

3 Ma n’fund Jehovai i ka thanë Jakobit: “Kthehu n’vendin e t’parëve tu edhe te t’afërmit e tu, edhe unë kam me vazhdu me konë me ty.”

4 Atëherë Jakobi ka çu fjalë te Rahila edhe Lea, që me ardhë n’arë, te kopeja e tij.

5 Edhe ju ka thanë:
“E kom pa që baba juj s’asht ma si përpara me mu, po Zoti i babës tem m’ka nejtë afër.

6 Ju e dini edhe vetë që i kom shërby babës tuj me krejt fuqinë teme.

7 Po baba juj ka dashtë me m’mashtru. Ma ka ndrru pagesën dhjetë herë, po Zoti s’e ka lanë me m’ba dam.

8 Kur baba juj thojke: ‘Kafshët me pika kanë me konë pagesa jote’, krejt kopeja lindke veç të vegjël me pika. Po kur thojke: ‘Kafshët me vija kanë me konë pagesa jote’, atëherë lindshin veç kafshë me vija.

9 Qashtu Zoti vazhdimisht ia ka marrë bagëtinë babës tuj edhe ma ka dhanë mu.

10 Nji herë, kur kopeja jem u nxeh për çiftim, e kom pa n’andërr që cjeptë me vija, me pika e me lara po çiftoshin me kopenë.

11 Atëherë melaqja e Zotit t’vërtetë m’ka thanë n’andërr: ‘Jakob!’ Edhe unë i kom thanë: ‘Qe ku jom.’

12 Aj ka vazhdu: ‘Kqyre nalt edhe ki me pa që krejt cjeptë që po çift-o-hen me kopenë jonë me vija, me pika e me lara. Se unë e kom pa krejt qka po t’ban Labani.

13 Unë jom Zoti i vërtetë i Bethelit, aty ku ti e ke ly me vaj nji gur përkujtimor edhe m’ke dhanë nji zotim. Tash çohu, largohu pi këtij vendi edhe kthehu n’vendin ku ke lindë.’”

14 Atëherë Rahila edhe Lea ia kanë kthy: “A kemi na hala naj pjesë t’trashëgimisë n’shpinë e babës tonë?

15 Për to, na jemi si t’hueja. Aj na ka shitë edhe i ka harxhu paret që i ka marrë për neve.

16 Krejt pasunia që Zoti ia ka marrë babës tonë na takon neve edhe fëmijëve tonë. Për qata bane krejt qka t’ka thanë Zoti.”

17 Atëherë Jakobi u çu edhe i ka hypë fëmijët e vet edhe gratë e veta mbi deve.

18 E ka marrë krejt kopenë edhe krejt pasuninë që e kish fitu, krejt bagëtinë që e kish mbledhë n’Padan-Aram, edhe u nis me shku te baba i vet Isaku, n’vendin e Kananit.

19 Labani u konë shku me i qethë delet, e Rahila ia ka vjedhë babës së vet statujat Terafim.

20 Jakobi ia ka hedhë Labanit, arameasit, tu ikë pa i kallxu.

21 Aj u nis shpejt bashkë me krejt qka kish edhe e ka kalu lumin Eufrat. Masanej ka vazhdu drejt maleve t’Gileadit.

22 Ditën e tretë, dikush i ka kallxu Labanit që Jakobi kish ikë.

23 Atëherë aj i ka marrë vllaznit e vet edhe e ka ndjekë Jakobin. Mas shtatë ditë rrugë e ka nxanë n’malet e Gileadit.

24 Atë natë Zoti i asht shfaqë n’andërr Labanit, arameasit, edhe e ka paralajmëru: “Ki kujdes qka i thu Jakobit, qoftë mirë a keq.”

25 Labani e ka nxanë Jakobin kur aj veç e kish ngritë çadrën n’male. Edhe Labani ka ndalë bashkë me vllaznit e vet n’malet e Gileadit.

26 Atëherë Labani i ka thanë Jakobit: “Qka ke ba? Pse ma ke hedhë edhe m’i ke marrë çikat, sikur me i pasë marrë robina me shpatë?

27 Pse ke ikë tinza, ma ke hedhë edhe s’ma ke kallxu? Pse? Po t’ma kishe kallxu, t’kisha përcjellë me gëzim, me kangë, me dajre e me harpë.

28 Kështu as s’kom mujtë me i puthë nipat e mbesat e mia, as çikat e mia. Shumë pa men ke vepru.

29 Unë e kom fuqinë me ju ba dam, po mramë Zoti i babës tuj m’ka paralajmëru: ‘Ki kujdes qka i thu Jakobit, qoftë mirë a keq.’

30 Tash ti ke shku se t’ka marrë malli për shpinë e babës tand. Po pse m’i ke vjedhë zotat e mi?”

31 Jakobi i ka thanë Labanit: “Jom tutë, se kom menu që ki me m’i marrë çikat e tua me zor.

32 Kujt t’ia gjesh zotat e tu, aj le t’desë. Përpara vllaznive tonë, kontrollo krejt qka kom edhe merre qka asht e jotja.” Po Jakobi s’e ka ditë që Rahila i kish vjedhë zotat.

33 Labani ka hi n’çadrën e Jakobit, n’çadrën e Leas edhe n’çadrat e dy skllaveve, po s’i ka gjetë. Pi çadrës së Leas ka shku n’çadrën e Rahilës.

34 Rahila ndërkohë i kish qitë statujat Terafim n’koshin e shalës së deves për gra edhe u konë ulë përmi to. Labani e ka kontrollu krejt çadrën, po s’ka gjetë kurgjo.

35 Rahila i ka thanë babës së vet: “Mos u nervozo, zotni jem, që s’po muj me u çu para teje, se i kom ato që i kanë gratë zakonisht.” Aj ka vazhdu me lypë me kujdes, po statujat Terafim s’i ka gjetë.

36 Jakobi u zemru edhe ia ka nisë me e qortu Labanin. I ka thanë: “Qka kom ba unë? Qfarë gjynahi kom ba që je lëshu kaq shumë mas meje?

37 Tash m’i ke kontrollu krejt senet e mia. Qka ke gjetë që asht e shpisë tande? Qite këtu përpara vllaznive të mi edhe të tu, e le t’gjykojnë mes neve dyve.

38 Krejt këto 20 vjet që kom nejtë te ti, delet edhe dhitë e tua s’e kanë humbë kurrë barrën, edhe unë kurr s’e kom hangër asnji dash pi kopesë tande.

39 Nëse bishat e egra ta kanë shqy naj kafshë, unë s’ta kom pru ty, po e kom marrë vetë humbjen përmbi veti. Edhe kur vidhej naj kafshë ditën a natën, unë u dasht me ta pagu.

40 Ditën m’ka djegë vapa, natën m’ka marrë t’ftoftit, edhe shpesh s’kom mujtë me i mshelë sytë.

41 Gjithsej 20 vjet kom nejtë n’shpinë tande. 14 vjet t’kom shërby për dy çikat e tua edhe 6 vjet për kopenë tande. E ti ma ke ndrru pagesën dhjetë herë.

42 Po mos me konë Zoti i babës tem me mu, Zoti i Abrahamit edhe Zoti t’cilit Isaku ia ka pasë tutën, ti tash m’kishe nisë duarthatë. Po Zoti e ka pa hallin tem edhe sa fort kom punu me durt e mia. Për qata mramë t’ka qortu.”

43 Labani ia ka kthy Jakobit: “Këto jonë çikat e mia, këta jonë fëmijët e mi edhe kjo asht kopeja jem. Krejt qka po sheh asht e imja edhe e çikave të mia. Qysh muj unë sot me ju ba diçka t’keqe atyne edhe fëmijëve t’tyne?

44 Hajde tash, unë e ti ta lidhim nji besë, edhe ajo le t’jetë dëshmitare mes neve.”

45 Atëherë Jakobi e ka marrë nji gur edhe e ka ngritë si gur përkujtimor.

46 Masanej Jakobi u ka thanë vllaznive t’vet: “Mblidhni gurë!” Ata kanë marrë gurë edhe i kanë ba grumbull. Pastaj kanë hangër aty, mbi grumbullin e gurëve.

47 Labani e ka qujtë Jegar-Sahadutha, kurse Jakobi e ka qujtë Galed.

48 Labani ka thanë: “Ky grumbull gurësh sot asht dëshmitar mes meje edhe teje.” Për qata ia kanë lanë emnin Galed

49 edhe Kulla e Rojës, se aj ka thanë: “Jehovai le t’rrijë roje mes meje e teje, kur s’kemi me mujtë me e pa njani-tjetrin.

50 Nëse i trajton keq çikat e mia edhe merr gra tjera, dije që Zoti asht dëshmitar mes meje e teje, edhe nëse s’ka asnji njeri me neve.”

51 Labani i ka thanë edhe: “Qe ky grumbull gurësh, edhe qe ky gur përkujtimor, që e kom ngritë mes meje e teje.

52 Ky grumbull gurësh asht dëshmitar edhe ky gur përkujtimor dëshmon që unë s’kam me kalu përtej këtij grumbulli gurësh me të ba dam ty, edhe ti s’ke me kalu përtej këtij grumbulli e këtij guri përkujtimor me m’ba dam mu.

53 Zoti i Abrahamit edhe Zoti i Nahorit, Zoti i babës t’tyne, le t’gjykojë mes neve.” Jakobi u betu për Zotin që baba i vet Isaku e ka nderu me respekt t’madh.

54 Masanej Jakobi ka dhanë kurban n’male edhe i ka thirrë vllaznit e vet me hangër bukë me to. Ata kanë hangër edhe e kanë kalu natën aty.

55 Labani u çu herët n’mëngjes, i ka puthë nipat e mbesat edhe çikat e veta edhe i ka beku. Masanej u nis për n’shpi.