Libri i tret i Musës 9

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Ditën e tetë, Moisiu i ka thirr Aronin, djemtë e tij edhe pleqtë e Izraelit.

2 Aj i ka thanë Aronit: «Merre nji viç të ri për kurban për gjynah edhe nji dash për kurban që digjet krejt, edhe ofroji para Jehovait. Kafshët duhet me konë pa të meta.

3 E izraelitëve thuju: ‘Merrni nji cjap për kurban për gjynah, edhe nji viç e nji dash të ri për kurban që digjet krejt. Këto duhet me konë nji vjeç edhe pa të meta.

4 Merrni edhe nji dem e nji dash për kurban të bashkësisë, me i ba kurban para Jehovait, edhe nji kurban pi drithit të përzimë me vaj. Se sot Jehovai ka me ju shfaqë.’»

5 Qysh i ka urdhnu Moisiu, ata i kanë çu krejt këto para tendës së takimit. Masanej krejt populli u mbledh edhe u vendos para Jehovait.

6 Moisiu ka thanë: «Kjo asht ajo që Jehovai ju ka urdhnu me ba, që me ju shfaqë lavdia e Jehovait.»

7 Masanej Moisiu i ka thanë Aronit: «Shko te altari, bane kurbanin tand për gjynah edhe kurbanin tand që digjet krejt, edhe bane shlyerjen e gjynaheve për veti edhe për familjen tande. Ofroje edhe kurbanin e popullit edhe bane shlyerjen e gjynaheve për ta, qysh e ka urdhnu Jehovai.»

8 Aroni ka shku menjiherë te altari edhe e ka therë viçin që u konë për kurbanin e tij për gjynah.

9 Masanej djemtë e Aronit ia kanë dhanë gjakun. Aj e ka zhytë gishtin në gjak edhe e ka ly me të brinat e altarit. Gjakun që ka mbetë e ka derdhë te fundi i altarit.

10 Yndyrën, veshkat edhe yndyrën te mëlçia pi kurbanit për gjynah i ka djegë në altar, që me u çu tymi, qysh ia ka urdhnu Jehovai Moisiut.

11 Mishin edhe lëkurën i ka djegë jashtë kampit.

12 Masanej e ka therë kurbanin që digjet krejt. Djemtë e Aronit ia kanë dhanë gjakun, e aj e ka spërkatë në krejt anët e altarit.

13 Ata ia kanë dhanë copat e kurbanit që digjet krejt, bashkë me kryet, e aj i ka djegë krejt në altar, që me u çu tymi.

14 Po ashtu, i ka la organet e mbrendshme edhe pjesët e poshtme të kambëve, e masanej i ka djegë në altar mbi kurbanin që digjet krejt, që me u çu tymi.

15 Masanej e ka ofru kurbanin e popullit. E ka marrë cjapin për kurban për gjynah që u konë për popullin, e ka therë edhe e ka ba kurban për gjynah, bash qysh e ka ba të parin.

16 E ka ofru edhe kurbanin që digjet krejt edhe e ka ba krejt qysh u konë rregulli.

17 Masanej e ka ofru kurbanin pi drithit. E ka marrë nji grusht pi tij edhe e ka djegë në altar, që me u çu tymi, përveç kurbanit të mëngjesit që digjet krejt.

18 Masanej i ka therë demin edhe dashin për kurbanin e bashkësisë që u konë për popullin. Djemtë e Aronit ia kanë dhanë gjakun, e aj e ka spërkatë në krejt anët e altarit.

19 Copat e yndyrës së demit, bishtin me yndyrë të dashit, yndyrën që i mbulon organet e mbrendshme, veshkat edhe yndyrën te mëlçia,

20 krejt këto copa yndyre i kanë qitë mbi pjesët e gjoksit. Masanej aj i ka djegë copat e yndyrës në altar, që me u çu tymi.

21 Po pjesët e gjoksit edhe kofshën e djathtë, Aroni i ka tundë andej-knej para Jehovait si kurban që tundet, qysh e ka urdhnu Moisiu.

22 Masanej Aroni i ka zgjatë duert kah populli, e ka beku popullin edhe ka zhdryp masi i ka ofru kurbanin për gjynah, kurbanin që digjet krejt edhe kurbanet e bashkësisë.

23 Në fund, Moisiu edhe Aroni kanë hi në tendën e takimit. Kur kanë dalë
prapë, e kanë beku popullin. Atëherë lavdia e Jehovait ju ka shfaqë krejt popullit.

24 Pi Jehovait ka dalë zjarr edhe e ka kallë kurbanin që digjet krejt, bashkë me copat e yndyrës mbi altar. Kur krejt populli e ka pa këtë, të gjithë kanë brohoritë prej gëzimit edhe kanë ra me ftyrë për toke.