Libri i pest i Musës 23

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Asnji burrë që e kanë tredhë tu ia shtypë herdhet, ose që ia kanë pre organin mashkullor, s’bon me hi në mbledhjen e Jehovait.

2 Asnji djalë i lindun jashtë martese s’bon me hi në mbledhjen e Jehovait. As deri në brezin e dhjetë, asnji pi pasardhësve të tij s’bon me hi në mbledhjen e Jehovait.

3 Asnji amonit a moabit s’bon me hi në mbledhjen e Jehovait. As deri në brezin e dhjetë, asnji pi pasardhësve të tyne s’bon me hi kurrë në mbledhjen e Jehovait.

4 Se ata s’të kanë dhanë bukë e ujë kur ishe rrugës mas daljes pi Egjiptit. Edhe e kanë marrë Bileamin, djalin e Beorit, pi Pethori në Mesopotami, për me të mallku.

5 Po Jehovai, Zoti yt, s’ka desht me e ngu Bileamin. Përkundrazi, Jehovai, Zoti yt, ta ka kthy mallkimin në bekim, se Jehovai, Zoti yt, të ka dasht.

6 Mos u mundo kurrë që ata me pasë paqe e me ju shku mirë, për jetë.

7 Mos e urrej nji edomit, se aj asht vllau yt. Mos e urrej nji egjiptian, se ti ke jetu si i huj në vendin e tij.

8 Fëmija e tyne të brezit të tretë munden me hi në mbledhjen e Jehovait.

9 Nëse e ngreh kampin për me luftu kundër armikut tand, ruju pi çdo të keqe.

10 Nëse nji burrë bohet i papastër se gjatë natës i ka dalë fara, duhet me dalë jashtë kampit e mos me u kthy aty.

11 Kah mramja duhet me u la me ujë, e kur të perëndojë dielli, munet me u kthy në kamp.

12 Duhet me e caktu nji vend veçmas jashtë kampit, edhe aty duhet me shku.

13 Me pajisjet e tua duhet me pasë edhe nji kunj. Kur ulesh galiç jashtë, gërmo nji gropë me të, e masanej mbuloje jashtëqitjen tande.

14 Se Jehovai, Zoti yt, ec nëpër kampin tand për me të shpëtu e me t’i dorëzu armiqtë e tu. Kampi yt duhet me konë i shenjtë, që aj mos me pa te ti kurgjo që e fyen, e mos me u largu pi teje.

15 Nëse nji skllav ik pi pronarit të vet e vjen te ti, mos ia dorëzo pronarit të tij.

16 Aj munet me jetu te ti, në cilindo pi qyteteve tua që e zgjedh vet, ku të dojë. Mos u sill keq me të.

17 Asnji pi vajzave të Izraelit s’bon me u bo prostitutë e tempullit, edhe asnji pi djemve të Izraelit s’bon me u bo prostitut i tempullit.

18 Fitimi i nji prostitute a i nji prostituti s’bon me u pru në shpinë e Jehovait, Zotit tand, për me e plotësu nji zotim, se të dyja këto janë gjana të neveritshme për Jehovain, Zotin tand.

19 Mos i merr kamatë vllaut tand, as për pare, as për ushqim, as për kurrfarë sendi tjetër për të cilin munesh me marrë kamatë.

20 Nji të huji munesh me i marrë kamatë, po vllaut tand jo, që Jehovai, Zoti yt, me të beku në krejt qka bon, në vendin që ke me e marrë në pronë.

21 Nëse i bon nji zotim Jehovait, Zotit tand, mos e zgjat me e plotësu, se Jehovai, Zoti yt, ka me ta lypë patjetër. Përndryshe, ke me bo gjynah.

22 Po nëse s’bon kurrfarë zotimi, s’ki gjynah.

23 Mbaji fjalët që t’kanë dalë pi goje edhe kryje atë që e ke premtu me gojën tande si dhuratë vullnetare për Jehovain, Zotin tand.

24 Nëse hyn në vneshtën e nji tjetri, munesh me hanger rrush sa me u ngi, ama s’bon me shti rrush në enën tande.

25 Nëse hyn në arën e nji tjetri, ku gruni asht hala pa u korrë, munesh me këputë me dorë kallinj të pjekun, po s’bon me ia shti drapnin grunit.