Libri i parë i Musës 49
1 Masanej Jakobi i ka thirr djemtë e vet edhe u ka thanë: “Mblidhuni krejt, që me ju kallxu qka ka me ju ndodh në fund të ditëve.
2 Mblidhuni edhe ngoni, ju djemtë e Jakobit. Po, ngojeni babën tuej, Izraelin.
3 Ruben, ti je djali jem i parë, fuqia jem edhe fillimi i fuqisë teme me pas fëmijë. Ti ke pas nder ma të madh edhe fuqi ma të madhe.
4 Po je i papërmbajtshëm si uji që vërshon, e për qata s’ki me e pas vendin e parë, se ti ke ra në shtratin e babës tand. Atëherë ti ma ke flliq shtratin. Përnime, aj ka ra në të!
5 Simeoni edhe Levi jonë vllazën. Armët e tyne jonë vegla dhune.
6 O shpirti jem, mos u përzi me ta. O nderi jem, mos u bashko me grupin e tyne. Se në zemrim e sipër ata kanë vra burra, edhe për qefin e vet ua kanë pre gilcat e kambëve demave.
7 Qoftë i mallkum zemrimi i tyne, se asht mizor, edhe hidhërimi i tyne, se asht shumë i fortë. Kom me i nda nëpër Jakob edhe kom me i shpërnda nëpër Izrael.
8 Ty, Juda, kanë me të lavdu vllaznit e tu. Dora jote ka me u konë mbi zverkun e armiqve tu. Djemtë e babës tand kanë me u përkul para teje.
9 Juda asht si nji këlysh luani. Ti ki me u çu pi presë, biri jem. Aj u ka ul e u ka shtri si luan. E kush guxon me e çu pi vendit nji luan?
10 Shkopi i mbretit s’ka me u largu pi Judës, as shkopi i atij që urdhnon s’ka me u largu pi mesit të kambëve të tij, derisa të vijë Shilo. Edhe popujt kanë me iu bind atij.
11 Aj e ka lidh gomarin e vet për nji hardhi rrushi, e gomarin e ri për nji hardhi të zgjedhun. Ka me i la teshat e veta në venë, edhe petkun e vet në gjakun e rrushit.
12 Sytë e tij jonë të kuq të mbylltë pi venës, e dhomtë e tij të bardhë pi tamlit.
13 Zebuloni ka me jetu buzë detit, në bregun ku anijet i lëshojnë spirancat. Kufini i tij ma i largët ka me shku kah Sidoni.
14 Isakari asht si nji gomar me eshna të forta, që shtrihet mes dy torbave të samarit.
15 Aj ka me pa që vendi për me pushu asht i mirë edhe toka asht e bukur. Ka me e përkul supin nën barrë edhe ka me pranu me punu punë të randa.
16 Dani ka me e gjyku popullin e vet, si nji pi fiseve të Izraelit.
17 Dani ka me u konë si nji gjarpën buzë rrugës, si nji nepërkë me brina te shtegu, që e kafshon kalin te kambët e mrapme, e kalorësi rrëzohet mbrapa.
18 O Jehova, kom me prit shpëtimin që vjen pi teje.
19 Gadin ka me e sulmu nji grup plaçkitësish, po aj ka me i sulmu ata te thembrat e tyne.
20 Asheri ka me pas bukë me bollëk. Aj ka me dhanë ushqim që i ka hije nji mbreti.
21 Naftali asht si nji drenushë e hollë. Aj flet fjalë të hijshme.
22 Jozefi asht si nji degë e re e nji peme që jep shumë fryte, nji peme që rritet te burimi i ujit, e degët e saj kalojnë përmbi mur.
23 Po ata që gjujnë me hark e kanë mundu vazhdimisht, kanë gjujt me shigjeta drejt tij edhe kanë vazhdu me i dalë kundër.
24 Prapëseprapë, harku i tij ka met në vend, edhe duart e tij kanë met të forta e të shkathëta. Kjo ka ardh pi duarve të të Fuqishmit të Jakobit, pi Bariut, Gurit të Izraelit.
25 Kjo vjen pi Zotit të babës tand, e aj ka me të ndihmu. Kjo vjen pi të Gjithfuqishmit, e aj ka me të beku me bekimet e qiellit nalt, me bekimet e thellësive poshtë, edhe me bekimet e gjinjve e të barkut të nanës.
26 Bekimet e babës tand kanë me i kalu bekimet e maleve të përjetshme edhe krejt të mirat e kodrave që s’zhduken kurrë. Ato bekime kanë me met mbi kryt e Jozefit, mbi majën e kryt të atij që u zgjedh mes vllaznive të vet.
27 Benjamini ka me vazhdu me shqy si ujku. Në sabah ka me e hanger prenë, e në mramje ka me e nda plaçkën.”
28 Këto jonë krejt dymbëdhjetë fiset e Izraelit. Këto fjalë ua ka thanë baba i tyne kur i ka beku. Secilit ia ka dhanë bekimin që i përshtatej.
29 Masanej aj u ka dhanë këtë porosi: “Unë tash kom me u bashku me popullin tem. M’varrosni te të parët e mi, në shpellën që asht në arën e Efronit, hetitit,
30 në shpellën që asht në arën e Makpelës, përballë Mamres, në vendin e Kananit. Atë arë Abrahami e ka ble pi Efroni, hetiti, për me e pas si vend për varre.
31 Aty jonë varros Abrahami edhe gruja e tij Sara, edhe Isaku me grunë e vet Rebekën. Edhe unë aty e kom varros Lean.
32 Ajo arë bashkë me shpellën që asht në të, u ble pi bijtë e Hetit.”
33 Pasi Jakobi ua ka dhanë krejt këto porosi djemve të vet, i ka tërhek kambët prapë në shtrat. Masanej e ka dhanë frymën e fundit edhe u bashku me popullin e vet.