Libri i tret i Musës 16
1 Jehovai ka fol me Moisiun, masi dy djemtë e Aronit kanë vdekë, pse kanë dalë para Jehovait.
2 Jehovai i tha Moisiut: “Thuji vllaut tand Aronit që s'guxon me hi kur t'i teket në vendin e shenjtë, mas perdes, edhe me dalë para kapakut të arkës së besëlidhjes, që mos me vdekë. Se unë kam me u shfaq në nji re përmi kapak.
3 Kur Aroni të hyn në vendin e shenjtë, ka me i marrë me veti këto: nji dem të ri si kurban për mëkatin edhe nji dash si kurban që digjet krejt.
4 Ka me e vesh petkun e gjatë e të shenjtë pi lini, edhe ka me i vesh brekët e shkurta pi lini që me ia mbulu trupin. Ka me e lidh brezin pi lini për mesi edhe ka me e lidh çallmën pi lini rreth kryt. Këto jonë tesha të shenjta. Ka me u la krejt me ujë edhe masanej ka me i vesh ato.
5 Pi bashkësia e izraelitëve ka me i marrë dy cjepa të rinj si kurban për mëkatin edhe nji dash si kurban që digjet krejt.
6 Masanej Aroni ka me e pru demin për kurbanin e mëkatit, që asht për vetë atë, edhe ka me bo shlyerje të mëkateve për veti edhe për shpinë e vet.
7 Masanej ka me i marrë dy cjepat, ka me i çu te hyrja e tendës së takimit edhe ka me i qit para Jehovait.
8 Aroni ka me qit short për dy cjepat, njonin short për Jehovain edhe tjetrin për Asaselin.
9 Aroni ka me e pru cjepin që i ka ra shorti për Jehovain edhe ka me e dhanë si kurban për mëkatin.
10 Po cjepi që i ka ra shorti për Asaselin ka me u pru i gjallë para Jehovait, që me u bo shlyerja e mëkateve përmes tij, edhe masanej me u çu në shkretinë për Asaselin.
11 Aroni ka me e pru demin për kurbanin e mëkatit, që asht për vetë atë, edhe ka me bo shlyerje të mëkateve për veti edhe për shpinë e vet. Masanej ka me e therë demin për kurbanin e mëkatit.
12 Masanej ka me e marrë enën e prushit, me e mbush me prush të nxehtë pi altari që asht para Jehovait, edhe ka me i marrë dy grushta temjan të imët me erë të mirë. Krejt këto ka me i çu mas perdes.
13 Ka me e qit temjanin mbi prush para Jehovait, edhe reja e tymit të temjanit ka me e mbulu kapakun e arkës së besëlidhjes, që asht përmi Dëshminë, që Aroni mos me vdekë.
14 Ka me marrë pak pi gjakut të demit edhe me gisht ka me e spërkat para kapakut, në anën e lindjes. Edhe ka me e spërkat pak pi gjakut me gisht shtatë herë para kapakut.
15 Masanej ka me e therë cjepin për kurbanin e mëkatit, që asht për popullin, edhe gjakun e tij ka me e çu mas perdes. Me atë gjak ka me bo bash qysh ka bo me gjakun e demit. Ka me e spërkat kah kapaku edhe para kapakut.
16 Ka me bo shlyerje për vendin e shenjtë, për shkak të papastërtive të izraelitëve edhe për shkak të shkeljeve e mëkateve të tyne. Qeshtu ka me vepru edhe për tendën e takimit, që asht në mes të tyne, edhe pse ata jonë të papastër.
17 Kur Aroni të hyn mrena për me bo shlyerje të mëkateve në vendin e shenjtë, kërkush tjetër s'guxon me u konë në tendën e takimit derisa aj të del prapë jashtë. Aj ka me bo shlyerje të mëkateve për veti, për shpinë e vet edhe për krejt bashkësinë e Izraelit.
18 Masanej ka me dalë te altari që asht para Jehovait edhe ka me bo shlyerje për altarin. Ka me marrë pak pi gjakut të demit edhe pak pi gjakut të cjepit, edhe ka me e qit mbi brinat në krejt anët e altarit.
19 Edhe ka me e spërkat pak pi gjakut me gisht shtatë herë mbi altar, që me e pastru pi papastërtitë e izraelitëve edhe me e shenjtëru.
20 Masi ta kryn shlyerjen për vendin e shenjtë, për tendën e takimit edhe për altarin, ka me e pru edhe cjepin e gjallë.
21 Aroni ka me i vnu të dy durt mbi krye të cjepit të gjallë edhe ka me i pranu mbi të krejt fajet, krejt shkeljet edhe krejt mëkatet e izraelitëve. Ka me ia ngarku krejt ato mbi krye të cjepit edhe ka me e çu në shkretinë përmes nji burri që asht caktu për këtë punë.
22 Cjepi ka me i bart krejt fajet e tyne në shkretëtinë. Aj burri ka me e çu cjepin në shkretinë.
23 Masanej Aroni ka me hi në tendën e takimit, ka me i hjek teshat pi lini që i ka vesh para se me hi në vendin e shenjtë, edhe ka me i lanë aty.
24 Ka me u la krejt me ujë në nji vend të shenjtë edhe ka me i vesh teshat e veta. Masanej ka me dalë jashtë, ka me e dhanë kurbanin e vet që digjet krejt edhe kurbanin e popullit që digjet krejt, edhe ka me bo shlyerje të mëkateve për veti edhe për popullin.
25 Dhjamin e kurbanit për mëkatin ka me e djeg mbi altar, që me u çu tymi.
26 Burri që e ka çu cjepin për Asaselin ka me i la teshat e veta edhe ka me u la krejt me ujë. Masanej guxon me u kthy në kamp.
27 Demi për kurbanin e mëkatit edhe cjepi për kurbanin e mëkatit, gjaku i të cilëve u çu në vendin e shenjtë për me bo shlyerje të mëkateve, kanë me u nxjerr jashtë kampit. Lëkurat e tyne, mishi edhe çka u konë mrena zorrëve kanë me u djeg.
28 Aj që i djeg ka me i la teshat e veta edhe ka me u la krejt me ujë. Masanej guxon me u kthy në kamp.
29 Ky rregull ka me vlejt për ju përgjithmonë: Ditën e dhjetë të mujit të shtatë, keni me e përul veten me pikëllim edhe s'keni me bo kurrfarë pune, as ata që jonë vendas, as të hujt që jetojnë mes juve.
30 Në atë ditë ka me u bo shlyerja e mëkateve për ju, që me u shpall të pastër. Keni me u pastru pi krejt mëkatet e juve para Jehovait.
31 Kjo asht nji ditë Sabati për ju, nji ditë me pushu krejt, edhe keni me e përul veten me pikëllim. Ky rregull ka me vlejt përgjithmonë.
32 Prifti që asht ly me vaj edhe asht emnu me shërby si prift në vend të babës së vet, ka me bo shlyerjen e mëkateve edhe ka me i vesh teshat pi lini, teshat e shenjta.
33 Aj ka me bo shlyerje për vendin ma të shenjtë, për tendën e takimit edhe për altarin. Ka me bo shlyerje të mëkateve për priftërinjtë edhe për krejt ata që i takojnë bashkësisë.
34 Ky rregull ka me vlejt për ju përgjithmonë, që nji herë në vjet me u bo shlyerja e mëkateve për
izraelitët, për shkak të krejt mëkateve të tyne.” Aj i ka bo krejt bash qysh e ka urdhnu Jehovai Moisiun.