Libri i parë i Musës 4

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Adami ka pas marrëdhënie me grun e vet, Evën, edhe ajo ka mbet shtatzanë. Kur e ka lind Kainin, ajo ka thanë: „Me ndihmën e Jehovait e linda nji djalë.“

2 Ma vonë ajo ka lind edhe nji fëmijë tjetër, Abelin, vllaun e Kainit. Abeli u bo bari i deleve, e Kaini e punojke tokën.

3 Nji ditë Kaini ka marrë diçka pi prodhimeve të tokës edhe ia ka çu Jehovait si kurban.

4 Edhe Abeli ka marrë disa qingja të parëlindun pi kopesë së vet, bashkë me dhjamin e tyne, edhe i ka dhanë si kurban. Jehovai e ka pa me pëlqim Abelin edhe kurbanin e tij.

5 Po Kainin edhe kurbanin e tij s'i ka pa me pëlqim. Atëherë Kaini u bo shumë nervoz edhe u mërzit fort.

6 Jehovai e ka vetë Kainin: „Pse je kaq nervoz edhe i mërzitun?

7 Nëse bon mirë, a s'kam me të pa apet me pëlqim? Po nëse s'bon mirë, gjynahi po të pret te dera edhe po don me sundu përmi ty. A ke me mujtë me e majt nën kontroll?“

8 Masanej Kaini i ka thanë vllaut të vet, Abelit: „Hajde të dalim në fushë.“ Kur jonë konë në fushë, Kaini e ka sulmu vllaun e vet, Abelin, edhe e ka mbyt.

9 Ma vonë Jehovai e ka vetë Kainin: „Ku asht vllau yt, Abeli?“ Kaini ia ka kthy: „S'e di. A jom unë rojtari i vllaut tem?“

10 Zoti i ka thanë: „Qka ke bo? Ndigjo! Gjaku i vllaut tand po bërtet kah unë pi toka.

11 Tash je i mallkum edhe po të përzaj pi tokës, që e ka çelë gojën me e marrë gjakun e vllaut tand, që ti e ke derdhë me dorën tane.

12 Kur ta punosh tokën, ajo s'ka me të dhanë ma fryt. Ti ke me ikë e me u sillë andej-knej nëpër tokë, pa pasë nji ven tandin.“

13 Atëherë Kaini i ka thanë Jehovait: „Dënimi për gjynahin tem asht shumë i randë, s'muj me e përballu.

14 Ti sot po më përzan pi kësaj toke, edhe kam me u mshef pi syve tu. Kam me ikë e me u sillë andej-knej nëpër tokë, edhe kushdo që më gjen, ka me më mbyt pa tjetër.“

15 Jehovai ia ka kthy: „Për qata, kush e mbyt Kainin, ka me u marrë hak shtatë herë.“ Atëherë Jehovai e ka caktu nji shenjë për Kainin, që kushdo që e gjen, mos me e mbyt.

16 Masanej Kaini ka shku larg pi pranisë së Jehovait edhe u vendos në lindje të Edenit, në vendin ku jetojshin të përzamit.

17 Masanej Kaini ka pas marrëdhënie me grun e vet. Ajo ka mbet shtatzanë edhe e ka lind Henokun. Masanej Kaini ka nisë me ndërtu nji qytet edhe ia ka lanë emnin Henok, simas emnit të djalit të vet.

18 Ma vonë Henokut i ka lind Iradi. Iradit i ka lind Mehujaeli, Mehujaelit i ka lind Methushaeli, edhe Methushaelit i ka lind Lameku.

19 Lameku i ka marrë dy gra. E para e ka pas emnin Ada, e dyta Zila.

20 Ada e ka lind Jabalin. Aj u konë paraardhësi i atyne që jetojnë nëpër çadra edhe rrisin bagëti.

21 Vllau i tij e ka pas emnin Jubal. Aj u konë paraardhësi i krejt atyne që i binë harfës edhe fyellit.

22 Edhe Zila e ka lind nji djalë, Tubal-Kainin, që punojke gjithfarë veglash pi bakri edhe hekuri. Motra e Tubal-Kainit e ka pas emnin Naama.

23 Masanej Lameku e ka bo këtë vjershë për gratë e veta, Adën edhe Zilën: „Ndigjomni, o gratë e Lamekut, ngoni qka po ju thom: E kom mbyt nji burrë se më ka plagosë, po, nji djalë të ri se më ka ra.

24 Nëse për Kainin ka me u marrë hak 7 herë, atëherë për Lamekun ka me u marrë hak 77 herë.“

25 Adami ka pas apet marrëdhënie me grun e vet, edhe ajo e ka lind nji djalë. Ia ka lanë emnin Set, se ka thanë: „Zoti ma ka dhanë nji pasardhës tjetër në ven të Abelit, që e ka mbyt Kaini.“

26 Edhe Setit i ka lind nji djalë, edhe ia ka lanë emnin Enosh. Në qat kohë njerëzit kanë nisë me e thirrë emnin e Jehovait.