Libri i tret i Musës 14

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Jehovai ka vazhdu me i thanë Moisiut:

2 «Ky asht ligji për nji njeri që ka pasë lebër, ditën kur shpallet i pastër. Atë duhet me e çu te prifti.

3 Prifti duhet me dalë jashtë kampit edhe me e kontrollu. Nëse njeriu që ka pasë lebër asht shnoshë pi asaj sëmundjeje,

4 prifti duhet me i thanë me i pru për pastrimin e vet dy zogj të gjallë e të pastër, dru cedri, pe të kuq të ndezun edhe hisop.

5 Prifti duhet me urdhnu me e therë njonin zog mbi nji enë pi balte që ka ujë të freskët mrena.

6 Masanej duhet me e marrë zogun e gjallë, bashkë me drunin e cedrit, penin e kuq të ndezun edhe hisopin, edhe me i zhytë në gjakun e zogut që u therë mbi ujin e freskët.

7 Masanej duhet me e spërkatë shtatë herë me qat gjak njeriun që po pastrohet pi lebrës, edhe me e shpallë të pastër. Zogun e gjallë duhet me e lshu të lirë në fushë të hapët.

8 Njeriu që po pastrohet duhet me i la teshat e veta, me i rru krejt qimet e trupit edhe me u la me ujë, e masanej ka me konë i pastër. Masi t'i kryn këto, munet me hi në kamp, po duhet me nejtë shtatë ditë jashtë tendës së vet.

9 Ditën e shtatë duhet me i rru krejt flokët e kryt, mjekrën edhe vetullat. Masi t'i rru krejt, duhet me i la teshat e veta edhe me u la me ujë, e ka me konë i pastër.

10 Ditën e tetë duhet me i marrë dy desh të ri pa të meta, nji qingj femën pa të meta, që s'i ka ma shumë se nji vjet, tri të dhjetat e nji efe miell të imët të përzimë me vaj për kurban pi drithit, edhe nji log vaj.

11 Prifti që ka me e shpallë të pastër duhet me e çu njeriun që po pastrohet, bashkë me kurbanet e tij, te hyrja e tendës së takimit para Jehovait.

12 Prifti duhet me e marrë njonin dash të ri edhe me e ofru si kurban për faj, bashkë me nji log vaj. Të dyja duhet me i tundë andej-knej para Jehovait si kurban që tundet.

13 Masanej duhet me e therë dashin e ri në nji ven të shenjtë, aty ku zakonisht theren kurbani për gjynah edhe kurbani që digjet krejt. Se kurbani për faj, njisoj si kurbani për gjynah, i takon priftit. Aj asht shumë i shenjtë.

14 Prifti duhet me marrë pak pi gjakut të kurbanit për faj edhe me ia vnu njeriut që po pastrohet në llapën e veshit të djathtë, në gishtin e madh të dorës së djathtë edhe në gishtin e madh të kambës së djathtë.

15 Masanej prifti duhet me marrë pak pi atij logu të vajit edhe me e derdhë në dorën e vet të majtë.

16 Prifti duhet me e zhytë gishtin e djathtë në vajin që e ka në dorën e majtë edhe me spërkatë pak pi tij shtatë herë para Jehovait.

17 Pi vajit që i ka mbetë në dorë, prifti duhet me i vnu pak njeriut që po pastrohet në llapën e veshit të djathtë, në gishtin e madh të dorës së djathtë edhe në gishtin e madh të kambës së djathtë, mbi gjakun e kurbanit për faj.

18 Vajin që i ka mbetë në dorë, prifti duhet me ia vnu në krye njeriut që po pastrohet edhe me ba shlyerjen e gjynaheve për të para Jehovait.

19 Prifti duhet me e ofru kurbanin për gjynah edhe me ba shlyerjen e gjynaheve për njeriun që po pastrohet pi papastërtia e vet. Masanej duhet me e therë kurbanin që digjet krejt.

20 Prifti duhet me e ofru në altar kurbanin që digjet krejt edhe kurbanin pi drithit, edhe me ba shlyerjen e gjynaheve për të, e aj ka me konë i pastër.

21 Po nëse aj asht i vorfën edhe s'ka mundësi me i siguru krejt këto, duhet me marrë nji dash të ri për kurban për faj, që ka me u tundë andej-knej si kurban për me ba shlyerjen e gjynaheve për veti. Duhet me marrë edhe nji të dhjetën e nji efe miell të imët të përzimë me vaj për kurban pi drithit, nji log vaj,

22 edhe dy turtuj ose dy pëllumba të ri, aq sa ka mundësi me i siguru. Njoni ka me konë për kurban për gjynah, e tjetri për kurban që digjet krejt.

23 Ditën e tetë duhet me i pru këto te prifti, te hyrja e tendës së takimit para Jehovait, që me u shpallë i pastër.

24 Prifti duhet me e marrë dashin e ri për kurban për faj edhe nji log vaj, edhe me i tundë të dyja andej-knej para Jehovait si kurban që tundet.

25 Masanej prifti duhet me e therë dashin e ri për kurban për faj, me marrë pak pi gjakut të kurbanit edhe me ia vnu njeriut që po pastrohet në llapën e veshit të djathtë, në gishtin e madh të dorës së djathtë edhe në gishtin e madh të kambës së djathtë.

26 Prifti duhet me derdhë pak vaj në dorën e vet të majtë,

27 edhe masanej, me gishtin e djathtë, duhet me spërkatë shtatë herë para Jehovait pak pi vajit që e ka në dorën e majtë.

28 Prifti duhet me i vnu pak pi vajit që e ka në dorë njeriut që po pastrohet në llapën e veshit të djathtë, në gishtin e madh të dorës së djathtë edhe në gishtin e madh të kambës së djathtë, bash në ato vene ku e ka vnu gjakun e kurbanit për faj.

29 Vajin që i ka mbetë në dorë, prifti duhet me ia vnu në krye njeriut që po pastrohet, për me ba shlyerjen e gjynaheve për të para Jehovait.

30 Masanej duhet me e ofru njonin pi turtujve ose pi pëllumbave të ri, aq sa ka pasë mundësi me i siguru.

31 Njonin, që ka mujtë me e siguru, duhet me e ofru për kurban për gjynah, e tjetrin për kurban që digjet krejt, bashkë me kurbanin pi drithit. E prifti duhet me ba shlyerjen e gjynaheve për njeriun që po pastrohet para Jehovait.

32 Ky asht ligji për nji njeri që ka pasë lebër, po që s'ka mundësi me i siguru krejt senet që duhen për me u shpallë i pastër.»

33 Masanej Jehovai i ka thanë Moisiut edhe Aronit:

34 «Kur të hyni në tokën e Kanaanit, që unë po jua jap si pronë, edhe unë boj që në nji shpi në tokën e juve me dalë lebër,

35 pronari i shpisë duhet me shku te prifti edhe me i thanë: ‘Po më doket që diçka e ka kapë shpinë teme.’

36 Prifti duhet me urdhnu me e zbrazë shpinë pi krejt senet para se me ardh me e kontrollu atë që e ka kapë shpinë, që mos me u shpallë të papastra krejt senet që jonë mrena. Masanej prifti duhet me hi në shpi edhe me e kqyrë.

37 Duhet me e kontrollu venin që asht prekë. Nëse në muret e shpisë kanë dalë gropa me ngjyrë të verdhë në të gjelbër ose të kuqërremta, që duken ma të thella se faqja e murit,

38 atëherë prifti duhet me dalë pi shpisë te hyrja edhe me e mbyllë shpinë për shtatë ditë, që mos me hi kërkush mrena.

39 Ditën e shtatë prifti duhet me u kthy prapë edhe me e kontrollu shpinë. Nëse ajo që e ka kapë shpinë asht përhapë nëpër mure,

40 prifti duhet me urdhnu me i nxjerrë gurët që jonë prekë edhe me i gjujtë jashtë qytetit, në nji ven të papastër.

41 Duhet me urdhnu me i gërry mirë krejt muret e shpisë pi mrena, edhe suvanë e llaçin që e kanë hjekë duhet me i qitë jashtë qytetit, në nji ven të papastër.

42 Masanej gurët që i kanë hjekë duhet me i zavendësu me gurë të tjerë, edhe prifti duhet me urdhnu me e suvatu shpinë me llaç të ri.

43 Po nëse ajo që e ka kapë shpinë del prapë, masi i kanë nxjerrë gurët, i kanë gërry muret edhe e kanë suvatu shpinë me llaç të ri,

44 atëherë prifti duhet me hi mrena edhe me e kontrollu. Nëse ajo që e ka kapë shpinë asht përhapë, atëherë asht lebër e randë në shpi. Shpia asht e papastër.

45 Prifti duhet me urdhnu me e rrëzu shpinë edhe me i çu krejt gurët, drutë, suvanë edhe llaçin jashtë qytetit, në nji ven të papastër.

46 Kush hyn në atë shpi gjatë ditëve që asht e mbyllun, ka me konë i papastër deri në mramje.

47 Kush shtrihet me flejtë në atë shpi ose han aty, duhet me i la teshat e veta.

48 Po nëse prifti vjen edhe e sheh që ajo që e ka kapë shpinë s'asht përhapë masi shpia asht suvatu me llaç të ri, atëherë duhet me e shpallë shpinë të pastër, se ajo që e ka kapë s'asht ma aty.

49 Për me e pastru shpinë pi papastërtia, duhet me marrë dy zogj, dru cedri, pe të kuq të ndezun edhe hisop.

50 Njonin zog duhet me e therë mbi nji enë pi balte që ka ujë të freskët mrena.

51 Masanej duhet me e marrë drunin e cedrit, hisopin, penin e kuq të ndezun edhe zogun e gjallë, me i zhytë në gjakun e zogut të therun edhe në ujin e freskët, e masanej me e spërkatë shpinë shtatë herë.

52 Qashtu duhet me e pastru shpinë pi papastërtia me gjakun e zogut, me ujin e freskët, me zogun e gjallë, me drunin e cedrit, me hisopin edhe me penin e kuq të ndezun.

53 Masanej duhet me e lshu zogun e gjallë të lirë në fushë të hapët jashtë qytetit, edhe me ba shlyerjen e papastërtisë për shpinë, e shpia ka me konë e pastër.

54 Ky asht ligji për çdo rast të lebrës, për infeksionet në lëkurën e kryt ose të mjekrës,

55 për lebrën që del në tesha ose në shpi,

56 për të ajtunat, koret edhe njollat në lëkurë,

57 që me ditë kur diçka asht e papastër e kur asht e pastër. Ky asht ligji për lebrën.»