Libri i pest i Musës 24

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Nëse nji burrë martohet me nji grue, po ajo s’i pëlqen se ka gjetë diçka t’pahijshme te ajo, aj ka me ia shkru nji letër shkurorëzimi, ka me ia dhanë e ka me e lëshu pi shpisë t’vet.

2 Pasi ajo del pi shpisë së tij, munet me shku e me u ba gruaja e nji burri tjetër.

3 Nëse burri i dytë e urren, ia shkruen nji letër shkurorëzimi, ia jep e e lëshon pi shpisë së vet, ose nëse burri i dytë i vdes,

4 atëherë burri i parë, që e ka lëshu, s’guxon me e marrë prapë për grue, pasi ajo asht ba e papastër. Kjo asht diçka e neveritshme për Jehovain. Mos e sill gjynahin n’vendin që Jehovai, Zoti yt, po ta jep për trashëgim.

5 Nëse nji burrë sapo asht martu, s’ka me shërby n’ushtri e as s’kanë me ia ngarku detyra tjera. Ka me konë i lirë pi shërbimit për nji vjet, ka me nejt n’shpi e me e gëzu grun e vet.

6 Askush s’ka me marrë peng as mullinin e dorës, as gurin e sipërm t’mullinit, se qashtu po ia merr dikujt tjetër peng atë me t’cilën e siguron jetesën.

7 Nëse merret vesh që nji burrë e ka rrëmby nji pi vllazënve t’vet izraelitë, e ka keqtrajtu e e ka shitë, aj që e ka rrëmby duhet me vdekë. Qashtu hiqe t’keqen pi mesit tand.

8 Nëse shfaqet lebra, kini shumë kujdes me i zbatu krejt udhëzimet e priftave që jonë pi fisi i Levit. Bani pikë për pikë qka u kom urdhnu atyne.

9 Kujtojeni qka ka ba Jehovai, Zoti juaj, me Mirjamin rrugës, kur keni dalë pi Egjiptit.

10 Kur ia jep dikujt çkado hua, s’guxon me hy n’shpinë e tij me ia marrë pengun që ta ka ofru.

11 Rri jashtë, e burri që ka marrë hua pi teje ka me ta nxjerrë pengun jashtë.

12 Nëse aj burrë asht n’hall, mos bjer me fjetë përderisa e ki hala pengun e tij te vetja.

13 Sapo t’perëndojë dielli, ktheja patjetër pengun. Qashtu aj munet me fjetë me rrobën e vet e ka me t’beku. E kjo ka me t’u llogaritë si drejtësi para Jehovait, Zotit tand.

14 Mos e mashtro nji puntor me pagesë, që asht n’hall e i vorfën, qoftë nji pi vllazënve tu a nji i huj që banon n’qytetet e tua, n’vendin tand.

15 Jepja pagën po atë ditë, para se me perëndu dielli, se aj asht n’hall e jeta e tij varet pi asaj page. Përndryshe, aj ka me i thirrë Jehovait për ndihmë për shkak tand, e kjo ka me t’u numëru për gjynah.

16 Baballarët s’kanë me u dënu me vdekje për gjynahet e fmive t’vet, e as fmitë për gjynahet e baballarëve t’vet. Secili ka me u dënu me vdekje veç për gjynahin e vet.

17 Mos ia shkel t’drejtën t’hujit që banon aty e as fmisë pa babë. Edhe rrobën e nji vejushe s’guxon me ia marrë peng.

18 Mbaje n’mend që ti u konë skllav n’Egjipt e Jehovai, Zoti yt, t’ka çliru pi aty. Për qata po ta jap këtë urdhën.

19 Kur e mbledh bereqetin n’arën tande e e harron nji duaj drithi n’arë, mos u kthe me e marrë. Lene aty për t’hujin që banon n’vendin tand, për fminë pa babë e për vejushën, që Jehovai, Zoti yt, me t’beku n’krejt qka ban.

20 Kur e shkund ullinin tand, mos i shkund prapë degët nji ka nji. Çka mbetet, le t’mbetet për t’hujin që banon n’vendin tand, për fminë pa babë e për vejushën.

21 Kur e vjel rrushin n’vreshtin tand, mos u kthe masanej me i mbledhë ato që kanë mbetë. Le t’mbesin për t’hujin që banon n’vendin tand, për fminë pa babë e për vejushën.

22 Mbaje n’mend që ti u konë skllav n’Egjipt. Për qata po ta jap këtë urdhën.