Libri i pest i Musës 3

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Pastaj jemi kthy edhe kemi vazhdu rrugën për n'Bashan. Atëherë mbreti Og i Bashanit ka dalë kundër nesh me krejt njerëzit e vet, për me luftu me neve n'Edrei.

2 Jehovai më ka thanë: «Mos u tut pi tij, se unë kam me ta dhanë n'dorë atë, krejt popullin e tij edhe vendin e tij. Banja atij qka ia ke ba Sihonit, mbretit t'amoritëve, që ka jetu n'Heshbon».

3 Atëherë Jehovai, Zoti jonë, na e ka dhanë n'dorë edhe mbretin Og t'Bashanit bashkë me krejt popullin e tij, edhe i kemi vra krejt, sa s'ka mbetë asnji gjallë.

4 Pastaj ua kemi marrë krejt qytetet. S'ka pasë asnji qytet që s'ua kemi marrë, gjithsej 60 qytete, krejt krahina e Argobit, mbretnia e Ogut n'Bashan.

5 Krejt këto qytete jonë konë t'fortifikueme, me mure t'nalta, porta edhe shula. Përveç tyne ka pasë edhe shumë qytete pa mure.

6 Po ne i kemi shkatërru krejt, qysh kemi ba edhe me mbretin Sihon t'Heshbonit. E kemi shkatërru secilin qytet krejtësisht, bashkë me burrat, gratë edhe fmitë.

7 Edhe krejt bagëtinë e plaçkën pi qyteteve i kemi marrë për veti.

8 N'atë kohë ua kemi marrë tokën dy mbretërve amoritë n'anën e Jordanit, pi lugina e Arnonit e deri te mali Hermon.

9 Sidonitët zakonisht i kanë thanë atij mali Sirjon, kurse amoritët Senir.

10 Ua kemi marrë krejt qytetet n'rrafshnaltë, krejt Gileadin edhe krejt Bashanin deri n'Salha e Edrei, qytete që i kanë taku mbretnisë s'Ogut n'Bashan.

11 Se mbreti Og i Bashanit u konë i fundit që ka mbetë pi refaimët. Barela e tij u konë pi hekuri. Ajo gjendet hala n'Rabba, qytetin e amonitëve. Sipas kutës së zakonshme, ajo asht nandë kutë e gjatë edhe katër kutë e gjanë.

12 N'atë kohë e kemi marrë si pronë tokën që shtrihet pi Aroeri te lugina e Arnonit kah veriu, bashkë me gjysmën e maleve t'Gileadit. Qytetet e asaj ane ua kam dhanë rubenitëve edhe gaditëve.

13 Pjesën tjetër t'Gileadit edhe krejt Bashanin, mbretninë e Ogut, ia kam dhanë gjysmës së fisit t'Manases. Krejt krahina e Argobit, që i takon Bashanit, u konë e njoftun si vendi i refaimëve.

14 Jairi, djali i Manases, e ka marrë si pronë krejt krahinën e Argobit deri te kufini i geshuritëve edhe maakathitëve. Edhe katunet e Bashanit i ka qujt sipas emnit t'vet: Havoth-Jair. Ashtu quhen edhe sot.

15 Makirit ia kam dhanë Gileadin.

16 Edhe rubenitëve e gaditëve ua kam dhanë tokën pi Gileadi deri te lugina e Arnonit, ku mesi i luginës asht kufini, edhe deri te Jabboku, lugina që e ban kufinin e amonitëve.

17 Ua kam dhanë edhe Arabën edhe Jordanin bashkë me tokat përreth, pi Kinnerethi deri te Deti i Arabës, që asht Deti i Kripur, n'rranzë t'shpateve t'Pisgës kah lindja.

18 Pastaj ju kam dhanë këtë urdhën: «Jehovai, Zoti juaj, ua ka dhanë këtë vend për me e marrë si pronë. Krejt burrat tuaj trima kanë me kalu t'armatosun përpara vllaznive tuaj, izraelitëve.

19 Veç gratë, fmitë edhe bagëtia juaj, se e di që keni shumë bagëti, kanë me nejt n'qytetet që jua kam dhanë.

20 Kanë me nejt aty derisa Jehovai t'ua japë edhe vllaznive tuaj qetësinë, qysh jua ka dhanë juve, edhe derisa edhe ata ta marrin si pronë tokën që Jehovai, Zoti juaj, ka me ua dhanë n'anën tjetër t'Jordanit. Atëherë secili pi juve ka me u kthy te prona që jua kam dhanë».

21 N'atë kohë i kam dhanë këtë urdhën Jozues: «Ti e ke pa me sytë e tu qka u ka ba Jehovai, Zoti juaj, këtyne dy mbretërve. Njisoj Jehovai ka me vepru me krejt mbretnitë ku ki me kalu.

22 Mos u tutni pi tyne, se Jehovai, Zoti juaj, lufton për ju».

23 N'atë kohë i jam lutë shumë Jehovait:

24 «O Zot Sovran Jehova, ti ke nisë me ma tregu mu, shërbëtorit tand, madhështinë edhe fuqinë tande. Se cili zot n'qiell a n'tokë mundet me ba vepra kaq t'mdhaja qysh i ban ti?

25 T'lutna, më lejo me kalu edhe me e pa tokën e mirë n'anën tjetër t'Jordanit, ato male t'mira edhe Libanin».

26 Po Jehovai u konë hala shumë i hidhnum me mu për shkakun tuaj edhe s'më ka ngu. Jehovai më ka thanë: «Mjaft ma! Mos më fol kurrë ma për këtë punë.

27 Hyp n'majë t'Pisgës, kqyr kah perëndimi, kah veriu, kah jugu edhe kah lindja, edhe shikoje atë vend me sytë e tu, se ti s'ki me e kalu Jordanin.

28 Jepja Jozues udhëheqjen, jepi zemër edhe forcoje. Aj ka me kalu përpara këtij populli edhe ka me ua dhanë atyne si trashëgimi tokën që ti ki me e pa».

29 Krejt kjo ka ndodhë kur kemi jetu n'luginë përballë Beth-Peorit.