Libri i tret i Musës 5
1 Nëse dikush ka bo gjynah, se e ka ni nji thirrje publike me dalë e me dhanë dëshmi, po nuk ka kallxu për nji sen që e ka dëshmu vetë, që e ka pa a që e ka marrë vesh, atëherë aj ka me dhanë llogari për fajin e vet.
2 Ose nëse dikush, pa e ditë, e prek diçka të papastër, qoftë trupin e ngordhun të nji kafshe të egër të papastër, të nji kafshe të shpisë të papastër, a të naj gjallese të vogël të papastër, atëherë aj asht i papastër edhe ka hy në faj.
3 Ose nëse dikush, pa e ditë, e prek papastërtinë e nji njeriu, çfarëdo papastërtie që mundet me e bo të papastër, e masanej e kupton, atëherë aj ka hy në faj.
4 Ose nëse dikush betohet pa menu mirë se ka me bo diçka, qoftë diçka të mirë a të keqe, e ma vonë e kupton që asht betu pa menu mirë, atëherë aj ka hy në faj.
5 Nëse dikush ka hy në faj në njonën pi ktyne rasteve, aj duhet me e pranu gjynahin që e ka bo.
6 Edhe duhet me ia pru Jehovait nji kurban për fajin që e ka bo, nji kafshë femën pi tufës së bagëtive të imta, ose nji qingj femën a nji dhi të re, si kurban për gjynah. Masanej prifti ka me bo shlyerjen për gjynahin e tij.
7 Po nëse s’i dalin paret për nji dele, atëherë aj duhet me ia pru Jehovait dy turtuj ose dy pëllumba të ri si kurban për fajin që e ka bo. Njonin si kurban për gjynah, e tjetrin si kurban që digjet krejt.
8 Aj duhet me ia çu priftit, e prifti së pari ka me e ofru njonin si kurban për gjynah. Ka me ia thy qafën te zverku, po pa ia nda kryt krejt.
9 Prifti duhet me spërkat pak pi gjakut të kurbanit për gjynah në njanën anë të altarit. Gjakun tjetër duhet me e lanë me rrjedh te fundi i altarit. Ky asht kurban për gjynah.
10 Pëllumbin tjetër duhet me e bo kurban që digjet krejt, qysh asht zakoni. Prifti ka me bo shlyerjen për gjynahin që aj e ka bo, edhe gjynahi ka me iu falë.
11 Po nëse s’i dalin paret as për dy turtuj a dy pëllumba të ri, atëherë aj duhet me pru për gjynahin e vet nji të dhjetën e nji efe miell të imët, si kurban për gjynah. Nuk duhet me i qit vaj, as me i vnu temjan përmi, se ky asht kurban për gjynah.
12 Aj duhet me ia çu priftit, e prifti ka me marrë nji grusht pi atij mielli si pjesë simbolike të kurbanit. Ka me e djegë në altar derisa me u bo tym, përmi kurbanet që digjen në zjarr për Jehovain. Ky asht kurban për gjynah.
13 Prifti ka me bo shlyerjen për gjynahin që aj e ka bo, cilido qoftë pi ktyne gjynaheve, edhe gjynahi ka me iu falë. Pjesa tjetër e kurbanit i takon priftit, njajt si te kurbani i drithit.‘“
14 Masanej Jehovai i ka thanë Moisiut:
15 „Nëse dikush pa dashje bon gjynah ndaj diçkaje që asht e shenjtë për Jehovain, edhe kështu nuk i rrin besnik, atëherë aj duhet me ia pru Jehovait nji dash pa asnji të metë pi tufës së bagëtive të imta, si kurban për fajin e vet. Vlera e dashit ka me u caktu me shekel argjendi, sipas shekelit standard të vendit të shenjtë.
16 Aj duhet me e pagu vlerën për gjynahin që e ka bo ndaj vendit të shenjtë, edhe me ia shtu edhe nji të pestën e asaj vlere. Krejt kto duhet me ia dhanë priftit, që prifti me mujt me bo shlyerjen për gjynahin e tij me dashin që asht kurban për faj. Edhe gjynahi ka me iu falë.
17 Nëse dikush bon gjynah, tu e bo pa e ditë diçka që Jehovai e ka ndalu, aj asht fajtor. Aj ka me dhanë llogari për fajin e vet.
18 Aj duhet me ia pru priftit nji dash pa asnji të metë pi tufës së bagëtive të imta, si kurban për faj, sipas vlerës së caktume. Masanej prifti ka me bo shlyerjen për gabimin që aj e ka bo pa dashje e pa e ditë, edhe gjynahi ka me iu falë.
19 Ky asht kurban për faj. Aj pa tjetër ka bo gjynah kundër Jehovait edhe kështu ka hy në faj.“