Libri i tret i Musës 25
1 Jehovai i tha prapë Moisiut në malin Sinai:
2 “Fol me izraelitët edhe thuju: ‘Kur të hyni në tokën që po jua jap, toka ka me mbajt nji Sabat për Jehovain.
3 Gjashtë vjet ke me e mbjell arën tande, ke me e krasit vneshtën tande edhe ke me e mbledh bereqetin e tokës.
4 Po në vitin e shtatë, toka ka me pas nji Sabat, nji vit me pushu krejt, nji Sabat për Jehovain. S'guxon me mbjell farë në arën tande, as me e krasit vneshtën tande.
5 S'guxon me e korr grunin që ka mbirë vetë mas korrjes. As rrushin e hardhive që s'i ke krasit s'guxon me e mbledh. Toka ka me pushu krejt për nji vit.
6 Po ato që rriten vetë në tokë gjatë vitit të Sabatit, guxoni me i hangër. Ti, skllavi yt, skllavja jote, puntori yt me rrogë edhe të hujt që jetojnë te ti, krejt guxoni me hangër pi atyne.
7 Edhe kafshët e shpisë edhe kafshët e egra në tokën tuej guxojnë me hangër pi tyne. Krejt çka jep toka, guxon me u hangër.
8 Numëroji shtatë vite të Sabatit, shtatë herë ka shtatë vjet. Krejt bashkë kanë me bo 49 vjet.
9 Ditën e dhjetë të mujit të shtatë, ke me i ra fort brinit. Në Ditën e Shlyerjes së Mëkateve, zani i brinit ka me u ni në krejt tokën tuej.
10 Shenjtërojeni vitin e 50-të edhe shpallni liri për krejt banorët e asaj toke. Ky ka me konë viti i Jubileut për ju. Secili pi juve ka me u kthy te prona e vet edhe secili ka me u kthy te familja e vet.
11 Viti i 50-të ka me konë viti i Jubileut për ju. S'guxoni me mbjell farë, as me e korr grunin që ka mbirë vetë. Edhe rrushin e hardhive që s'jonë krasit s'guxoni me e mbledh.
12 Se ky asht viti i Jubileut. Ka me konë i shenjtë për ju. Guxoni me hangër vetëm pi asaj që rritet vetë në arë.
13 Në këtë vit të Jubileut, secili pi juve ka me u kthy te prona e vet.
14 Kur i shitni diçka dikujt a blini diçka pi dikujt, mos e shfrytëzoni njani-tjetrin.
15 Kur blen diçka, duhet me e llogarit sa vjet kanë kalu pi viti i Jubileut, edhe kur shet diçka, duhet me e llogarit sa vite të korrjes kanë met deri te Jubileu tjetër.
16 Nëse kanë met shumë vjet, çmimi i shitjes munet me konë ma i naltë. Po nëse kanë met pak vjet, çmimi ka me konë ma i ultë. Se aj që po shet, në të vërtetë po e shet numrin e korrjeve që kanë met.
17 Asnjani pi juve s'guxon me e shfrytëzu tjetrin. Kini respekt të madh për Zotin tuej, se unë jom Jehovai, Zoti juej.
18 Nëse i mbani rregullat e mia edhe veproni sipas vendimeve të mia të drejta, keni me jetu të sigurt në atë tokë.
19 Toka ka me dhanë bereqetin e vet, ju keni me hangër derisa të ngiheni edhe keni me jetu të sigurt aty.
20 Po nashta po vetni veten: “Qka kemi me hangër në vitin e shtatë, kur s'guxojmë me mbjell as me korr bereqet?”
21 Unë kam me ju beku në vitin e gjashtë, edhe toka ka me dhanë aq shumë bereqet, sa ka me ju dalë për tri vjet.
22 Në vitin e tetë keni me mbjell prapë farë, po deri në vitin e nëntë keni me hangër pi bereqetit të vjetër. Derisa të vjen bereqeti i ri, keni me hangër pi atij të vjetrit.
23 Toka s'guxon me u shit përgjithmonë, se toka asht e jemja. E ju, për mu, jeni si të huj që jetojnë e banojnë në tokën teme.
24 Në krejt tokën që e keni pronë, duhet me e leju të drejtën me e ble prapë tokën që asht shit.
25 Nëse vllau yt varfnohet edhe detyrohet me shit nji pjesë të pronës së vet, atëherë nji i afërm i tij, që e ka të drejtën me e ble prapë, ka me ardh edhe ka me e ble atë që e ka shit vllau yt.
26 Po nëse dikush s'ka njeri që munet me ia ble prapë pronën, ama ma vonë i bohet gjendja ma e mirë edhe ka pare të mjaftueshme me e ble vetë,
27 atëherë ka me e llogarit vlerën për vitet që kanë kalu pi shitja, edhe ka me ia kthy blerësit dallimin e pareve. Masanej munet me u kthy te prona e vet.
28 Po nëse s'ka pare të mjaftueshme me e ble prapë pronën, atëherë ajo që e ka shit ka me met te blerësi deri në vitin e Jubileut. Në atë vit, prona ka me iu kthy prapë, edhe aj munet me u kthy te prona e vet.
29 Nëse dikush e shet nji shpi banimi në nji qytet që ka mure përreth, aj ka të drejtë me e ble prapë atë shpi brenda nji viti pi dita kur asht kry shitja. Këtë të drejtë e ka për nji vit të plotë.
30 Po nëse shpija në qytetin me mure nuk blihet prapë brenda nji viti të plotë, atëherë ajo ka me met përgjithmonë pronë e blerësit edhe e brezave që vijnë mas tij. Në vitin e Jubileut s'ka me iu kthy pronarit të mëparshëm.
31 Po shpijat në vendbanimet që s'kanë mure përreth, kanë me u konsideru si pjesë e tokës përreth. Për ato ka me vazhdu me vlejt e drejta me i ble prapë, edhe në vitin e Jubileut kanë me iu kthy pronarit të mëparshëm.
32 Levitët kanë me pas gjithmonë të drejtë me i ble prapë shpijat e veta që jonë mrena qyteteve të tyne.
33 Nëse nji levit s'e blen prapë pronën e vet, shpija që e ka shit në qytetin e tij ka me iu kthy në vitin e Jubileut. Se shpijat në qytetet e levitëve jonë prona e tyne mes izraelitëve.
34 Edhe toka ku kullosin kafshët përreth qyteteve të tyne s'guxon me u shit. Ajo ka me met përgjithmonë pronë e tyne.
35 Nëse vllau yt që jeton ngat teje varfnohet edhe s'munet ma me e mbajt veten, ti ke me e ndihmu qysh e ndihmon nji të huj a nji njeri që ka ardh me banu te ti, që aj me mujt me vazhdu me jetu te ti.
36 Mos i merr kamatë edhe mos u mundo me fitu pare në kurriz të tij. Ki respekt të madh për Zotin tand, edhe lene vllaun tand me vazhdu me jetu te ti.
37 Mos i jep pare hua me kamatë, edhe mos nxjerr fitim kur i jep ushqim.
38 Unë jom Jehovai, Zoti juej, që ju kom nxjerr pi Egjiptit për me jua dhanë tokën e Kanaanit edhe për me konë Zoti juej.
39 Nëse vllau yt që jeton afër teje varfnohet edhe detyrohet me ta shit veten, s'guxon me e detyru me punu si skllav.
40 Trajtoje si nji puntor me rrogë, si nji njeri që ka ardh me banu te ti. Aj ka me punu te ti deri në vitin e Jubileut.
41 Atëherë aj ka me u largu pi teje, bashkë me fëmijët e vet, edhe ka me u kthy te familja e vet. Ka me u kthy te prona e të parëve të vet.
42 Se ata jonë skllavët e mi, që unë i kom nxjerr pi Egjiptit. Ata s'guxojnë me e shit veten qysh shiten skllavët.
43 S'guxon me i trajtu mizorisht, edhe duhet me pas respekt të madh për Zotin tand.
44 Skllavët edhe skllavet tueja kanë me konë pi popujt që jetojnë përreth juve. Pi ata popuj guxoni me ble skllavë edhe skllave.
45 Edhe pi fëmijët e të hujve që kanë ardh me banu mes juve, guxoni me ble skllavë, si pi ata vetë, ashtu edhe pi familjet e tyne që kanë lind në tokën tuej. Ata kanë me u bo prona juej.
46 Guxoni me ua lanë ata si trashëgimi djemve tuej, që me i pas si pronë përgjithmonë. Guxoni me i mbajt ata si skllavë për me punu për ju, po vllaznitë tuej izraelitë s'guxoni me i trajtu mizorisht.
47 Po nëse nji i huj a nji njeri që ka ardh me banu mes juve pasunohet, e vllau yt që jeton ngat tij varfnohet edhe detyrohet me ia shit veten atij të huji a naj anëtari të familjes së tij,
48 edhe mas shitjes, vllau yt ka me e pas të drejtën me u ble prapë e me u liru. Njoni pi vllaznive të tij munet me e ble prapë.
49 Edhe axha i tij, djali i axhës a naj i afërm tjetër i familjes së tij munet me e ble prapë.
Nëse aj vetë pasunohet, munet edhe vetë me e ble lirinë e vet.
50 Aj ka me llogarit bashkë me blerësin sa vjet kanë met pi viti kur ia ka shit veten e deri në vitin e Jubileut. Çmimi i shitjes ka me u llogarit sipas numrit të viteve. Pagesa për ditët e punës gjatë asaj kohe ka me u llogarit njajt si pagesa e nji puntori me rrogë.
51 Nëse kanë met hala shumë vjet deri në vitin e Jubileut, çmimi për me e ble lirinë e vet ka me u llogarit sipas numrit të viteve që kanë met.
52 Po nëse kanë met veç pak vjet deri në vitin e Jubileut, aj ka me e llogarit çmimin edhe ka me pagu për lirinë e vet sipas viteve që kanë met.
53 Aj ka me i shërby atij vit mas viti si nji puntor me rrogë, edhe ti duhet me u kujdes që mos me u trajtu mizorisht.
54 Po nëse s'munet me e ble lirinë e vet me këto kushte, atëherë në vitin e Jubileut ka me u liru, aj bashkë me fëmijët e vet.
55 Se izraelitët jonë skllavët e mi. Ata jonë skllavët e mi, që unë i kom nxjerr pi Egjiptit. Unë jom Jehovai, Zoti juej.