Libri i tret i Musës 27

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Jehovai i tha prapë Moisiut:

2 “Foluni izraelitëve edhe thuajuni: ‘Nëse dikush e bon nji zotim të veçantë edhe don me ia ofru Jehovës vlerën e caktume për nji person,

3 vlera e caktume për nji burrë pi moshës 20 deri në 60 vjet asht 50 shekelë argjendi, simas shekelit standard të vendit të shenjtë.

4 Për nji grue, vlera e caktume asht 30 shekelë.

5 Për ata që jonë pi 5 deri në 20 vjet, vlera e caktume për nji mashkull asht 20 shekelë, e për nji femën 10 shekelë.

6 Për djemtë pi nji muaj deri në 5 vjet, vlera e caktume asht 5 shekelë argjendi, e për çikat 3 shekelë argjendi.

7 Për ata që i kanë 60 vjet e ma shumë, vlera e caktume për burrat asht 15 shekelë, e për gratë 10 shekelë.

8 Ama nëse aj që e ka bo zotimin asht shumë i varfër me e pagu vlerën e caktume, aj ka me dalë para priftit, edhe prifti ka me ia caktu nji vlerë. Prifti ka me e caktu vlerën simas asaj sa ka mundësi me pagu aj që e ka bo zotimin.

9 Nëse zotimi ka të bojë me nji kafshë që lejohet me u ofru si kurban për Jehovën, atëherë krejt qka i jepet Jehovës ka me u bo e shenjtë.

10 Ajo kafshë s'guxon me u zavendësu a me u ndrru me nji tjetër, as e mira me të keqen, as e keqja me të mirën. Ama nëse dikush e ndrron nji kafshë me nji tjetër, atëherë edhe kafsha e parë, edhe ajo që e ka marrë në vend të saj, kanë me u bo të shenjta.

11 Nëse asht nji kafshë e papastër, që s'lejohet me u ofru si kurban për Jehovën, ajo ka me u çu para priftit.

12 Masanej prifti ka me ia caktu vlerën, qoftë kafsha e mirë a e keqe. Vlera që e cakton prifti ka me vlejtë.

13 Ama nëse aj që e ka dhonë kafshën don najherë me e ble prapë, ka me ia shtu vlerës së caktume edhe nji të pestën.

14 Nëse dikush ia kushton shpinë e vet Jehovës, që ajo me u bo diçka e shenjtë për Të, prifti ka me ia caktu vlerën, qoftë shpija e mirë a e keqe. Çmimi ka me konë aq sa e ka caktu prifti.

15 Nëse aj që ia ka kushtu shpinë Jehovës don me e ble prapë, ka me ia shtu pareve të vlerës së caktume edhe nji të pestën. Atëherë shpija ka me i taku prapë atij.

16 Nëse dikush ia kushton Jehovës nji pjesë të arës që e ka pronë të vetën, vlera e saj ka me u caktu simas sasisë së farës që duhet për me e mbjellë. Për nji homer farë elbi, vlera asht 50 shekelë argjendi.

17 Nëse aj ia kushton arën Jehovës në vitin e Jubileut, vlen kjo vlerë e caktume.

18 Ama nëse ia kushton arën mas vitit të Jubileut, prifti ka me ia llogaritë çmimin simas viteve që kanë mbetë deri në vitin tjetër të Jubileut, edhe ka me ia zvogëlu vlerën e caktume aq sa duhet.

19 Nëse aj që ia ka kushtu arën Jehovës don najherë me e ble prapë, ka me ia shtu pareve të vlerës së caktume edhe nji të pestën. Atëherë ara ka me i taku prapë atij.

20 Ama nëse s'e blen arën prapë, edhe ajo i shitet dikujt tjetër, ma s'ka me mujtë me u ble prapë.

21 Kur ara të lirohet në vitin e Jubileut, ajo ka me u bo diçka e shenjtë për Jehovën, nji arë që i asht kushtu Atij. Ajo ka me u bo pronë e priftave.

22 Nëse dikush ia kushton Jehovës nji arë që e ka ble, e që s'asht pjesë e tokës që e ka trashëgu,

23 atëherë prifti ka me ia llogaritë vlerën deri në vitin e Jubileut, edhe aj ka me e pagu qat vlerë po atë ditë. Kjo asht diçka e shenjtë për Jehovën.

24 Në vitin e Jubileut, ara ka me iu kthy atij që e ka shitë, pronarit që i takon toka.

25 Vlera ka me u caktu gjithmonë simas shekelit standard të vendit të shenjtë. Nji shekel ka me i pasë 20 gera.

26 Askush s'guxon me ia kushtu Jehovës kafshën e parë që lind, se ajo veç i takon Jehovës. Qoftë dem a dele, ajo veç asht e Jehovës.

27 Nëse dikush don me e ble prapë nji kafshë të parë të lindun që asht e papastër, ka me e pagu vlerën e caktume edhe ka me ia shtu nji të pestën. Nëse s'e blen prapë, kafsha ka me u shitë për vlerën e caktume.

28 Diçka që dikush e ka pi pasunisë së vet edhe ia kushton Jehovës pa kurrfarë kushti, s'guxon me u shitë a me u ble prapë. Kjo vlen për njerëz, për kafshë edhe për toka që i ka pronë. Krejt qka i asht kushtu Jehovës në këtë mënyrë asht diçka shumë e shenjtë për Të.

29 Përveç kësaj, asnji person që asht dënu edhe asht nda për me u shkatërru, s'guxon me u ble për me u liru. Aj patjetër ka me dekë.

30 Pi krejt qka prodhon toka, qoftë pi prodhimet e arës a pi frytet e drujve, nji e dhjeta i takon Jehovës. Ajo asht diçka e shenjtë për Jehovën.

31 Nëse dikush don najherë me e ble prapë diçka pi të dhjetës së vet, ka me ia shtu vlerës edhe nji të pestën.

32 Pi krejt bagëtive të mëdhaja edhe të imta, çdo e dhjeta, domethanë çdo kafshë e dhjetë që kalon nën shkopin e çobanit, ka me u bo diçka e shenjtë për Jehovën.

33 S'guxon me e kontrollu a asht e mirë a e keqe, as me e ndrru me nji tjetër. Ama nëse dikush prapë mundohet me e ndrru, atëherë edhe kafsha e parë, edhe ajo që e ka marrë në vend të saj, kanë me u bo të shenjta. Ato s'guxojnë me u ble prapë.’”

34 Këto jonë urdhnat që Jehovai ia ka dhonë Moisiut në malin Sinai për izraelitët.