Libri i pest i Musës 2
1 Masanej na u kthyem edhe u nisëm rrugës për kah Deti i Kuq, drejt shkretinës, qysh m’kish thanë Jehovai. Për nji kohë të gatë kemi ecë rreth maleve të Seirit.
2 Më në fund Jehovai më ka thanë:
3 ‘Boll keni ecë rreth këtyne maleve. Tash shkoni kah veriu.
4 Jepja popullit këtë udhëzim: “Keni me kalu nëpër anën e kufinit të vllaznive tuaj, pasardhësve të Esaut, që banojnë në Seir. Ata kanë me u tut pi juve, prandaj kini shumë kujdes.
5 Mos u ngatrroni me ta e mos nisni armiqësi, se s’kam me ju dhanë kurrfarë toke të tyne, as sa me e vnu nji shputë kame. Se malet e Seirit ia kom dhanë Esaut si pronë.
6 Paguani me pare për krejt qka hani pi tyne, edhe paguajeni ujin që e pini.
7 Se Jehovai, Zoti juaj, ju ka beku në krejt punët që i keni bo. Aj e din shumë mirë që keni ecë nëpër këtë shkretinë të madhe. Plot 40 vjet Jehovai, Zoti juaj, ju ka nejt afër edhe s’ju ka mungu kurgjo.”’
8 Kështu na kemi kalu përskaj vllaznive tanë, pasardhësve të Esaut, që banojnë në Seir, edhe jemi largu pi rrugës së Arabës, pi Elathit edhe pi Ezion-Geberit.
Masanej e kemi ndrru drejtimin edhe kemi vazhdu rrugës së shkretinës së Moabit.
9 Atëherë Jehovai më ka thanë: ‘Mos u fut në armiqësi me Moabin e mos nis luftë me ta, se s’kam me të dhanë kurrfarë pjese pi tokës së tij si pronë. Se Arin ua kom dhanë pasardhësve të Lotit si pronë.
10 Dikur aty kanë banu Emimët, nji popull i fortë e i shumtë. Ata u konë të gjatë sa Enakitët.
11 Edhe Refaimët u llogaritshin si Enakitët, e Moabitët zakonisht i thirrshin Emimë.
12 Në Seir dikur kanë banu Horitët, po pasardhësit e Esaut ua kanë marrë tokën, i kanë zhduk edhe janë vendos në vend të tyne. Qashtu ka me vepru edhe Izraeli me tokën që ka me e pasë si pronë, e që Jehovai ka me ia dhanë patjetër.
13 Tash çohuni edhe kalojeni luginën e Zeredit.’ Kështu na e kemi kalu luginën e Zeredit.
14 Pi kohës kur jemi nis pi Kadesh-Barnea e deri kur e kemi kalu luginën e Zeredit, kanë kalu 38 vjet. Deri atëherë krejt brezi i burrave që ishin të aftë për luftë ka dekë në kamp, qysh ua kish bo be Jehovai.
15 Dora e Jehovait u konë kundër tyne, për me i zhduk pi kampit, derisa kanë dekë krejt.
16 Kur krejt burrat e popullit që ishin të aftë për luftë kanë dekë,
17 Jehovai më ka fol prapë edhe më ka thanë:
18 ‘Sot ke me kalu nëpër tokën e Moabit, domethanë nëpër Ar.
19 Kur t’u afrohesh ammonitëve, leni rahat edhe mos i nguc. S’kam me të dhanë kurrfarë pjese pi tokës së tyne si pronë, se atë tokë ua kom dhanë pasardhësve të Lotit si pronë.
20 Edhe kjo tokë u llogaritke si toka e Refaimëve. Dikur aty kanë banu Refaimët, e Ammonitët zakonisht i thirrshin Zamzumimë.
21 Ata u konë popull i fortë, i shumtë edhe i gjatë, bash si Enakitët. Po Jehovai i ka zhduk, kështu që Ammonitët kanë mujt me i dëbu edhe me u vendos në tokën e tyne.
22 Qashtu ka bo edhe për pasardhësit e Esaut, që tash banojnë në Seir. Aj i ka zhduk Horitët, kështu që pasardhësit e Esaut kanë mujt me ua marrë tokën. Ata banojnë aty deri sot.
23 Avimët kanë banu nëpër vendbanime në rrethin e Gazës, derisa kanë ardh Kaftorimët pi Kaftori, i kanë zhduk edhe janë vendos në tokën e tyne.
24 Çohuni edhe kalojeni luginën e Arnonit. Unë jua kom dhanë në dorë Sihonin, amoritin, mbretin e Heshbonit. Prandaj nisjani me e marrë tokën e tij si pronë. Luftoni kundër tij.
25 Pi sotit unë kam me i shti në frikë e tmerr krejt popujt nën qiell që kanë me ni qka po flitet për ju. Ata kanë me u shqetësu edhe kanë me u dridh pi frikës për shkakun tuaj.’
26 Masanej, pi shkretina e Kedemotit, i kom çu lajmëtarë mbretit Sihon të Heshbonit, me këto fjalë paqësore:
27 ‘Më le me kalu nëpër tokën tane. Kam me nejt veç në rrugë, pa u kthy as djathtas, as majtas.
28 Kam me hangër veç qka m’shet ti, edhe për ujin që e pi kam me pagu. Veç më le me kalu në kambë nëpër tokën tane.
29 Qashtu më kanë leju edhe pasardhësit e Esaut, që banojnë në Seir, edhe Moabitët, që banojnë në Ar. Du me kalu në anën tjetër të Jordanit, në tokën që Jehovai, Zoti jonë, po na e jep.’
30 Po mbreti Sihon i Heshbonit s’na ka lanë me kalu nëpër tokën e tij, se Jehovai, Zoti yt, ka leju që aj me u bo kryeneç edhe zemërfortë, për me ta dhanë në dorë, qysh ka ndodh edhe tash.
31 Atëherë Jehovai më ka thanë: ‘Unë veç ja kom nis me ta dhanë në dorë Sihonin edhe tokën e tij. Tash nisja me e marrë tokën e tij si pronë.’
32 Kur Sihoni ka dalë me krejt njerëzit e vet për me luftu kundër nesh te Jahazi,
33 Jehovai, Zoti jonë, na e ka dhanë në dorë. Kështu na e kemi mundë atë, djemtë e tij edhe krejt popullin e tij.
34 Atëherë i kemi pushtu krejt qytetet e tij edhe i kemi shkatrru plotësisht. Në secilin qytet i kemi zhduk krejt, burrat, gratë edhe fëmitë. S’e kemi lanë kërkon gjallë.
35 Veç bagëtinë e kemi marrë për veti si plaçkë lufte, bashkë me krejt plaçkën pi qyteteve që i kemi pushtu.
36 Pi Aroeri, që asht në buzë të luginës së Arnonit, edhe pi qytetit që asht në luginë, deri në Gilead, s’ka pasë asnji qytet që s’kemi mujt me e pushtu. Jehovai, Zoti jonë, na i ka dhanë krejt në dorë.
37 Veç tokës së Ammonitëve s’iu ke afru, as krejt luginës së Jabokut, as qyteteve nëpër male, e as kurrnji vendi tjetër ku Jehovai, Zoti jonë, të ka ndalu me shku.