Libri i pest i Musës 7
1 Kur Jehovai, Zoti yt, ka me t’çu n’vendin ku tash je tu shku me e marrë për veti, aj ka me i përzanë pi përpara teje popuj t’mdhaj: hititët, girgashitët, amoritët, kananejtë, perizitët, hivitët edhe jebusitët. Këta jonë shtatë popuj ma t’mdhaj e ma t’fortë se ti.
2 Jehovai, Zoti yt, ka me t’i dorëzu n’dorë, e ti ke me i mundë. Duhet patjetër me i shkatërru krejt, pa lanë asnji. Mos u lidh me ta n’aleancë edhe mos i kurse.
3 Mos bani martesa me ta. Mos ua jepni çikat e juja djemve t’tyne, e as mos ua merrni çikat e tyne për djemtë e juaj.
4 Se ata kanë me i shty djemtë e juaj me u largu pi meje e me u shërby zotave tjerë. Atëherë ka me u ndezë zemërimi i Jehovait kundër jush, e aj ka me ju zhdukë shpejt.
5 Po ju duhet me vepru kështu me ta: Rrënojani altarët, thyejani shtyllat e tyne t’shenjta, prejani hunjtë e tyne t’shenjtë edhe digjani figurat e idhujve t’tyne.
6 Se ju jeni nji popull i shenjtë për Jehovain, Zotin tuaj. Jehovai, Zoti juaj, ju ka zgjedhë juve pi krejt popujve që jonë n’faqe t’tokës, me u ba populli i tij, prona e tij e veçantë.
7 Jehovai s’ju ka dashtë e s’ju ka zgjedhë pse populli juaj u konë ma i madhi pi krejt popujt. Përkundrazi, populli juaj u konë ma i vogli pi krejt popujt.
8 Po Jehovai ju ka dashtë edhe e ka mbajtë betimin që ua ka dhanë t’parëve tuaj. Për qata, Jehovai ju ka nxjerrë me dorë t’fortë edhe ju ka liru pi skllavnia, pi dora e faraonit, mbretit t’Egjiptit.
9 Ti e din mirë që Jehovai, Zoti yt, asht Zoti i vërtetë, Zoti besnik. Aj e mban besëlidhjen edhe dashninë e tij besnike ndaj atyne që e dojnë edhe i mbajnë urdhnat e tij, për 1000 breza.
10 Ama me ata që e urrejnë, aj ka me i la hesapet drejt për drejt, tu i shkatërru. Aj s’ka me pritë gjatë me ata që e urrejnë, po ka me i la hesapet menjëherë me ta.
11 Prandaj ki kujdes me i mbajtë urdhnat, rregullat edhe vendimet e ligjit që po t’i jap sot, edhe me vepru sipas tyne.
12 Nëse vazhdon me i dëgju këto vendime t’ligjit, me i respektu edhe me vepru sipas tyne, atëherë Jehovai, Zoti yt, ka me e mbajtë besëlidhjen edhe dashninë e tij besnike, qysh ua ka premtu me betim t’parëve tu.
13 Aj ka me t’dashtë, ka me t’beku edhe ka me ta shtu numrin e njerëzve. Po, aj ka me t’beku me shumë fëmijë edhe me bereqetin e tokës tane, me drithë, me venë t’re e me vaj, me viçat e lopëve tua edhe me qengjat e kopesë tane t’bagëtive t’vogla. Krejt këto ka me t’i dhanë n’vendin që ka me ta dhanë, qysh ua ka premtu me betim t’parëve tu.
14 Ti ke me konë ma i bekuemi pi krejt popujt. Asnji burrë e asnji grue s’ka me mbetë pa fëmijë, edhe bagëtia jote s’ka me mbetë pa të vegjël.
15 Jehovai ka me t’i largu krejt smundjet, edhe s’ka me t’lanë me hjekë pi asnjana pi ato epidemitë e tmerrshme që i njeh pi Egjipti. Përkundrazi, aj ka me i çu ato te krejt ata që t’urrejnë.
16 Shkatërroji krejt popujt që Jehovai, Zoti yt, ka me t’i dorëzu. Mos t’vjen gjynah për ta. Edhe mos u shërbe zotave t’tyne, se kjo ka me t’u ba kurth.
17 Ndoshta thue me veti: ‘Këta popuj jonë ma shumë se na. Qysh me i përzanë?’
18 Po mos u tut pi tyne. Kujto qka ka ba Jehovai, Zoti yt, me faraonin edhe me krejt Egjiptin.
19 Kujto dënimet e mdhaja që i ke pa me sytë e tu, shenjat edhe mrekullitë, dorën e fortë edhe krahun e shtrimë, me të cilat Jehovai, Zoti yt, t’ka nxjerrë pi atyhit. Qashtu ka me vepru Jehovai, Zoti yt, me krejt popujt pi t’cilëve po tutesh.
20 Jehovai, Zoti yt, ka me ua hupë guximin, derisa me u zhdukë edhe ata që kanë mbetë gjallë e që jonë mshefë pi teje.
21 Mos u tut pi tyne, se Jehovai, Zoti yt, asht me ty. Aj asht nji Zot i madh që ta shtin frikën edhe respektin.
22 Jehovai, Zoti yt, ka me i përzanë këta popuj pi përpara teje pak ka pak. Ti s’guxon me i zhdukë krejt përnjiherë, që mos me u shtu kafshët e egra e me t’u ba rrezik.
23 Jehovai, Zoti yt, ka me t’i dorëzu edhe ka me i mundë krejt, derisa t’zhduken.
24 Aj ka me t’i dhanë mbretërit e tyne n’dorë, e ti ke me ua fshi emnat pi nën qiell. Askush s’ka me mujtë me t’qëndru përballë, derisa t’i shkatërrosh krejt.
25 Digji figurat e idhujve t’tyne. Mos e lakmo as argjendin, as arin që e kanë ato figura, edhe mos e merr për veti, që mos me t’u ba kurth. Se kjo asht diçka e neveritshme për Jehovain, Zotin tand.
26 Mos shtin kurrfarë sendi t’neveritshëm n’shpinë tane, se përndryshe edhe ti ke me u ba si ai send i neveritshëm që ka me u shkatërru krejt. Duhet me pasë shumë neveri për atë send edhe me e urrejtë fort, se ai asht caktu me u shkatërru krejt.