Libri i pest i Musës 12
1 Këto jonë rregullat edhe vendimet që duhet me i zbatu me shumë kujdes, për sa kohë që jetoni në tokën që Jehovai, Zoti i t’parëve tuj, ka me jua dhanë si pronë.
2 Ju duhet me i shkatërru krejtësisht krejt venet ku popujt, të cilëve keni me ua marrë tokën, u kanë shërby zotave të tyne, qoftë në male të nalta, në kodra a nën naj dru me shumë gjethe.
3 Rrëzojani altarët, copëtojani shtyllat e shenjta, digjani shtyllat e tyne të shenjta prej drunit, rrëzojani figurat e zotave të tyne edhe fshijani emnat e tyne pi atyne veneve.
4 Ju s’guxoni me e adhuru Jehovën, Zotin tuj, në qat mënyrë.
5 Përkundrazi, lypeni Jehovën, Zotin tuj, në venin që aj ka me e zgjedhë në krejt tokat e fiseve tuja, që emni i tij me u nderu aty edhe aj me e pasë aty venin ku banon. Shkoni atje.
6 Çoni atje kurbanet tuja që digjen krejt, kurbanet tjera me kafshë, të dhjetat tuja, atë që e jepni pi dorës suj, kurbanet që i keni premtu, dhuratat që i jepni me qef edhe të parëlindunit e bagëtive tuja të mëdhaja edhe të vogla.
7 Aty hani para Jehovait, Zotit tuj, bashkë me familjet e juve, edhe gëzohuni për krejt qka keni arritë, se Jehovai, Zoti tuj, ju ka beku.
8 Mos boni qysh po bojmë na sot këtu, ku secili po bon qka i doket vetit drejt.
9 Se ju hala s’keni mrritë në venin e pushimit edhe te trashëgimia që Jehovai, Zoti tuj, po jua jep.
10 Ama kur ta kaloni Jordanin edhe të jetoni në tokën që Jehovai, Zoti tuj, po jua jep si pronë, aj patjetër ka me ju dhanë qetësi pi krejt armiqve që i keni përreth, edhe ju keni me jetu të sigurt.
11 Në venin që Jehovai, Zoti tuj, ka me e zgjedhë për emnin e vet, çoni krejt qka po ju urdhnoj: kurbanet tuja që digjen krejt, kurbanet tjera me kafshë, të dhjetat tuja, atë që e jepni pi dorës suj edhe çdo kurban që ia keni premtu Jehovait me nji premtim të fortë.
12 Gëzohuni para Jehovait, Zotit tuj, ju, djemtë edhe çikat tuja, skllavët edhe skllavet tuja, si edhe leviti që jeton në qytetet tuja, se aj s’ka marrë as pjesë e as trashëgimi bashkë me ju.
13 Ki kujdes mos me i pru kurbanet që digjen krejt në cilindo ven që e sheh.
14 Veç në venin që Jehovai ka me e zgjedhë në njonin pi trojeve të fiseve tua ki me i pru kurbanet që digjen krejt, edhe aty ki me i bo krejt qka po të urdhnoj.
15 Po kurdo që të don zemra, munesh me pre kafshë edhe me hangër mish, simas asaj sa të ka beku Jehovai, Zoti yt, në krejt qytetet e tua. Edhe ai që asht i papastër, edhe ai që asht i pastër, munen me hangër pi atij mishi, qysh hahet mishi i gazelës edhe i drerit.
16 Veç gjakun s’guxoni me e hangër. Derdheni në tokë si ujë.
17 Në qytetet e tua s’guxon me hangër të dhjetën e grunit tand, të venës tande të re a të vajit tand, as të parëlindunit e bagëtive tua të mëdhaja edhe të vogla, as naj kurban që e ke premtu me nji premtim të fortë, as dhuratat që i jep me qef, as atë që e jep pi dorës tande.
18 Krejt këto ki me i hangër para Jehovait, Zotit tand, në venin që Jehovai, Zoti yt, ka me e zgjedhë. Aty ki me hangër ti, djali yt, çika jote, skllavi yt, skllavja jote edhe leviti që jeton në qytetet e tua. Edhe ki me u gëzu para Jehovait, Zotit tand, për krejt qka ke arritë.
19 Ki kujdes mos me e lanë pas dore levitin, për sa kohë që jeton në tokën tande.
20 Kur Jehovai, Zoti yt, ta zgjan tokën, qysh ta ka premtu, edhe ti thue: «Po du me hangër mish», se po të hahet mish, atëherë munesh me hangër mish kurdo që të hahet.
21 Nëse veni që Jehovai, Zoti yt, ka me e zgjedhë për emnin e vet asht larg teje, atëherë munesh me pre pi bagëtive tua të mëdhaja a të vogla që Jehovai t’i ka dhanë, qysh të kom urdhnu, edhe me e hangër mishin në qytetet e tua, sa herë që të hahet.
22 Munesh me e hangër qysh hahet mishi i gazelës edhe i drerit. Edhe ai që asht i papastër, edhe ai që asht i pastër, munen me e hangër.
23 Veç ndaje mendjen mirë mos me e hangër gjakun, se gjaku asht jeta. S’guxon me e hangër mishin bashkë me jetën.
24 Mos e ha gjakun. Derdhe në tokë si ujë.
25 Mos e ha, që me të shku mirë ty edhe fmijëve tu, se qashtu po bon qka asht e drejtë në sytë e Jehovait.
26 Kur të shkosh në venin që Jehovai ka me e zgjedhë, merr me veti veç dhuratat tua të shenjta edhe kurbanet që i ke premtu.
27 Aty ki me i pru kurbanet që digjen krejt, edhe mishin edhe gjakun, mbi altarin e Jehovait, Zotit tand. Gjaku i kurbaneve tua ka me u derdhë te altari i Jehovait, Zotit tand. Po mishin munesh me e hangër.
28 Mbaji mirë edhe me shumë kujdes krejt këto urdhna që po t’i jap, që me të shku mirë ty edhe djemve tu përgjithmonë, se qashtu po bon qka asht e mirë edhe e drejtë në sytë e Jehovait, Zotit tand.
29 Kur Jehovai, Zoti yt, t’i zhdukë popujt te të cilët po shkon me ua marrë tokën, edhe kur të jetosh në tokën e tyne,
30 atëherë ki kujdes mos me ra në kurth masi ata të jenë zhdukë. Mos pyet për zotat e tyne tu thanë: «Qysh u kanë shërby këta popuj zotave të vet? Edhe unë kom me bo qashtu.»
31 Ti s’guxon me e adhuru Jehovën, Zotin tand, në qat mënyrë. Se këta popuj i bojnë për zotat e vet krejt llojet e seneve të neveritshme që Jehovai i urren. Ata bile i djegin edhe djemtë edhe çikat e veta për zotat e tyne.
32 Keni kujdes me iu përmbajtë secilës fjalë që po ju urdhnoj. Mos shtoni kurgjo edhe mos hjekni kurgjo pi tyne.