Libri i parë i Musës 41
1 Mbas dy vjetëve t'plota, faraoni e ka pa nji andërr: Aj u konë tuj nejtë te lumi Nil,
2 kur përnjiherë pi lumit kanë dalë shtatë lopë t'bukura e t'majme, edhe kanë nisë me kullotë n'barin e Nilit.
3 Mbas tyne kanë dalë edhe shtatë lopë tjera pi Nili. Ato jonë konë t'shëmtume e t'dobëta, edhe jonë ndalë afër lopëve t'majme, te bregu i lumit.
4 Mandej lopët e shëmtume e t'dobëta i kanë hangër shtatë lopët e bukura e t'majme. Atëherë faraoni u zgju.
5 Mbas kësaj, aj e ka zanë gjumi prapë edhe e ka pa nji andërr t'dytë: E ka pa nji kërcell ku jonë konë tuj u rritë shtatë kallinj t'mbushun e t'mirë.
6 Mbas tyne kanë dalë edhe shtatë kallinj t'hollë, që i ka tha era e lindjes.
7 Kallinjtë e hollë kanë nisë me i përbi shtatë kallinjtë e mbushun e t'mirë. Atëherë faraoni u zgju edhe e ka kuptu që e ka pa nji andërr.
8 Po n'mëngjes, aj u konë shumë i shqetësum për shkak t'andrrave. Ka urdhnu me ia thirrë krejt priftat magjistarë edhe burrat e mençëm t'Egjiptit, edhe ua ka kallxu andrrat e veta. Po asnjani s'ka mujtë me ia shpjegu.
9 Atëherë kryetari i shërbyesve t'pijeve i ka folë faraonit edhe i ka thanë: “Sot po i pranoj mëkatet e mia.
10 Nji herë, faraoni u idhnu me shërbëtorët e vet edhe na ka shti n'burgun e shpisë së kryetarit t'truprojave, mu edhe kryetarin e bukëpjekësve.
11 Mandej, unë edhe aj kemi pa nga nji andërr n’t'njejtën natë. Secila andërr e ka pasë kuptimin e vet.
12 N'at kohë, me neve u konë nji djalë i ri hebre, shërbëtor i kryetarit t'truprojave. Kur ia kemi kallxu andrrat tona, aj na i ka shpjegu, secilit andrrën e vet.
13 Edhe krejt ka ndodhë bash qysh na ka thanë aj kur na i ka shpjegu andrrat. Mu m'kanë kthy prapë n'detyrën teme, kurse burrin tjetër e kanë varë.”
14 Atëherë faraoni ka urdhnu me e thirrë Josephin, edhe e kanë nxjerrë shpejt pi burgut. Josephi u rru, i ka ndërru teshat edhe ka hy te faraoni.
15 Mandej faraoni i ka thanë Josephit: “E kom pa nji andërr, po s'ka kërkush që munet me ma shpjegu. Tash m'kanë kallxu që ti, kur e ndigjon nji andërr, din me ia gjetë kuptimin.”
16 Josephi i ka thanë faraonit: “S'jom unë aj që e shpjegon. Zoti ka me i dhanë faraonit nji përgjigje t'mirë.”
17 Faraoni ka vazhdu me i thanë Josephit: “N'andrrën teme, unë u konë tuj nejtë te bregu i Nilit.
18 Përnjiherë, pi Nilit kanë dalë shtatë lopë t'bukura e t'majme, edhe kanë nisë me kullotë n'barin e Nilit.
19 Mbas tyne kanë dalë edhe shtatë lopë tjera. Ato jonë konë t'dobëta, t'ligshta edhe jonë dokë shumë keq. N'krejt Egjiptin s'kom pa kurrë lopë që jonë dokë aq keq.
20 Lopët e dobëta e t'ligshta kanë nisë me i hangër shtatë lopët e majme.
21 Po edhe masi i kanë hangër, hiç s'u vrejtke që kanë hangër diçka. Ato jonë dokë po aq keq sa përpara. Mandej jom zgju.
22 Mbas kësaj, n'andërr i kom pa shtatë kallinj t'mbushun e t'mirë, tuj u rritë n'nji kërcell.
23 Mbas tyne kanë dalë edhe shtatë kallinj t'dobët e t'hollë, që i ka tha era e lindjes.
24 Kallinjtë e hollë kanë nisë me i përbi shtatë kallinjtë e mirë. Unë ua kom kallxu këtë priftave magjistarë, po asnjani s'ka mujtë me ma shpjegu.”
25 Atëherë Josephi i ka thanë faraonit: “Të dy andrrat e faraonit e kanë t'njejtin kuptim. Zoti i vërtetë ia ka kallxu faraonit qka ka me ba.
26 Shtatë lopët e mira jonë shtatë vjet, edhe shtatë kallinjtë e mirë jonë po ashtu shtatë vjet. Të dy andrrat e kanë t'njejtin kuptim.
27 Shtatë lopët e dobëta e t'ligshta që kanë dalë mas tyne, jonë shtatë vjet. Edhe shtatë kallinjtë e zbrazët, që i ka tha era e lindjes, domethanë shtatë vjet zi buke.
28 Asht bash qysh i kom thanë faraonit: Zoti i vërtetë ia ka tregu faraonit qka ka me ba.
29 N'krejt Egjiptin kanë me ardhë shtatë vjet me bollëk shumë t'madh.
30 Po mbas tyne, pa tjetër kanë me ardhë shtatë vjet zi buke, edhe krejt bollëku që u konë n'Egjipt ka me u harru. Zija e bukës ka me e ligështu krejt vendin.
31 Zija e bukës ka me konë aq e randë, sa kërkush s'ka me e kujtu ma bollëkun që ka pasë vendi përpara.
32 Faraoni e ka pa andrrën dy herë, se Zoti i vërtetë e ka vendosë që kjo punë ka me ndodhë, edhe Zoti i vërtetë ka me e ba këtë së shpejti.
33 Për qata, faraoni duhet me gjetë nji burrë që i merr vesh punët edhe që asht i mençëm, edhe me ia lanë n'dorë me u kujdesë për krejt Egjiptin.
34 Faraoni duhet me vepru edhe me caktu mbikëqyrës n'krejt vendin, që gjatë shtatë vjetëve t'bollëkut me e mbledhë nji t'pestën e prodhimit t'Egjiptit.
35 Ata duhet me e mbledhë krejt ushqimin gjatë vjetëve t'mira që kanë me ardhë, edhe me urdhën t'faraonit me e grumbullu drithin për ushqim n'qytete edhe me e rujtë aty.
36 Këto rezerva t'ushqimit kanë me e mbajtë gjallë vendin gjatë shtatë vjetëve t'zisë së bukës që kanë me ardhë n'Egjipt, që vendi mos me u shkatërru pi urisë.”
37 Faraonit edhe krejt shërbëtorëve t'tij u ka pëlqy ky propozim.
38 Atëherë faraoni u ka thanë shërbëtorëve t'vet: “A ka najkush ma t'përshtatshëm se ky burrë, që e ka frymën e Zotit n'veti?”
39 Faraoni i ka thanë Josephit: “Kërkush s'asht aq i mençëm edhe s'i merr vesh punët si ti, se Zoti t'i ka kallxu krejt këto.
40 Unë po ta la ty personalisht n'dorë shpinë teme, edhe krejt populli jem duhet me t'ndigju pa kundërshtu. Veç unë, si mbret, kom me konë mbi ty.”
41 Faraoni i ka thanë edhe: “Qe, tash po ta la n'dorë krejt Egjiptin.”
42 Mandej faraoni e ka hjekë unazën e vet me vulë edhe ia ka shti Josephit n'dorë. Ia ka dhanë tesha pi lini t'hollë edhe ia ka vu nji zingjir t'artë rreth qafës.
43 Përveç kësaj, ka urdhnu që Josephi me u vozitë n'karrocën e tij t'dytë t'nderit, edhe njerëzit kanë thirrë para tij: “Avréch!” Kështu faraoni ia ka lanë Josephit n'dorë krejt Egjiptin.
44 Faraoni i ka thanë edhe Josephit: “Unë jom faraoni, po pa lejen tande kërkush n'krejt Egjipt s'ka me guxu me ba kurgjo.”
45 Mandej faraoni ia ka lanë Josephit emnin Zạphenath-Panẹach. Ia ka dhanë edhe Ạsenathën për grue, çikën e Potiphẹras, priftit t'Onit. Edhe Josephi ka nisë me u kujdesë për krejt Egjiptin.
46 Josephi u konë 30 vjeç kur ka dalë para faraonit, mbretit t'Egjiptit.
Mandej Josephi asht largu pi faraoni edhe e ka shëtitë krejt Egjiptin.
47 Gjatë shtatë vjetëve t'bollëkut, toka ka dhanë prodhim shumë t'madh.
48 Josephi e ka mbledhë krejt ushqimin n'Egjipt gjatë atyne shtatë vjetëve edhe e ka rujtë n'qytete. N'secilin qytet ka urdhnu me e grumbullu ushqimin pi arat përreth.
49 Josephi ka grumbullu dalëngadalë sasi shumë t'mëdhaja drithi, aq shumë sa kokrrat e ranës n'det. Ka pasë aq shumë drithë, sa ma n'fund kanë hekë dorë pi matjes së tij.
50 Para se me ardhë viti i parë i zisë së bukës, Ạsenatha, çika e Potiphẹras, priftit t'Onit, ia ka lindë Josephit dy djem.
51 Djalit t'parë Josephi ia ka lanë emnin Manạsse, se ka thanë: “Zoti ka ba që me i harru krejt mundimet e mia edhe krejt shpinë e babës tem.”
52 Djalit t'dytë ia ka lanë emnin Ẹphraim, se ka thanë: “Zoti ka ba që me pasë pasardhës n'vendin ku kom hjekë shumë.”
53 Mandej shtatë vjetët e bollëkut n'Egjipt kanë përfundu,
54 edhe kanë nisë shtatë vjetët e zisë së bukës, bash qysh ka paralajmëru Josephi. Zija e bukës asht përhapë n'krejt vendet, po n'Egjipt ka pasë bukë gjithkah.
55 Ma n'fund, edhe krejt Egjipti ka nisë me hjekë pi urisë, edhe populli ka nisë me iu lutë faraonit për bukë. Atëherë faraoni u ka thanë krejt egjiptianëve: “Shkoni te Josephi edhe bani qka t'ju thotë aj.”
56 Kur zija e bukës ka vazhdu n'krejt tokën, Josephi ka nisë me i hapë depot e drithit gjithkah edhe me ua shitë drithin egjiptianëve. Se zija e bukës e ka kaplu shumë randë Egjiptin.
57 Përveç kësaj, njerëz pi krejt vendet kanë ardhë n'Egjipt me ble drithë te Josephi, se zija e bukës e ka kaplu shumë randë krejt tokën.