Libri i pest i Musës 11
1 Ti duhet me e dashtë Jehovain, Zotin tand, edhe gjithmonë me e kry detyrën që e ki ndaj tij, me i mbajt rregullat, vendimet e drejta edhe urdhnat e tij.
2 Ju e dini që sot po ju foli juve, e jo djemve tuj, se ata s’e kanë përjetu qysh ju ka eduku Jehova, Zoti juej, as s’e kanë pa madhështinë e tij, dorën e tij t’fortë edhe krahun e tij t’zgjatun.
3 Ata s’i kanë pa shenjat e as punët që aj i ka ba n’Egjipt kundër faraonit, mbretit t’Egjiptit, edhe kundër krejt vendit t’tij,
4 as qka ua ka ba ushtrive t’Egjiptit, kuajve edhe qerreve t’luftës t’faraonit – qysh uji i Detit t’Kuq i ka mbulu kur ju kanë ndjek juve, edhe qysh Jehova i ka shkatërru nji herë e përgjithmonë.
5 Ata s’e kanë pa as qka ka ba aj për ju n’shkretëtirë, deri kur keni ardhë këtu,
6 as qka ua ka ba Dathanit edhe Abiramit, djemve t’Eliabit, djalit t’Rubenit, kur toka u çel para syve t’krejt Izraelit edhe i ka përbi bashkë me familjet e tyne, çadrat edhe krejt njerëzit e kafshët që kanë shku mbas tyne.
7 Po ju vetë i keni pa me sytë tuj krejt ato punë t’mëdha që i ka ba Jehova.
8 Mbajini krejt urdhnat që po jua jap sot, që me u ba t’fortë edhe me kalu n’atë tokë për me e marrë për veti,
9 edhe që me jetu gjatë n’atë tokë që Jehova ua ka premtu me betim t’parëve tuj edhe pasardhësve t’tyne, nji tokë ku rrjedh tamël e mjaltë.
10 Toka që keni me e marrë nuk asht si toka e Egjiptit, pi ku keni ardhë ju. Atje, masi e keni mbjellë farën, ju u dasht me e ujitë me kambë, si nji kopsht me perime.
11 Po toka ku keni me kalu edhe që keni me e marrë, asht tokë me male e lugina, që e pin ujin e shiut pi qielli.
12 Asht nji tokë për t’cilën kujdeset Jehova, Zoti juej. Sytë e Jehovait, Zotit juej, jonë gjithmonë mbi atë tokë, pi fillimi i vitit e deri n’fund.
13 E nëse ju i mbani me kujdes urdhnat që po jua jap sot, e doni Jehovain, Zotin juej, edhe i shërbeni me krejt zemrën e me krejt shpirtin,
14 atëherë unë kam me çu shi n’tokën tuej n’kohën e duhun, shiun e vjeshtës edhe shiun e pranverës, e ju keni me mbledhë drithin, venën e re edhe vajin tuej.
15 Edhe kam me ba që n’tokën tande me u rritë bari për bagëtinë tande, e ti ke me hangër e me u ngopë.
16 Kini kujdes mos po ju mashtron zemra me shku rrugës s’gabume, me i adhuru zota tjerë edhe me u përkulë para tyne.
17 Se përndryshe, zemërimi i Jehovait ka me u ndezë kundër jush, edhe aj ka me e mbyllë qiellin, që mos me ra shi. Toka s’ka me dhanë bereqet, e ju keni me marrë fund shpejt n’atë tokë t’mirë që Jehova po jua jep.
18 Mbajini mirë n’zemër e n’shpirt këto fjalë që po jua thom, edhe lidhini n’dorë që me ju kujtu gjithmonë. Le t’ju rrinë si nji shirit n’ballë.
19 Mësojau këto fjalë fëmijëve tuj. Folni për to kur jeni ulë n’shpi, kur ecni rrugës, kur shtriheni edhe kur çoheni.
20 Shkrujini n’shtyllat e dyerve t’shpive tueja edhe n’portat tueja,
21 që ju edhe djemtë tuj me jetu gjatë n’atë tokë që Jehova ua ka premtu me betim t’parëve tuj – për aq kohë sa qielli asht mbi tokë.
22 Nëse e mbani me kujdes këtë urdhën që po jua jap edhe veproni sipas tij, e doni Jehovain, Zotin juej, ecni n’krejt rrugët e tij edhe rrini t’lidhun fort me të,
23 atëherë Jehova ka me i përzanë krejt këta popuj pi përpara jush, e ju keni me ua marrë tokat popujve që jonë ma t’fortë edhe ma t’shumtë se ju.
24 Çdo vend ku e shkelni kambën ka me konë i juaji. Kufini juej ka me shku pi shkretëtira deri te Libani, edhe pi lumi Eufrat deri te deti n’perëndim.
25 Askush s’ka me mujtë me ju dalë përballë. Jehova, Zoti juej, ka me përhapë frikë e tmerr pi ju n’krejt tokën ku keni me shkelë, qysh ju ka premtu.
26 Shihni, sot po jua qes përpara nji bekim edhe nji mallkim:
27 bekimin, nëse i mbani urdhnat e Jehovait, Zotit juej, që po jua jap sot,
28 edhe mallkimin, nëse s’i mbani urdhnat e Jehovait, Zotit juej, nëse dilni pi rruga që po jua tregoj sot edhe shkoni mas zotave që s’i keni njoft.
29 Kur Jehova, Zoti yt, ka me të çu n’atë tokë që ki me e marrë për veti, ti duhet me e shpallë bekimin n’malin Gerizim edhe mallkimin n’malin Ebal.
30 Këta male jonë n’anën tjetër t’Jordanit, kah perëndimi, n’tokën e kananitëve që jetojnë n’Araba, përballë Gilgalit, afër drunjve t’mëdhenj t’Mores.
31 Ju tash po e kaloni Jordanin për me hy n’atë tokë që po jua jep Jehova, Zoti juej, edhe për me e marrë për veti. Kur ta merrni atë tokë edhe jetoni aty,
32 atëherë kini shumë kujdes me i mbajt krejt rregullat edhe vendimet e drejta që po jua qes përpara sot.