Libri i pest i Musës 30
1 Kur krejt këto fjalë që t’i kom qitë përpara, bekimi edhe mallkimi, të ndodhin, edhe ti i kujton në mesin e krejt popujve ku Jehovai, Zoti yt, të ka shpërnda,
2 edhe kur ti bashkë me djemtë e tu ktheheni te Jehovai, Zoti yt, me krejt zemrën e me krejt shpirtin, edhe e ngoni zanin e tij për krejt qka po ju urdhnoj sot,
3 atëher Jehovai, Zoti yt, ka me i kthy robt e tu. Ka me pasë dhimt për ty edhe ka me të mbledhë pi krejt popujve ku Jehovai, Zoti yt, të ka shpërnda.
4 Edhe nëse populli yt asht shpërnda deri në skaj të qiellit, Jehovai, Zoti yt, ka me të mbledhë edhe pi atje e ka me të kthy.
5 Jehovai, Zoti yt, ka me të pru në vendin që e kanë marrë në pronë baballarët e tu, edhe ti ke me e pasë atë vend. Aj ka me të bo mirë edhe ka me të shtu ma shumë se baballarët e tu.
6 Jehovai, Zoti yt, ka me ta pastru zemrën tande edhe zemrat e pasardhësve tu, që ti me e dasht Jehovain, Zotin tand, me krejt zemrën e me krejt shpirtin, edhe me mbetë gjallë.
7 Atëher Jehovai, Zoti yt, ka me i çu krejt këto mallkime mbi armiqtë e tu, që të kanë urry edhe të kanë përndjekë.
8 Atëher ti ke me u kthy, ke me e ngu zanin e Jehovait edhe ke me i mbajtë krejt urdhnat e tij që po t’i jap sot.
9 Jehovai, Zoti yt, ka me të dhanë me bollëk pi krejt punës që e bon me duert e tua. Fëmija e tu, bagëtia jote edhe prodhimi i tokës tande kanë me u shtu, edhe ti ke me pasë bollëk. Se Jehovai ka me u gëzu prapë për ty edhe ka me të bo mirë, qysh asht gëzu edhe për të parët e tu.
10 Se atëher ti ke me e ngu zanin e Jehovait, Zotit tand, edhe ke me i mbajtë urdhnat e rregullat e tij që jonë të shkrume në këtë libër të ligjit. Edhe ke me u kthy te Jehovai, Zoti yt, me krejt zemrën e me krejt shpirtin.
11 Ky urdhën që po ta jap sot s’asht tepër i zor për ty, as s’asht i pamundshëm me e arritë.
12 S’asht në qiell, që ti me pasë nevojë me thanë: ‘Kush ka me hyp në qiell e me na e pru, që na me e ni edhe me e zbatu?’
13 As s’asht matanë detit, që ti me pasë nevojë me thanë: ‘Kush ka me kalu matanë detit e me na e pru, që na me e ni edhe me e zbatu?’
14 Këto fjalë i ke shumë ngat vetes, i ke në gojën tande edhe në zemrën tande, që me mujtë me i zbatu.
15 Kqyre, sot po t’i qes përpara jetën edhe të mirën, dekën edhe të keqen.
16 Nëse i ngon urdhnat e Jehovait, Zotit tand, që po t’i jap sot, edhe e don Jehovain, Zotin tand, ec rrugëve të tij edhe i mban urdhnat, rregullat edhe vendimet e tij gjyqësore, atëher ke me mbetë gjallë edhe ke me u shtu shumë. Edhe Jehovai, Zoti yt, ka me të beku në vendin që ke me e marrë në pronë.
17 Po nëse zemra jote largohet pi tij, edhe ti s’e ngon, e i len tjerët me të shty me u përkulë para zotave tjerë edhe me ju shërby atyne,
18 atëher sot po ta thom që patjetër ke me u shkatërru. S’ke me jetu gjatë në vendin që ke me e marrë në pronë matanë Jordanit.
19 Sot po i marr qiellin edhe tokën për dëshmitarë që ta kom qitë përpara jetën edhe dekën, bekimin edhe mallkimin. Zgjedhe jetën, që me mbetë gjallë ti edhe pasardhësit e tu,
20 tu e dasht Jehovain, Zotin tand, tu e ngu zanin e tij edhe tu u mbajtë fort për të, se aj asht jeta jote. Falë tij munesh me jetu gjatë në vendin që Jehovai u asht betu të parëve tu, Abrahamit, Isakut edhe Jakobit, se ka me ua dhanë.’