Libri i pest i Musës 32
1 «Ngjo, o qiell, se kom me folë, e
toka le t'i ngjojë fjalët pi gojës teme.
2 Mësimi jem ka me ra si shiu,
fjalët e mia kanë me pikë si
vesa, si shiu i butë mbi
bar, si rrebeshi i fortë mbi bimët.
3 Se kom me e shpallë emnin e Jehovait.
Folni për madhështinë e Zotit tonë!
4 Shkëmbi, krejt qka ban asht e përkryme,
se krejt rrugët e tij jonë t'drejta.
Aj asht Zot besnik, që kurrë s'ban
padrejtësi, asht i drejtë e i ndershëm.
5 Ata vetë kanë ba keq.
S'jonë fmitë e tij, faji asht i tyne.
Ata jonë nji brez i keq e i shtrembët!
6 A qeshtu po sillesh me Jehovain, o popull
pa mend e pa arsye? A s'asht aj Baba
yt, që ia ki borxh jetën, që t'ka
kriju e t'ka ba me qëndru i fortë?
7 Kujtoji kohët e moçme, mendo për vitet
e brezave që kanë kalu. Vete babën
tand, aj munet me t'tregu, veti
pleqtë e tu, ata kanë me t'kallxu.
8 Kur Ma i Nalti ua ka dhanë popujve trashëgiminë
e tyne, kur i ka nda bijtë e
Adamit pi njani-tjetrit, atëherë ua ka caktu kufijtë popujve
duke e marrë parasysh numrin e bijve t'Izraelit.
9 Se pjesa e Jehovait asht populli i
vet, Jakobi asht trashëgimia e tij.
10 Aj e ka gjetë n'shkretëtinë, n'nji shkretëtinë t'shkretë,
ku nihej ulërima. E ka rrethu për me
e mbrojtë e asht kujdesë për të,
e ka rujtë si bebëzën e synit t'vet.
11 Si shqiponja që i trazon zogjtë n'folenë e vet,
që fluturon përmbi zogjtë e vet që kanë
nisë me fluturu, që i hap krahët, i merr
zogjtë e i bart mbi krahët e vet,
12 qashtu veç Jehovai e ka udhëheqë vazhdimisht,
s'ka pasë asnji zot t'huj me të.
13 Aj e ka ba me hyp mbi vendet
e nalta t'tokës, që me hanger pi
bereqetit t'arave. E ka ushqy me mjaltë pi
shkëmbit e me vaj pi gurit t'fortë,
14 me gjalp pi bagëtia e madhe e me
qumësht pi bagëtia e imët, bashkë me delet
ma t'mira, me deshtë e Bashanit edhe
me cjeptë, bashkë me grunin ma t'mirë, e
ti ke pi venë pi gjaku i rrushit.
15 Kur Jeshuruni u trash, nisi me u çu kundër
Zotit. Je trashë, je ba i trashë e i frymë.
Qashtu aj e ka lanë Zotin që e ka
kriju, e ka përbuzë Shkëmbin që e ka shpëtu.
16 Ata e kanë nxehë me zota t'huj,
vazhdimisht e kanë fy me gjana t'neveritshme.
17 U kanë ofru kurbane shpirtrave t'këqij e jo
Zotit, zotave që s'i kanë njoftë, zotave
t'ri që veç tash vonë jonë shfaqë, zotave
që t'parët e tu s'i kanë njoftë.
18 E ke harru Shkëmbin që t'u ba babë, s'e
ke kujtu ma Zotin që t'ka sjellë n'jetë.
19 Kur Jehovai e ka pa këtë, i ka hedhë poshtë,
se bijtë e bijat e veta e kanë fy.
20 Atëherë aj ka thanë:
‘Kom me ua mshefë fytyrën teme.
Kom me pa qka ka me u ba me ta.
Se ata jonë nji brez i prishun, bij që s'kanë besnikëri.
21 M'kanë ba xheloz me diçka që s'asht Zot.
M'kanë fy me idhujt e tyne që s'vlejnë kurgjo.
Për qata edhe unë kom me i ba xheloz me nji popull që s'asht popull.
Kom me i fy me nji popull pa mend.
22 Se zemërimi jem e ka ndezë nji zjarr, që
ka me u djegë deri n'fund t'varrit, ka
me e përpi tokën e krejt bereqetin e saj
e ka me ua shti flakën themeleve t'maleve.
23 Kom me i mbulu me fatkeqësi, e kom
me i gjujtë me krejt shigjetat e mia.
24 Uria ka me i lodhë e me ua marrë
fuqinë, ethet e nxehta e shkatërrimi i tmerrshëm kanë
me i përpi. Kom me ua çu dhambët e
kafshëve t'egra edhe helmin e zvarranikëve që zvarriten n'pluhur.
25 Jashtë, shpata ka me ua marrë njerëzit, e
mrena ka me pasë tmerr, si për
djalin e ri, si për çikën e re,
si për foshnjën, si për burrin flokëthinjur.
26 Kisha thanë:
“Kom me i shpërnda, e s'ka me i kujtu ma asnji njeri”,
27 po t'mos isha tutë pi reagimit t'armikut.
Se kundërshtarët munen me e kuptu gabim.
Munen me thanë: “Na u konëm ma
t'fortë. Krejt këto s'i ka ba Jehovai.”
28 Se ata jonë nji popull
pa mend, s'kanë kuptim.
29 Ah, veç me konë t'mençëm! Atëherë kishin me mendu për këtë.
Kishin me mendu qysh ka me përfundu puna me ta.
30 Qysh munet nji njeri me i ndjekë 1.000
veta, e dy veta me i shti
10.000 me ikë, nëse Shkëmbi i tyne s'i
kishte shitë e Jehovai s'i kishte dorëzu?
31 Se shkëmbi i tyne s'asht si Shkëmbi jonë,
këtë e kanë kuptu edhe vetë armiqtë tanë.
32 Vreshti i tyne vjen pi vreshtit
t'Sodomës e pi tarracave t'Gomorrës.
Kokrrat e rrushit t'tyne jonë helmuese,
vilet e tyne jonë t'idhta.
33 Vena e tyne asht helm gjarpni,
helm i tmerrshëm i kobrave.
34 A s'asht kjo e rujtun te
unë, e vulosun n'depon teme?
35 Hakmarrja edhe shpagimi m'takojnë mue, n'kohën e
caktume, kur t'ju rrëshqasë kamba, se dita
e fatkeqësisë së tyne asht afër, e
qka i pret ka me ardhë shpejt.’
36 Se Jehovai ka me e gjyku popullin e vet. Ka
me i ardhë gjynah për shërbëtorët e vet, kur ta
shohë që u ka hupë krejt fuqia e kanë mbetë
veç ata që s'munden me i ndihmu vetes edhe t'dobtët.
37 Atëherë aj ka me thanë:
‘Ku jonë zotat e tyne, Shkëmbi ku kanë kërku strehim,
38 ata që vazhdimisht e kanë hanger dhjamin e
kurbaneve t'tyne e e kanë pi venën që ua
kanë ofru si kurban? Le t'çohen tash e
le t'ju ndihmojnë. Le t'bahen strehë për ju.
39 Shihni tash që unë, veç unë, jom
aj, e që përveç meje s'ka zota
tjerë. Unë vras e unë jap jetë, unë
plagosi e unë kom me shëru, e
askush s'munet me shpëtu pi dorës teme.
40 Se unë e çoj dorën kah qielli e betohem:
“Pasha jetën teme që s'ka fund.”
41 Kur ta mpreh shpatën teme që vetëtin e
ta baj dorën gati për me gjyku, atëherë
kom me ua kthy hakun kundërshtarëve t'mi e
kom me u hakmarrë ndaj atyne që m'urrejnë.
42 Kom me i dehë shigjetat e mia
me gjak, e shpata jem ka me
hanger mish, pi gjaku i t'vramëve e
i robërve, pi kryt e prijësve t'armikut.’
43 Gëzohuni, o popuj, bashkë me popullin e tij, se
aj ka me e marrë hakun për gjakun e shërbëtorëve
t'vet. Ka me ua kthy hakun kundërshtarëve t'vet e
ka me ba shlyerje për vendin e popullit t'vet.»
44 Kështu Moisiu ka ardhë e i ka thanë para popullit krejt fjalët e kësaj kange, aj bashkë me Hoshean, djalin e Nunit.
45 Pasi Moisiu ia ka thanë krejt këto fjalë gjithë Izraelit,
46 u ka thanë: «Merrini për zemër krejt këto fjalë që po jua thom sot si paralajmërim, që me mujt me i mësu bijtë e juaj me i zbatu me kujdes krejt fjalët e këtij ligji.
47 Se këto s'jonë fjalë t'kota, po jonë jetë për ju. Falë këtyne fjalëve, muneni me jetu gjatë n'vendin që keni me e marrë për veti n'anën tjetër t'Jordanit.»
48 Po atë ditë, Jehovai i ka thanë Moisiut:
49 «Hyp n'këtë mal t'Abarimit, n'malin Nebo, që asht n'vendin e Moabit, përballë Jerihos, e kqyre vendin e Kanaanit, që po ua jap izraelitëve për me e pasë për veti.
50 Pastaj ki me vdekë n'malin ku po hyp tash e ki me iu bashku popullit tand, qysh ka vdekë vllau yt Aaroni n'malin Hor e iu ka bashku popullit t'vet.
51 Se ju t'dy s'më keni qëndru besnikë te uji i Meribës, afër Kadeshit, n'shkretëtinë e Zinit, n'mes t'izraelitëve, sepse s'më keni nderu si t'shenjtë para popullit t'Izraelit.
52 Ti ki me e pa pi larg vendin që po ia jap popullit t'Izraelit, ama s'ki me hy n'atë vend.»